Zaev: Hetuesit gjermanë kanë përfunduar hetimin- po e presim raportin, reaguan nga ASh-ja

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev duke folur për tragjedinë në Tetovë gjatë një aktiviteti të tij, tha se për këtë tragjedi ka pasur përgjegjësi morale nga ana e drejtorit të Spitalit, drejtorit ekonomik, si dhe zëvendësministrit dhe ministrit, transmeton Portalb.mk.

Ai përsëriti se, fillimisht do të pret që hetimi të përfundojë së bashku me rezultatet e saj, pas çka do të vendosë për dorëheqjet e dorëzuara. Në pyetjen nëse nuk ekziston socialdemokrat që do ta zëvendësojë në funksionin e kryeministrit, pasi më parë deklaroi se, nuk do të japë dorëheqje që Hristijan Mickoski të vijë në pushtet, Zaev u përgjigj se askush nuk është i pazëvendësueshëm.

“LSDM është parti demokratike me kuadro cilësore të cilët mund ta zëvendësojnë Zaevin dhe veç më është banale kjo pyetje gjithë këto ditë”, deklaroi Zaev.

Për këtë deklaratë të Zaev, reaguan nga Aleanca për Shqiptarët (ASh) ku thanë se kjo ishte një shfaqe makabre nga kryeministri.

“Sikur mos mjaftonte kjo paraqitje e mjerë e Zaevit, që shfaqja të bëhet edhe më makabre u kujdesën shpura e tij e servilëve. Kësaj deklarate skandaloze ato ju përgjigjën me duartrokitje! Paramendoni! Një kryeministër thotë se s’ja vlen të flitet për 14 të djegur të gjallë dhe për këtë merr duartrokitje! Zotëri Zaev, Juve dhe shpurës tuaj mund edhe t’ju duket banale që janë djegur 14 njerëz. Apo ndoshta ju duket banale se ishin nga ata që për ju nuk vlejnë as pesë pare. Por, ju sigurojmë se qytetarët nuk janë dele me kujtesë të shkurtë. Jeni mësuar që çdo skandal ta manipuloni siç dini vetë, por ta keni të qartë se ne nuk do të rreshtim së kërkuari përgjegjësi, derisa drejtësia të vihet në vend. Dhe të jeni të sigurtë se o sot, o nesër, drejtësi do të ketë.” tha Vjollcë Berisha nga ASh.

Zaev përsëriti se është kërkuar ndihmë nga të gjitha institucionet e pavarura, ndërsa edhe përkrah asaj që paraprakisht ka kërkuar korrigjim në punën e gjyqësorit, Zaev tha se hetimi duhet të lihet në punën e prokurorëve.

“Zaev edhe sot nuk ka besim të plotë në gjyqësor, por Prokuroria Publike i udhëheq hetimet, janë angazhuar ekspertë profesionalë, ndërsa gjithsesi kemi pranuar edhe ndihmë të ofruar nga ekspertët gjerman të forenzikës dhe hetues të cilët ishin këtu dhe kanë kryer hetimin e tyre dhe i presim raportet për punën e tyre këtu”, shtoi kryeministri.

Më 8 shtator është djegur spitali modular për kovid në Tetovë. Nga zjarri kanë humbur jetën 14 persona. Të vdekurit kanë qenë në moshë prej 29 deri në 78-vjeç, ndërkaq në mesin e tyre kishte edhe 2 familjarë të pacientëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button