Lëvizja Besa e përjashtoi deputetin Kastriot Rexhepi nga partia
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, e ka përjashtuar deputetin e kësaj partie, Kastriot Rexhepin, nga strukturat e partisë, transmeton Portalb.mk.
“Lëvizja BESA, respektivisht unë si Kryetar partie, konform normave statutore përkatësisht nenit 14 paragrafit 3 pika 3.3 të Statutit të Lëvizjes BESA, anëtarin e lartëpërmendur (v.j. Kastriot Rexhepi) e përjashtoj nga të gjitha pozicionet partiake dhe të qenurit anëtar i Lëvizjes BESA.”, deklaroi Kasami, duke sqaruar që ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Ai në njoftimin publik sqaroi që ky vendim është marrë duke marrë parasysh veprimet e fundit të deputetit të Lëvizjes BESA, i cili ditë më parë nuk u paraqit në kuvend, për të mbështetur mocionin e mosbesimit të qeverisë, me çka i njëjti veproi në kundërshtim me vendimin e partisë me ç’rast dëmtoi rëndë edhe prestigjin e partisë.
Sot Kastriot Rexhepi është paraqitur vullnetarisht në Stacionin Policor në Bit Pazar të Shkupit. “Ai ka deklaruar se asnjëherë nuk është zhdukur por vullnetarisht, pa asnjë trysni, me familjen e tij ka shkuar te një mik që të mbrohet nga publiciteti lidhur me seancën kuvendore”, theksojnë për Portalb.mk nga MPB.
Përndryshe, Rexhepi dje nuk u paraqit në seancën kuvendore për votëbesimin e Qeverisë dhe me këtë i prishi numrat e shumicës së paralajmëruar prej opozitës dhe dështoi votimi i votëbesimit.
Ai nëpërmjet Facebookut njoftoi se nuk do të merr pjesë në seancë, për procesit dhe sinjaleve tw forta nga partnerët strategjik SHBA dhe shtetet e BE-së që i janë komunikuar nga përfaqësues të lartë diplomatik, se në muajin dhjetor vendi ka gjasa të mëdha të marrë datë për fillim e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Pavarësisht deklarimit të tij, kryetarët e partive të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dyshuan se ndoshta Rexhepi është ndaluar në mënyrë të pavullnetshme të vijë në seancë dhe nuk do t’i besojnë një statusi në FB, derisa Rexhepi nuk del me figurë dhe zë.
Për këtë, sipas informatave të Portalb.mk, Kasami e ka paraqitur në Polici si të zhdukur dje në ora 17:10. Dyshimet për rrëmbimin e tij, vazhduan edhe pse, Rexhepi u paraqit me video-porosi se është shëndosh dhe mirë dhe s’ka nevojë askush të shqetësohet për shëndetin e tij.
Së fundmi, për zhvillimet e fundit, Rexhepi, ka premtuar se të hënën do të mbajë konferencë për media për t’u sqaruar para opinionit.
- LEXO: Kastriot Rexhepi është paraqitur në polici: Nuk jam rrëmbyer
- LEXO: Në momentin kur shkuam me familjarët ta paraqesim në Polici, u publikua video nga deputeti Rexhepi, sqaroi Kasami
- LEXO: Mickoski: Deri në mesnatë e presim Kastriot Rexhepin, jemi të shqetësuar
- LEXO: Arbër Ademi: Zemra e Rexhepit qëndron në Bruksel dhe Uashington
- LEXO: Sela: Jam i shqetësuar derisa Rexhepi nuk paraqitet me figurë dhe zë
- LEXO: Kasami: Derisa nuk del Kastriot Rexhepi me figurë dhe zë, dyshoj që mbahet diku dhe nuk lejohet të vijë në Kuvend