KUR IMITOHET KEQ NOLI

Më 10 shtator të vitit 1924 Fan S. Noli mbajti në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve fjalimin e tij të njohur në mbrojtje të çështjes shqiptare. I hidhëruar për shkak të mosdhënies së një huaje që do ta ndihmonte mëkëmbjen e Shqipërisë së katandisur gjithanshëm, Noli, mes tjerash tha: Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre viteve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë: Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble?  Oh! Më mirë luftë se sa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen! Ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit? Ç’të bëjmë ne tani në këtë Asamble? Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: Fjalë, fjalë, fjalë, dmth erë e asgjë më tepër…

Ky fjalim bëri bujë dhe mediet e mëdha botërore e quajtën bombë  që i la gojëhapur delegatët e Lidhjes. Natyrisht, fjalimin e vlerësuan dhe mediet shqiptare të kohës, po jo dhe miku i tij Faik Konica, të cilit iu duk i paekuilibruar dhe iritues për diplomatët e fuqive të kohës, në duart e të cilëve ishte fati i shteteve dhe etnive të vogla si puna e Shqipërisë. Sipas tij: Fjala e Nolit ishte e pëlqyer për Rusinë bolshevike, po shumë e dëmshme për Shqipërinë…

103 vjet më pas, në Forumin e Prespës, të mbajtur në Ohër më 2 korrik 2021, në të cilin morën pjesë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama, zhegitjen e  sërishme të hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga ana e BE, e bëri pretekst të kërkimit të alternativës evropiane tek minishengeni i Vuçiqit. Me këtë rast, ai ndryshe nga kolegët e tij dhe pa taktin e nevojshëm diplomatik, tha: Vendet e Ballkanit janë të vogla dhe të pafuqishme nëse janë të ndara, mirëpo mund të jenë të mëdha dhe të fuqishme nëse bashkëpunojnë… Përse duhet ta presim BE-në që të kemi treg të lirë ndërrajonal, pse duhet ta presim BE-në që t’ua mundësojmë qytetarëve lëvizjen e lirë me letërnjoftim… Europa nuk mund të na thotë më çfarë bëjmë në këtë rajon…

Për të qenë ironia edhe më e madhe, kryeministri Rama zëvendësimin e Evropës me rengun e ri serb e konsideron fatlum për vendet e Ballkanit Perëndimor, pa iu bërë vonë për Republikën e Kosovës, e cila nuk mund të pajtohet assesi me ringjalljen e projekteve serbomëdha të federatave ballkanike. Për Edi Ramën: Problemet që i mbajnë të lidhura Kosovën e Serbinë nuk duhet t’i mbajnë peng shtetet e tjera…

Kjo qe arsyeja përse diplomati dhe ish-ambasadori i njohur Shaban Murati fjalën e kryeministrit shqiptar e quajti:  shpërthim rural inati, projekt serbo-rus që e dëmton rëndë Shqipërinë në planin diplomatik, fjalim antidemokratik, që e izolon Shqipërinë dhe që kërkon divorcin e saj me Evropën. Fjalën e Ramës, Shaban Murati e ndërlidh me fjalën e presidentit aktual serb, të mbajtur në samitin e Novi Sadit më 10 tetor të vitit 2019, ku lindi ideja e minishengenit ballkanik, në të cilin Vuçiqi tha: Jam i lumtur që ne filluam të kemi kujdes për veten tonë dhe që në nuk kemi nevojë për tutor.

Kaq duhet të mjaftojë për ta kuptuar blofin e Ramës, që më kot u përpoq të imitojë Nolin, në një rreth kryeministrash milionerë (hiq Albin Kurtin) dhe në një kontekst krejtësisht të ndryshëm e pa asnjë lidhje me fjalimin e diplomatit, shkrimtarit e poetit të madh shqiptar, që qe i gatshëm të flijojë çdo mirëqenie për Shqipërinë, jo si disa politikanë të sotëm mercenarë që shesin copëza Atdheu për mirëqenien e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button