Pjesëmarrësve në protestën në Tetovë u është vazhduar paraburgimi
Gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore e Tetovës ka ngritur edhe aktakuzën për pesë nga të arrestuarit në protestën e 17 shtatorit. Me këtë, pesë protestuesve që u arrestuan ditën e protestës, u vazhdohet paraburgimi deri në caktimin e seancës nga ana e gjykatësit. Katër të akuzuar ngarkohen për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar” si dhe “pjesëmarrje në turmë”, kurse organizatori i protestës ngarkohet për “mosrespektim të Rregullores gjatë organizimit të tubimeve publike” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”, njofton TV 21.
Kujtojmë se, më 17 shtator në Tetovë u protestua për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi në lidhje me zjarrin në Spitalin Modular të Tetovës, në të cilin humbën jetën 14 persona. Protestuesit e filluan marshimin prej sheshit “Iliria”, vazhduan në Komunën e Tetovës, ku mbajtën fjalim dhe më pas disa prej qytetarëve hodhën drejt objektit me vezë, ndërkaq më pas marshuan drejtë selisë së BDI-së. Katër policë u plagosën lehtë në këto protesta. Përplasjet me policinë shpërthyen pasi disa protestues u përpoqën të arrijnë në selinë e BDI -së, dhe më parë hodhën vezë në ndërtesën e komunës.
- LEXO: U mbajt marsh në nder të viktimave në spitalin modular në Tetovë (Galeri – VIDEO)
- LEXO: Tetovë, zjarr në spitalin Kovid-19, u konfirmuan 14 të vdekur, zyrtarët nuk dhanë detaje (VIDEO)
- LEXO: Një ditë pas tmerrit në Spitalin Modular për Kovid- Tetovë (FOTO)
- LEXO: Të mbijetuarit e zjarrit në Tetovë, burrë e grua dëshmojnë për Portalb: gjithçka ndodhi shpejtë