Hodgson: Ndryshe mbi historinë

Historia – gr. ἱστορία, hetim, dituri e arritur përmes kërkimit, shqyrtimit, investigimit – nënkupton diturinë apo shkencën rreth të kaluarës, “dialogun mes të tashmes dhe të kaluarës” (E.H. Carr). Ajo është një disiplinë që rrëfen, përshkruan, analizon, ekzaminon, interpreton “ngjarjet e së kaluarës, atë që i ka ndodhur njerëzimit, shpjegon ngritjen dhe rënien e kombeve, të ndryshimeve të tjera që kanë ndikuar mbi rrethanat politike dhe shoqërore” (J.J. Anderson).

Këtyre ditëve auditorit shqiptar iu prezantua dhe një vepër kapitale plot ide provokative, që lëkund dhe ndryshon perceptimin mbi të kaluarën e 500 viteve të fundit të njerëzimit, që kritikon anshmërinë kulturaliste të studimeve qytetërimore:  Marshall G.S. Hodgson, Rimendimi i historisë botërore, Logos-A, 2021. Hodgson (1922-1968), ish-profesor i historisë në Universitetin e Çikagos, kryetar i Komitetit ndërdisiplinar të Mendimit Shoqëror të Çikagos, librin e përmendur e pat nisur qysh në vitet e tij studentore. Më vonë, Edmund Burke III tekstin autorial e përmblodhi dhe ndau në tri pjesë: “Europa në kontekstin global”, “Islami në kontekstin global” dhe “Disiplina e historisë botërore”, që i njëjti të botohet pas vdekjes së Hodgson-it. Ky i fundit, një “kundërshtues i ndërgjegjshëm” (conscientious objector), në këtë studim trajton historinë botërore në përgjithësi dhe atë islame në veçanti”, gjithnjë duke sfiduar paradigmën e studimeve qytetërimore, përjashtimizmin/ekskluzivizmin dhe supremacizmin historik dhe qytetërimor të Perëndimit. (Frantz-Murphy, 1994; Geyer, 2018)

Hodgson-i, i cili në analizat që bën shfrytëzon “një rreptësi dhe seriozitet  epistemologjik”, i shpalos zëshëm mendimet e veta, duke shtruar pyetje domethënëse: “Çfarë kuptimesh mbartin termat Perëndim dhe Lindje? A mund të barazohet historia e botës moderne me historinë e Europës? Pse Europa ka statusin e kontinentit, ndërsa India jo, megjithëse kjo e fundit është më e madhe?”

Hodgson-i është një studiues i mirënjohur i historisë së shoqërive islame, autor edhe i veprës monumentale Sipërmarrja e islamit – “The Venture of Islam”. Në pjesën e parë të Rimendimi i historisë botërore përpiqet të dalë jashtë eurocentrizmit në mënyrën më efektive; në pjesën e dytë trajton islamin në një kontekst global; ndërsa në pjesën e tretë diskuton të përbashkëtat dhe dallimet që mundësojnë një krahasim domethënës në historinë rajonale dhe globale. Ai shpalos ide provokuese në interpretimin e historisë, duke qëndruar larg paragjykimeve orientaliste, larg trajtimit të njëanshëm të historisë. Pjesa më interesante është ajo nën titullin “Moderniteti dhe trashëgimia islame”, ku Hodgson-i shqyrton çështjen nëse ka të ngjarë që një shoqëri të jetë moderne pa u perëndimizuar, duke dalë në përfundimin se moderniteti arrin deri në thellësitë e Oksidentit mesjetar, si dhe duke kritikuar projeksionin e Mercator-it, që dominon akoma imagjinatën gjeografike, ku Europa paraqitet më e madhe nga sa është në realitet, si një botë e tërë, që i abstragon, ngushton dhe kufizon të gjitha rajonet e tjera të botës; që e ka shtrembëruar radikalisht perceptimin për Tokën. (Kuchenbuch, 2011)

Teza e tij është se ka vetëm një histori globale, se nuk ka histori lindore apo perëndimore; se nuk është korrekte qasja të pozicionosh një histori lart dhe një tjetër poshtë. Objektivi i tij është që të gjejë vendin e duhur për islamin, ose për atë që ai e cilëson si “islamicate” (mbizotërim i islamit kulturor, jo fetar). Sipas pikëpamjes hodgonsiane, historia islame nuk duhet të trajtohet brenda historisë së Lindjes së Mesme, por në kuadër të historisë së botës. “Islami ishte Tjetri shumë më i pasur dhe më i suksesshëm kundrejt të cilit Perëndimi e përkufizoi veten. Shikuar në perspektivë, historia e Oksidentit dhe e Botës islame jep një studim mahnitës në shfaqjen e dy shoqërive dallueshëm të ndryshme e megjithatë në mënyrë sugjeruese të ngjashme, duke qarkulluar që të dyja në përzierjet e dijes helenistike, monoteizmit profetik të Azisë Perëndimore dhe perandorive burokratike të bazuara mbi bujqësi.” (Burke, 2002) Në vitin 1945, i frymëzuar nga titulli i një artikulli nga Margaret Cameron-i, ai planifikoi ta quante historinë botërore të tij “Nuk ka Orient”. Qëllimi i kësaj duhej të ishte “të luftohej provincializmi perëndimor”, kuptimi i rrënjosur thellë i epërsisë morale dhe kulturore të Europës Perëndimore ndaj pjesës tjetër të njerëzimit, parazotimi për historinë  e Perëndimit si rrëfim për lirinë dhe racionalizmin dhe për historinë e Lindjes si rrëfim për despotizmin dhe pezmin kulturor. Sipas tij termi Orient është një fiksion, një shpikje e prirjes për dominim, që i hapi rrugë zbulimeve dhe teknikalizmit si forcë shtytëse e rritjes shpërthyese (explosive rise) që shkeli të gjitha vlerat etike dhe estetike. (Eroğlu, 2004)

Hodgson-i, i cili në qasjen e tij ndaj historisë asgjë nuk merr të mirëqenë, me “erudicionin e tij të gjerë dhe vetëbesimin enorm” (Burke III) dekonstrukton perceptimin dhe botëkuptimin eurocentrist mbi historinë, provincializmin perëndimor dhe propozon një botë më reale, post-oksidentale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button