Ende ka disa zjarre aktive në rajonet e Shkupit, Strumicës, Kumanovës, Ohrit, Manastirit dhe Shtipit
Sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK) deri dje në orën 18:00 në territorin e vendit ishin aktiv disa zjarre në Shkup, Strumicë, Kumanovë, Ohër, Manastir dhe rajonin e Shtipit, transmeton Portalb.mk.
Zjarri që shpërtheu dje pasdite në zonën kufitare mes lokalitetit Milci dhe pikës kufitare “Bogorodica” u lokalizua dhe u vu nën kontroll nga zjarrfikësit nga Gjevgjelia dhe punonjësit e NP “Komunalec”, të cilët me ndihmën e helikopterëve ushtarakë arritën të zbusin flakët dhe shpëtojnë nga rreziku më i madh objektet drejt pikës kufitare “Bogorodica”.
Pika kufitare “Bogorodica” është hapur sërish për trafik pas orës 20:00 të ditës së djeshme, kurse paraprakisht automjetet janë ridrejtuar në pikën kufitare “Dojran”.
Sipas QMK, zjarri dogji 20 hektarë bar të thatë dhe pyll me pisha.
Zjarri në lokalitetin Bejaz Tepe pranë fshatit Nov Istevnik në rajonin Dellçevë-Pehcevë është vënë nën kontroll lidhur me rrezikun e zjarrit në shtëpitëpranë lagjes Pasjak. Për këtë, mbërëmë informoi kryetari i Dellçevës Goran Trajkovski, i cili ishte i pranishëm në terren për më shumë se 20 orë dhe i koordinonte punët.
Drejtori i QMK, Stojançe Angelov, dje në një konferencë shtypi tha se nevojitet reformë e thellë e të gjithë sistemit të menaxhimit të krizës. Pajisjet, thotë ai, janë të vjetruara në njësitë zjarrfikëse.
Sipas QMK, nuk ka nevojë të shpallet gjendje krize në pjesë të caktuara të vendit, por situata po monitorohet dhe nëse ka nevojë, do të shpallet menjëherë gjendje krize.
Dje, Serbia dërgoi katër helikopterë për shuarjen e zjarrit. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski së bashku me homologun e tij serb Aleksandar Vulin inspektuan situatën pas zjarrit në Staro Nagoriçan, ku zjarri është lokalizuar, por, siç tha Spasovski, për shkak të specifikave të terrenit dhe kushteve të motit kërkon drejtimin e një pjese të mirë të objekteve për të shmangur rrezikun e ripërpapjes së tij.
Pjesëtarët e armatës janë aktivë në pikat më kritike në luftimin e zjarreve. Helikopterët e aviacionit WING, të cilët dje ishin angazhuar në shuarjen dhe lokalizimin e zjarrit në zonën e Staro Nagoriçan ku hodhën më shumë se 50 tonë ujë, nga orët e hershme të mëngjesit janë angazhuar në zjarrin në Koçan, informoi Ministria e Mbrojtjes.
“Dy helikopterë po marrin pjesë vazhdimisht në shuarjen e zjarrit dhe vënien e tij nën kontroll, kurse një helikopter është në gatishmëri të plotë për angazhim. Njëkohësisht, në kazerma në gatishmëri të plotë për angazhim janë vendosur edhe një mijë anëtarë të tjerë të Ushtrisë, të cilët në rast nevoje do të angazhohen në të njëjtën kohë”, theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes.
Në bisedat telefonike midis Presidentit Stevo Pendarovski dhe homologut të tij bullgar Rumen Radev, si dhe midis kryeministrave të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Stefan Janev, Sofja shprehu gatishmërinë për të ndihmuar në përballjen me zjarret në vend.
Për tu përfshirë shpëtuesit bullgarë dhe ushtria, qeveritë e të dy vendeve duhet të merren vesh për përfshirjen e pajisjeve bullgare të zjarrfikësve për të ndihmuar në kontrollin e situatës në Koçan, tha kabineti i Radevit në një deklaratë. Radevi tha se situata me zjarret edhe në Bullgari është e ndërlikuar, por shprehu gatishmërinë që Sofja të ofrojë ndihmë.
Kryeministri bullgar, në një bisedë me Zaevin, shprehu gatishmërinë, nëse është e nevojshme, që Sofja të mbështesë Maqedoninë në përballimin e zjarreve. Janev i tha Zaevit se në disa pjesë të Bullgarisë shërbimet e zjarrit po luftojnë gjithashtu me zjarret. Kontrollimi i situatës së zjarreve në Bullgari është prioritet, thuhet në njoftimin e qeverisë bullgare.
Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski kërkoi përgjegjësi nga qeveria për zjarret që shpërthyen në disa lokacione në vend.
“Nga qeveria tashmë askush nuk kërkon përgjigje, prej tyre kërkojmë vetëm përgjegjësi. Paaftësi e mjerueshme!”, shkroi Mickoski në profilin e tij në Facebook.
Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Dimçe Arsovski dje tha se shërbimi ligjor i partisë do të ngrejë padi penale kundër qeverisë për mos parandalimin e zjarrit në Koçan në kohën e duhur, me kërkesë për përgjegjësi dhe dorëheqje të menjëherëshme.
“Siç thamë dje se do të ndihmojmë qytetarët, aq sa mundemi brenda kapaciteteve qytetare që kemi. Kurse sot, në vend të përgjigjeve nga qeveria, do të kërkojmë përgjegjësi”, tha Arsovski.
- LEXO: Zjarret në RMV, Angellov: Nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së krizës
- LEXO: RMV, prej sot hyn në fuqi ndalesa e plotë për lëvizje në zonat pyjore
- LEXO: Situata me zjarrin në Koçan kritike, janë djegur disa shtëpi, Pendarovski: Bullgaria do të dërgojë njësi të zjarrfikësve
- LEXO: Zjarri në Koçan është lokalizuar, shërbimet zjarrfikëse do të mbeten në terren – Qeveria thirrje për kujdes
- LEXO: Zaev: Zjarri në Koçan është lokalizuar
- LEXO: Situata me zjarrin në Koçan kritike, janë djegur disa shtëpi, Pendarovski: Bullgaria do të dërgojë njësi të zjarrfikësve