20 vite pas…

20 vjet më parë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e ndryshoi juridikisht dhe esnecialisht karakterin e shtetit në të cilin jetojmë. Arritja e kësaj marrëveshje dhe zbatimi i saj në vitet që vijuan paraqet një proces esencialisht të rëndësishëm jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por për rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Dhe kur flasim në aspekt rajonal për marrëveshjet paqësore të negociuara në atë periudhë para më shumë se dy dekadash, është vetëm Marrëveshja e Ohrit ajo që dallohet si marrëveshje që ka kontribuar që një shtet të bëhet më i fuqishëm, më i bashkuar dhe me më pak ndasi.

Paraprakisht, në vitin 1995 u nënshkruajt Marrëveshja Paqësore e Dejtonit me të cilën përfundoi lufta më e përgjakshme në historinë e re të Evropës e cila kulminoi me Gjenocidin në Srebrenicë dhe me humbjen e jetës së qindra mijëra personave në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo marrëveshje në një fare mënyre e legjitimoi pastrimin etnik përmes krijimit të dy entiteteve shtetërore, Federatës dhe Republikës Serbe. Ishte marrëveshje që ndau më shumë se sa bashkoi, e që la një shije të hidhur tek qytetarët e përvuajtur dhe të traumatizuar nga një konflikt i përgjakshëm.

Tri vite më vonë, në vitin 1998 u bënë tentativa për arritjen e Marrëveshjes së Rambujesë lidhur me luftën në Kosovë. Kjo marrëveshje e nenshkruar nga pala shqiptare, SHBA dhe Britania e madhe nuk u nënshkruajt nga pala serbe dhe nga Rusia, gjë që ishte edhe arsyeja kryesore për intervenimin e NATOs në vitin 1999 dhe krijimin e Shtetit të pavarur të Kosovës.

Pas një marrëveshjeje që legjitimoi ndasitë, dhe pas një tentative të dështuar, në vitin 2001 arritja dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit padyshim që ishte një sukses shumë domethënës. Teksti kryesor i marrëveshjes dhe anekset e saj dëshmojnë për një pjekuri të dukshme në procesin e negociimit dhe një kujdes të veçantë që kjo marrëveshje të jetë gjithëpërfshirëse dhe fitimprurëse për të gjitha palët e involvuara si dhe për palët tjera të cilat në mënyrë indirekte përfituan prej saj. Që në start, kjo marrëveshje ishte një marrëveshje që bashkon, një marrëveshje që avanson të drejtat e një popullate të disikriminuar së bashku me të drejtat e të diskriminuarve tjerë. Që në fillim, kjo marrëveshje bëri të qartë që qëllimi nuk është të krijohen ndasi të reja, as njësi federale në një shtet minor dhe të parëndësishëm. Që në fillim, kjo marrëveshje theksoi që nuk ka zgjidhje territorial për problemet etnike.

Marrëveshja e Ohrit kontribuoi në mënyrë direkte që shqiptarët por në krah të tyre edhe komunitetet tjera jo-shumicë, ta ndjejnë Maqedoninë e Veriut si shtet të vetin. Narrativi që Kushtetuta e vitit 1991 kishte imponuar ishte se vetëm maqedonasit etnikë janë zotër të këtij vendi, ndërsa të tjerët janë qiraxhinj. Marrëveshja e Ohrit i dha fund këtij realiteti dhe krijoi një realitet të ri, në të cilin qeveria dhe ministritë ishin po aq shqiptare, në të cilin policia dhe armata ishin po aq shqiptare, realitet në të cilin simbolet kombëtare dhe kultivimi i identitetit kombëtar nuk ishte tabu, realitet në të cilin për të studiuar në arsim të lartë në gjuhë shqipe nuk duhej të vriten njerëz e të humben jetë. Nga perspektiva e sotme këto mund t’u duken gjëra të vogla gjeneratave të reja të cilat nuk e kanë përjetuar realitetin e viteve 1990 në këtë shtet, por në fakt ishte pikërisht kjo marrëveshje që mundësoi që këto tema sot të jenë të tejkaluara dhe shumëkujt ti duken bile demode.

