Zjarri në Koçan është lokalizuar, shërbimet zjarrfikëse do të mbeten në terren – Qeveria thirrje për kujdes
Zjarri në Koçan gjatë natës është lokalizuar dhe është vënë nën kontroll. Në disa vende pranë fshatit Tërkanje, tymi nga zjarri që ka kapluar një pjesë pyjore dhe bimësi të ulët me diametër prej dhjetë kilometrash mund të shihej edhe sot në mëngjes, transmeton Portalb.mk.
Rreth 500 pjesëtarë të njësive territoriale të zjarrfikësve nga disa qytete të vendit, nga Ushtria dhe popullata vendase mbrëmë morën pjesë në shuarjen e zjarrit. Në 24 orët e fundit, zjarri rrezikonte seriozisht vendbanimet në anën perëndimore të qytetit, një numër të madh të objekteve prodhuese në zonën e Industrisë së lehtë, depo me lëndë djegëse dhe gaz të lëngshëm, si dhe zona bujqësore me vreshta dhe plantacione të tjera .
“Pas turit që bëmë këtë mëngjes në vendet që u prekën nga zjarri përreth Koçanit dhe Tërkanjës, arritëm në përfundimin se nuk ka rrezik që të përhapet përsëri, por zjarrfikësit do të mbeten në terren që të kontrollojnë situatën. Tani do t’i japim përparësi shuarjes së zjarrit në zonën e fshatrave malorë Kostin Doll dhe Novosellan, ku po digjet një pyll lisi në disa dhjetëra hektarë. Pa mbështetje ajrore, është e pamundur të ndërhyhet atje, për shkak të së cilës helikopterët e Ushtrisë tashmë kanë dalë në terren. Dua të falënderoj të gjithë qytetarët, veçanërisht të rinjtë nga Koçani, të cilët mbrëmë ishin solidarë dhe ndihmuan masivisht për të parandaluar një katastrofë rreth qytetit”, tha kryetari i Koçanit, NikolLço Iliev.
Gjatë ditës, do të fillojë inspektimi i gjendjes së shtëpive dhe ndërtesave të tjera që janë prekur nga zjarri në Koçan, me qëllim që komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve të mund të përgatisë raport.
Ndërkohë Qeveria u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos lëvizin nëpër zonat pyjore në vend, në mënyrë që të mbrojnë sigurinë personale dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Zjarre dje janë raportuar edhe në Staro Nagoripane, Makedonski Brod dhe Vallandovë. Edhe aty zjarret deri dje nuk ishin vënë në kontroll për shkak të erës e cila fryn çdo ditë dhe të temperaturave të larta.