Obligimi qytetar

Duke e parë atmosferën e përgjithshme gjatë ditëve të fundit, evenimentet e ndryshme që organizohen, dasmat, manifestimet, gëzimet, pushimet, udhëtimet e të gjitha gjërat tjera që sikur kishin mbetur pas vitin që shkoi, ne mund të mendojmë që pandemia Covid-19 i përket së kaluarës. Por nuk është ashtu. Bota përballet me numra të ritur të të infektuarve me mutacione të ndryshme të këtij virusi, dhe shumë vende shënojnë rritje të sërishme të këtyre numrave, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për valën e ardhsme të pandemisë që pritet të sulmojë së shpejti, ndoshta në gusht, ndoshta në shtator, ndoshta më vonë, e ndoshta edhe tani. Një vit më herët, kur valë të reja të sëmundjes paralajmëroheshin nga ekspertët, frika ishte ende më e madhe për shkak të mungesës së vaksinave dhe pasigurisë kur prisnim të kishim qasje tek ato. Tani, një vit e gjysmë pas shpërthimit të pandemisë, rreziku është i menaxhueshëm, sepse vaksina eksiston dhe është e qasshme. Tani i vetmi armik që na kanoset është skepticizmi ndaj vaksinës dhe ndaj njohurive shkencore në përgjithësi. Tani jemi më të rrezikuar nga mungesa e arsyes dhe përhapja e frikës se sa nga realiteti i sëmundjes eksistuese. Tani përfundimisht, është injoranca ajo që kërcënohet të na vrasë. Le të mos lejojmë të vdesim nga injoranca duke përbuzur shkencën.

Unë kam pasur fatkeqësinë që të përballem personalisht me këtë sëmundje. Kam pësuar humbje të mëdha të njerëzve të dashur. Kam humbur më të dashurën, nënën time, si pasojë e kësaj sëmundjeje. Nuk do ta harroj asnjëherë atë muaj shtatori të vitit të kaluar kur bota ime papritur u përmbys. Unë kam mbijetuar, si edhe shumë të tjerë, por pasojat e atyre humbjeve të përjetuara i ndjej ende, edhe atë shumë fuqishëm.

Duke pasur kujtime shumë të freskëta nga ajo golgotë e përjetuar në shtator, në momentin e parë që mu dha mundësia, nuk pata asnjë hezitim për t’u vaksinuar. Shkova mora vaksinën, atë që jepej atë ditë kur më ishte caktuar termini, pa zgjedhur kompaninë prodhuese, pa zgjedhur terminin, pa pasur asnjë kërkesë shtesë. Nuk pata asnjë hezitim bile u gëzova shumë për këtë mundësi të shumëpritur. Do të dëshiroja që këtë mundësi ta kishte edhe nëna ime një vit më parë, ndoshta do të ishte ende këtu me ne, ndoshta do ta kishte mbijetuar këtë sëmundje që ia mori jetën. Por ka shumë nëna tjera që mund të shpëtojnë tani, në këtë moment, vetëm me një veprim të thjeshtë, shprehjen e vullnetit për t’u vaksinuar.

Deri sa dikush mendohet lidhur me atë se a duhet të vaksinohet, cilën vaksinë ta marë, dhe çfarë pasojash do të ketë, unë jam e lumtur që i kam pranuar të dy dozat, dhe po qe se ka nevojë, jam e gatshme të pranoj edhe një dozë të tretë, nëse këtë do ta rekomandonin mjekët. Vaksinimi është mbrojtje që ia kemi borxh vetvetes, fëmijëve tanë, prindërve tanë, të afërmve tanë. Vaksinimi është obligim qytetar të cilin duhet ta përmbushim të gjithë, veçanërisht tani, që vaksinat janë kaq të qasshme, tani që ka filluar edhe vaksinimi në teren, duke përfshirë edhe zonat më të largëta të shtetit.

E di që shumë njerëz frikësohen nga pasojat e vaksinimit, të njejtat i kam ndjerë edhe unë. Dozën e parë e kam përjetuar shumë lehtë. Pas dozës së dytë kam pasur pak më shumë reagim, në formë të lodhjes, kokëdhimbjes, dhe etheve të lehta. Ishin të njëjtat simptome që i kam ndjerë në fillim, kur rezultova positive me Covid-19 vitin e kaluar. Por simptomet e vaksinës kaluan brenda një nate, ndërsa me Covidin u mora muaj të tërë dhe përjetova humbje të mëdha. Nuk është e njëjta gjë të kesh kokëdhimbje për një natë përkundër javëve të tëra kur koka duket sikur do të të pëlcasë nga dhimbjet. Nuk është njësoj, dhe ata që e kanë përjetuar e dinë. Më mirë t’i ndjeni simptomet e vaksinës për një, dy apo tri netë, se sa të mereni me sëmundjen me javë të tëra dhe të përfundoni në respirator.

Zgjedhja është e secilit prej nesh, dhe vaksinimi është vullnetar, por pasojat e veprimeve tona i ndjejmë të gjithë. Le të mos lejojmë injoranca të na vrasë, kur shpëtimi ndodhet në duart tona.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button