Njëri prej kontributeve kryesore të kësaj marrëveshje të rendësishme është pikërisht ndryshimi i mendësisë të paktën tek një pjesë e rendësishme e qytetarëve progresivë të vendit të cilët e kuptuan që e vetmja mënyrë e funksionimit të mirëfilltë të shtetit është kur aty ka harmoni mes komuniteteve që jetojnë dhe ku diversiteti shihet si vlerë dhe jo si hendikep. Frika nga kjo marrëveshje ishte shumë e madhe, kishte shumë njerëz të zakonshëm por edhe “intelektualë” të lartë të cilët frikësoheshin se kjo marrëveshje është fundi i këtij sheti unitar dhe hapi i parë drejt shpërbërjes së tij. Përkundër kësaj frike, shteti u bë më i forte dhe më i qëndrueshëm, me një perspektivë shumë më të ndritur se sa për shembull Bosnja dhe Hercegovina ku fitoi opsioni i ndarjes etnike të vendit përpara shtetit qytetar. Por frika vazhdon të mbizotërojë edhe sot e kësaj dite, 20 vite pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, dhe del në sipërfaqe sa here që aktualizohet ndonjë temë etnike. Mjafton të na kujtohet histeria lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe debatet e ashpra të viteve të fundit lidhur me këtë ligj.

Dhe kur jemi te Ligji për përdorimin e gjuhëve por edhe te çështjet tjera që lidhen me marrëveshjen e Ohrit. Është shumë me rendësi të kuptohet që kjo marrëveshje është kornizë e të drejtave kolektive që synojnë krijimin e një shoqërie të barabartë ku të gjitha komunitetet janë të përfaqësuara dhe vendimmarëse, ku diversiteti funksionon dhe ku etnitetet nuk janë të margjinalizuara por janë pjesë e rëndësishme e politikbërjes së shtetit. Korniza përcakton të drejtat minimale por nuk jep kufi për zhvillimin e këtyre të drejtave. Në këtë drejtim, Marrëveshka e Ohrit është një burim i pashtershëm për të gjithë ata politikbërës që duan dhe janë të interesuar të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie të barabartë. Kjo marrëveshje e përcakton kornizën minimale, por për të krijuar praktika të mira të udhëheqsjes dhe bashkëpunimit, vetëm qielli është kufiri. Kjo qasje është e dukshme edhe tek mendimi i Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Edhe pse e kritikon ligjin në aspekte të caktuara të mundësive për zbatimin e tij, ky Komision me të drejtë thekson që në raste të caktuara ky ligj i avanson më tepër të drejtat gjuhësore të komuniteteve në krahasim me Kushtetutën ose Marrëveshjen e Ohrit, dhe këtë e sheh si diçka pozitive, si një vullnet të mirë të shtetit për të avansuar këtë të drejtë kolektive dhe jo si diçka kundërkushtetuese. Kjo është logjika perëndimore e trajtimit të të drejtave të njeriut ku përfshihen edhe të drejtat kolektive, përmes vendosjes së standardeve minimale që duhet të respektohen e jo përmes vendosjes së limiteve deri ku këto të drejta guxojnë të avansohen.

Prandaj Marrëveshja e Ohrit do të mbetet gjithmonë aktuale sepse avansimi i të drejtave të njeriut nuk është një proces që përmbyllet një ditë dhe te i cili nuk duhet të punojmë më. Kjo marrëveshje edhe gjatë kohë do të vazhdojë ta bëjë këtë shtet një vend më të mire, një vend që u përket të gjithëve, një vend ku ndryshimet shihen si përparësi dhe jo si mangësi, një vend që herët a vonë do të përballet me frikën dhe do të dalë më i fuqishëm nga kjo përballje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button