Shumë premtime por asnjë zgjidhje reale për deponinë ilegale në Strugë

Asnjë zgjidhje për deponinë e egër në Strugë. Me vite të tëra, deponia e cila ndodhet pak kilometra afër qytetit, është njolla e zezë e qytetit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Ramiz Merko kryetar aktual i Komunës së Strugës, premtoi se do e zgjidh problemin me deponinë duke ndërtuar një deponi rajonale për komunat jug-perëndimore të vendit. Megjithatë realiteti flet ndryshe, deponi rajonale nuk është ndërtuar ndërkohë mbeturinat vazhdojnë të grumbullohen në lokacionin e njëjtë, shkruan Portalb.mk.

Në Strugë vazhdon të jetë aktive deponia ilegale dhe pse mbyllja apo zhvendosja e deponisë ishte një nga premtimet kryesore të kryetarit të Strugës Ramiz Merko. Në programin zgjedhor “Për Komunën që duam” në zgjedhjet lokale të vitit 2017, Merko premton: Ndërtimin e deponisë rajonale për 9 (nëntë) komunat jug-perëndimore.

Me 14 korrik të vitit 2017, Ramiz Merko, kryetari i tanishëm i Strugës, atëherë ministër pa resor, i pyetur prej mediumeve për zgjidhjen e problemit me deponinë, deklaroi:

“Ne kemi ndihmë edhe prej Qeverisë së tanishme, me çka që para një jave filluam me tenderin për prokurim të makinave për shtypje, me të cilat janë paraparë edhe katër kontejner me të cilët do të ngarkohen mbeturinat dhe të njëjtat do të transportohen në Drislla në Shkup. Për transport janë siguruar mjete dhe besoj se deri në maj do të kemi vend grumbullimi ku do të ngarkohen”.

Pas fitores në zgjedhjet lokale, me 19.12.2017 i pyetur nga “Portalb” për premtimet në mandatin e tij, në lidhje me deponinë si kryetar i Komunës së Strugës deklaroi:

“Një ndër problemet më kryesore që kishte kjo komunë në periudhën e fundit ishte deponia e saj, e cila mori flake dhe shkaktoi shqetësim, brengosje dhe hidhërim te banorët. Ndotja e ajrit nga djegia e deponisë shkaktoi revoltë te banorët të cilët ngritën zërin në mënyrë të ndryshme duke kërkuar përgjegjësi komunale dhe zgjidhje të menjëhershme të problemit”.

Zgjidhjen e problemit me deponinë ilegale Ramiz Merko e përmend edhe gjatë një interviste për Vërtetmatësi.mk në vitin 2018.

“Bëmë një tenderim për krijimin e një punkti për grumbullimin dhe ngarkimin e mbeturinave të cilat mandej do të përcillen për në Drislla. Ne tani kemi bërë një pikë ngarkimi dhe rregullimi të deponisë aktuale. Çdo gjë që do të grumbullohet sot e tutje do të përcillet në vend tjetër”, deklaroi Ramiz Merko. (Minuta 3)

Deponi rajonale për rajonin jug-perëndimor (ku përfshihet Struga) nuk është ndërtuar. Aktivistët thonë se përveç fjalëve në realitet nuk ka asnjë iniciativë për ndërtimin e depoisë rajonale ndërkohë ambientlistët ngrenë shqetësimin se deponia e egër përveç se helmon ajrin që thithin qytetarët dëmton dhe tokën pjellore në këtë rajon.

“Deponia e Strugës nuk i plotëson standardet, në fakt është ilegale. E njëjta ndodhet shumë afër lagjeve të banuara, në tokë pjellore dhe në pellgun e lumit Drim i Zi dhe liqenin e Ohrit. Deponia nuk plotëson asnjë kusht të përcaktuar nga ligji”, deklaroi Gligor Qato nga iniciativa “Mjaftë”.

Nga ana tjetër nuk është bërë asgjë as për transferimin e mbeturinave në një tjetër lokacion, përderisa çdo ditë në deponinë e ilegale të Strugës hidhen rreth 10-15 ton mbeturina të ndryshme. Para 3 vitesh në Strugë është ndërtuar një stacion transferimi ku duhej që mbeturinat të shtypen dhe selektohen dhe më pas të transportohen jashtë këtij rajoni, megjithatë tashmë 3 vite ky stacion nuk funksionon edhe pse u harxhuan rreth 340 mijë euro.

Premtime të reja për ndërtimin e deponisë rajonale

Deponia ilegale në Strugë me vite të tëra ka ndotur ajrin, megjithatë problemi u bë më alarmant kur në prill të vitit 2017 kur iu dha flaka mbeturinave, duke përhapur tym dhe helmuar qytetarët. Qeveria e Maqedonisë në fund të korrikut të vitit 2017 solli vendim që në bashkëpunim me autoritet komunale të zgjidhet problemi për afat të shkurtër. Sipas vendimit, Qeveria ka siguruar 200.000 euro, të cilat para janë të destinuara për shtypjen e mbeturinave, ndërkaq komuna obligohet të blejë kamion me kosto prej 30.000 eurove që të njëjtat t’i transferojë në deponinë “Drislla” e cila ndodhet në Shkup. Të gjitha këto vendime dhe premtime mbetën vetëm në letër në terren asnjë herë nuk u bë një hap konkret për ti dhënë fund helmimit të qytetarëve. Pra, as nuk u bë transferimi i mbeturinave nga Struga në Shkup, si zgjidhje e përkohshme e problemit, e as nuk u ndërtua deponi rajonole.

Sipas premtimeve të reja nga Qeveria, deponia rajonale për rajonin planor Jugperëndimor dhe të Pellagonisë, e cila duhet të vendoset në komunën Novaci në Manastir, pritet të fillojë ndërtimin në gjysmën e dytë të vitit 2022. Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim miraton kredinë, për të cilën qeveria ka aplikuar tashmë, thonë nga Ministria e Mjedisit.

“Ne kërkojmë hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH për të pesë rajonet planore në shumë totale prej 55 milion euro. 22 milion prej tyre janë të destinuara për deponinë rajonale për rajonin Jugperëndimor dhe të Pellagonisë”, thanë nga Ministria e Mjedisit Jetësor për Televizionin Alsat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button