KE pas deklaratës së presidentit bullgar: Asnjë vend anëtar nuk duhet të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera

Komisioni Evropian ka thënë se, vendet anëtare me asnjë kusht nuk guxojnë të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të vendeve të tjera anëtare të BE-së apo atyre që janë jashtë Unionit. KE ka dhënë këtë koment për MIA-n, pasi presidenti bullgar, Rumen Radev tha dje nga Sllovenia se, pret që 120 mijë qytetarët të jenë të regjistruar si bullgarë në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Më shumë se 120 mijë qytetarë të Maqedonisë së Veriut janë qytetarë edhe të Republikës së Bullgarisë, në bazë të vullnetit të tyre të shprehur dhe të dokumenteve objektive të prezantuara për prejardhje. Dhjetëra mijëra të tjerë e presin pasaportën e tyre bullgare dhe presin që ai realitet të pasqyrohet edhe gjatë numërimit të popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Radev.

Zëdhënësja e KE-së, Dane Spinant, nuk dëshiroi të përgjigjet konkretisht për rastin me Maqedoninë e Veriut, por përkujtoi në pozicionin principiel të Komisionit Evropian.

“Asnjëherë nuk është e pranueshme që një vend t’i diktojë çfarë do qoftë një vendi tjetër”, tha Spinant dhe shtoi se në rastin me regjistrimin në Maqedoninë e Veriut nëse bëhet fjalë për çështje metodologjike, Komisioni Evropian nuk komenton, por dëshiron që sa më shpejt të zgjidhet kontesti me Bullgarinë.

Ajo theksoi se, kryetarja e KE-së, Ursula fon der Layen, dje nga samiti në Bërdo, kërkoi edhe njëherë tejkalimin e këtij kontesti bilateral që të mund të fillojnë negociatat mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Dëshirojmë që të zgjidhet kjo çështje bilaterale për të cilën Bullgaria nuk pranon mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut”, tha zëdhënësja.

Fon der Layen dje është takuar me kryeministrin, Zoran Zaev dhe me presidentin, Rumen Radev, në prezencë të presidentit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel dhe kryeministrit slloven, Janez Jansha.

“Ajo ishte tema, tu jepet nxitje dy vendeve, për neve është shumë e rëndësishme që të gjendet zgjidhje të mos anulohet procesi, nuk komentojmë sepse bisedimet mes dy palëve vazhdojnë”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Dane Spinant.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev sot shprehi bindjen se mund të gjendet zgjidhje me Bullgarinë deri në fund të dhjetorit sepse, siç theksoi, dallimet nuk janë aq të mëdha.

“Asnjëherë nuk i kam parë aq këmbëngulës kancelaren Angela Merkel dhe presidentin Emanuel Macron. Të jenë aq preciz, të jenë të qartë, duke biseduar edhe me mua edhe me presidentin Radev, për hapin e ardhshëm në këtë drejtim”, tha Zaev.

Ai shtoi se, deklarata e miratuar dje është precize, flet për zgjerimin në të gjitha detajet, ndërsa aq precize ka qenë në vitin 2002, në samitin e Selanikut.

“Kjo deklaratë precize që dje e miratoi Këshilli Evropian në Samitin për Ballkanin Perëndimor, vetëm në letër nuk ka rëndësi asgjë, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë, ndërsa besoj se as për katër vendet e tjera nga Ballkani Perëndimor. Për këtë duhet të ketë diçka në vepër. Për këtë, theksoj se aspirata jonë kryesore strategjike dhe qëllim është BE dhe anëtarësimi i plotë, ndërsa qëllimi kryesor i politikës së jashtë të BE-së është Ballkani Perëndimor, sepse njëri me tjetrin jemi të lidhur, ekonominë e kemi të lidhur, varemi nga njëri tjetri”, vlerësoi Zaev në konferencën e sotme për media.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button