Debat, debat, ditë e natë

Pasi në ditët e kaluara kishte mjaft tema të cilat u debatuan në opinion, nuk mund që edhe një herë të mos u kthehemi disave prej tyre për ti shkoqitur. Shkoqitja dhe shtjellimi janë fjalët më të sakta dhe veprimet më të duhura për lëmshin e madh të temave që mbizotërojnë debatet në opinionin e këtushëm. Kjo sidomos pasi asnjëra nga temat e shumta nuk arrin që të artikulohet në sasi, cilësi ose nivelin e duhur për të qartësuar diçka me rëndësi në atë temë për opinionin publik.

Sigurisht që as unë dhe as këtu nuk mund të shtjelloj krejt ato që u përmendën nëpër debatet, e nisura e të pabitisura, por dëshiroj të kontribuoj për sqarimin e arsyeve se pse ndodh kështu. Pse është: debat, debat, ditë e natë e prapë çështjet mbeten në të thatë?!

E para ka të bëjë me inkuadrimin në debat, gjegjësisht me mosinkuadrimin a atyre që dinë dhe përfshirjen në debat të turli skriptomanëve dhe analfabetëve që nuk dinë çështjet për të cilat kanë marrë guximin që të shkruajnë. Ashtu shohim se profesorë dhe specialistë për tema të ndryshme zgjedhin heshtjen dhe tërheqjen ndonëse duke marrë parasysh specifikën e temës përkatëse ata do ishin më të thirrurit të cilët do duhej të jepnin mendimin e tyre e me këtë të sqaronin opinionin. Kryesisht nga ky mosinkuadrim mandej mundësohet kyçja në debat e skriptomanëve të cilët janë faktor kyç i degjenerimit të debatit në gjuhë urrejtje dhe kërcimit në temë tjera, të cilat nuk janë çështje e debatit fillestar.

Për identifikimin e këtyre shkrimeve dhe shkruajtësve rol të madh duhet të luajnë mediet. Kalemxhinjtë gjinden lehtë pasi ato i tradhton mosdija dhe jokonzistenca e thellë që kanë prej shkrimi në shkrim si dhe mospërmbushja e kritereve minimale të përfaqësimit të tyre të cilin ata e pretendojnë. Kështu rishtazi u kuptua se njëri prej tyre gjithsej vetëm katër vjet kishte qëndruar në bankat e shkollës fillore kurse një tjetër që gojëplotë pretendon “hoxhallëk” vetëm një gjysëm hoxhë; i nisur i pabitisur. Por mediet do duhej të zgjeronin edhe listën e kontribuesve në opinion duke kontaktuar dhe dhënë mundësi ekspertëve në lëmi të ndryshme që të përfshihen në debat. Ata prej tyre që përkundër kësaj sërish zgjedhin heshtjen do ishte mirë që t’u publikohen emrat. Një pjesë e kombit me dy universitete dhe me kuadro të shumta në lëmi të ndryshme nuk duhej mbetur në kaq numër të pakët të kontribuesve në opinion dhe debat. Sidomos ata prej tyre të cilët tradhtohen se janë ekspertë për lëmin përkatëse vetëm atëherë kur ndihen të thirrur për të shkruar tekste tifozerike për mbrojtje të ndonjë opsioni apo qëndrimi politik. 

Gjëja e dytë që shpesh i mungon debateve tona është fokusi mbi çështjen përkatëse por edhe fokusimi në ato aspekte që kanë të bëjnë me gjendjen tonë. Sidomos pasi ky pafokusim sjell akuzat për defokusim të opinionit që shpesh dinë të mbaron ndonjë debat pa qenë ai i trajtuar mjaftueshëm. Ashtu në një shoqëri do duhej të beheshin edhe prioritetet e debatit pasi assesi nuk shpjegohet që brenga për drunjtë në Taksim të Stambollit të jetë më e madhe dhe prioritare se brenga për drunjtë e Çairit në Shkup?! Ose të mos merremi aspak me qeverinë e dorëhequr të Çekisë kur është përfolur shumë se dy kryefamiljarë të një familjeje sunduese në Maqedoni kanë shumë pasuri dhe biznese të lidhura me atë vend?! Nga ana tjetër po ashtu është e pakuptueshme që të dimë më shumë për tërheqjet nga vendimet politike dhe urat e parqet e Rexhep Tajip Erdoganit se sa për tunelet dhe zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë. 
Zgjedhje këto që janë me rëndësi të parë për rajonin e që shihet nga rëndësia dhe emrat e vizitorëve nga SHBA-të këto ditë që vijnë ose flasin për këto zgjedhje. Zgjedhjet e Shqipërisë kanë rëndësi të madhe për të mësuar nëse Maqedonia do ketë në rajon një bashkudhëtar për procesin retrograd në euro-integrime apo Shqipëria do bëje zgjedhje normale, me çka do i bashkëngjitet ecjes përpara për në BE të rajonit, ku Kroacia në fund të këtij muaji bëhet anëtare e plotë e BE-së, Kosova dhe Mali zi hapërojnë kurse Serbia bile shpejton. E se ne shkojmë mbrapsht në këtë rrjedhë mjafton fakti se edhe Mc Donald’s-i iku nga Maqedonia që është simbolikë për atë se përveç në euro-integrim ne kemi gjasa serioze për ngecje edhe në globalizim?!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button