‘E Majta’ ngriti padi penale kundër kryeparlamentarit Xhaferi për “keqpërdorim të flamurit evropian” gjatë miratimit të ligjit për shtetësinë

Partia e E Majta, në Prokurorinë Themelore Publike – Shkup, ka ngritur padi penale kundër Kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, për shkak të siç thonë ata dyshimit të arsyeshëm për veprën penale “Keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, transmeton Portalb.mk.

“I denoncuari akuzohet se – në cilësinë zyrtarit të autorizuar, si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë – më 22 korrik 2021, pa e kthyer ligjin për përfundim dhe rregullim të nevojshëm, dhe pas marrëveshjes dhe koordinimit paraprak me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, në mënyrë ilegale e lëshoi në procedurë parlamentare me “flamur evropian”, pra në procedurë të shpejtë dhe të plotë legjislative, Projektligji i diskutueshëm për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë e Republikës së Maqedonisë – me procedurë të shkurtuar, me të cilin deputetëve u shkaktoi dëmtim të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, përmes uzurpimit të së drejtës subjektive të pacenueshme parlamentare për të folur dhe de facto paaftësimit të së drejtës për të propozuar ndryshime nga përfaqësuesit e zgjedhur në Parlamentin e Maqedonisë”, thuhet në njoftimin e partisë E majta.

Nga kjo parti presin që Prokuroria Publike kompetente – Shkup, të marrë seriozisht këtë akuzë të, siç thonë, bazuar dhe pas marrjes në pyetje të të pandehurit, si dhe “përfundimit të të gjithë dokumentacionit përkatës për këtë ngjarje kriminale, të ngrejë akuza kundër kryetarit aktual të Kuvendit, me çka do t’i jepte fund një herë e përgjithmonë abuzimit në rritje të “flamurit evropian” për kontrabandimin e ligjeve të dëmshme në parlament”.

“E Majta” ka paditur edhe më herët kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se Xhaferi ua kishte kthyer mbrapsht kërkesën për interpelancë ndaj tij, me arsyetimin se në kërkesë nuk shkruhej emri kushtetues i vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button