Ahengjet, shkaku i rritjes së rasteve në Tetovë, autoritetet bëjnë thirrje që të infektuarit të japin të dhëna të sakta

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 18 raste me KOVID-19 nga 2.798 të testuar, 7 pacientë janë shëruar, ndërkaq nuk ka persona të vdekur. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 155.840, të shëruarve 150.146, të vdekurve 5.487, ndërkaq për momentin ka 207 raste aktive. Shkupi dhe Tetova dominojnë si me rastet e reja në 24 orët e fundit, njofton Portalb.mk.

Ministria e Shëndetësisë dje kumtoi se pas rritjes së përqindjes së të infektuarve në Tetovë dhe rajonin e Tetovës, Komisioni për Sëmundje Infektive e ndjek gjendjen epidemiologjike në atë qytet dhe është në komunikim me Qendrën për Shëndet Publik Tetovë, ku po bëhen analizat e rasteve.

“Sipas informatave të para, numri i rasteve të reja vjen nga dy klasterë të njohur. Njëri është nga një dasmë, ndërkaq i dyti është nga një festë më e vogël familjare. Ajo që shqetëson dhe me atë që janë përballur punëtorët shëndetësor është që disa prej pacientëve që janë pozitiv në kovid nuk kanë dhënë informata dhe të dhëna të sakta për kontaktet, me të cilat do të pengohej krijimi i klasterëve të rinj rreth dy ekzistuesve”, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ata apelojnë deri te qytetarët që të bashkëpunojnë me epidemiologët, refuzimi i bashkëpunimit nga ana e pacientëve, krijon pengesa në zbatimin e anketave epidemiologjike, a ajo mund të sjellë deri te rritja e numrit të infektuarve.

“Tani për tani gëzon fakti që prej 65 rasteve aktive në Tetovë, vetëm 12 janë me simptoma dhe nuk ka të hospitalizuar në kovid – qendrën e Spitalit Klinik të Tetovës. Edhe përskaj gjendjes së qetë epidemiologjike në vend, duhet që çdokush prej nesh, pa përjashtime, të jetë i kujdesshëm dhe t’i respektojë protokollet dhe masat për mbrojtje të shëndetit. Mbajtja e higjienës së duarve, mbajtje të distancës, mbajtja e maskës duhet të jetë përgjegjësi personale e çdonjërit prej nesh”, theksojnë nga Ministria.

Autoritetet edhe njëherë e theksojnë rëndësinë e vaksinimit dhe thonë se sa më shumë njerëz të vaksinohen, aq më shpejtë do të krijohet imuniteti kolektiv dhe ajo është kyçe që të largohet epidemia.

Procesi i vaksinimit në terren, po zhvillohet në tërë shtetin, me rotacione të ekipeve mjekësore në çdo fshat, vend rural, lagje. Interesi për vaksinimin pa termin është i madh. Me dozën e parë dhe termin të caktuar të gjithë qytetarët mund të vaksinohen në pikat dhe shtëpitë e shëndetit në shtet. Ueb-faqja vakcinacija.mk është e hapur për të gjithë prindërit që duan t’i vaksinojnë fëmijët e tyre prej 12 deri në 16-vjeç.

Ministri Venko Filipçe ka deklaruar paraprakisht se situata në lidhje me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi është stabile dhe nuk ka nevojë për masa shtesë restriktive për mbrojtje. Sipas tij, vaksinimi duhet të jetë fokusi dhe jo të jetojmë në restriksione.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button