Hulumtim: Marrëveshja e Prespës është ende temë e ndjeshme si në vendin tonë ashtu edhe në Greqi              

Tre vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës për të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin midis Maqedonisë e Veriut dhe Greqisë, ajo është ende temë e ndjeshme për shumë qytetarë në të dy vendet, transmeton Portalb.mk.

Këtë e tregon hulumtimi i opinionit publik që e bëri zyra e Fondacionit “Konrad Adenauer” në Greqi dhe Qipro dhe Fondacioni helenik për politikë të jashtme evropiane dhe (ELIAMEP), i realizuar nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” dhe Njësia e hulumtime të opinionit publik pranë Universitetit Maqedonia maj të këtij viti.

“Publiku në të dy vendet mbetet i ndarë në lidhje me perspektivat e Marrëveshjes së Prespës dhe efektet e saj në jetën politike dhe shoqërore në vendet e tyre. Ndërsa shumë qytetarë në të dy vendet i pranojnë përfitimet e zgjidhjes së mosmarrëveshjes për emrin, shumica e popullsisë ka pikëpamje negative në lidhje me Marrëveshjen e Prespës. Shumica e qytetarëve në të dy vendet e njohën rëndësinë e mosmarrëveshjes për emrin dhe pranuan që zgjidhja e tij ishte një kompromis që duhej bërë”, thuhet në këtë hulumtim.

Aty shtohet se zbatimi i Marrëveshjes prek çështje delikate në lidhje me identitetet etnike dhe kombëtare që konsiderohen faktorë kryesorë të pakënaqësisë me Marrëveshjen e Prespës.

“Marrëveshja e arritur gjeneron ende ndarje të konsiderueshme midis publikut maqedonas. Kjo është veçanërisht e dukshme në mesin e qytetarëve etnikë maqedonas të cilët janë thellësisht të ndarë në vlerësimin e tyre të pro dhe kundër të rezultateve të Marrëveshjes së Prespës. Nga pala greke, megjithëse fokusi kryesor është në politikën e jashtme ndaj Turqisë, marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut kanë një peshë të caktuar për opinionin publik. Shumica e grekëve janë kundër idesë për kompromis rreth emrit, por përqindja e atyre që pranojnë zgjidhjen me  kompromis është rritur. Një përqindje e konsiderueshme e publikut në Greqi dhe Maqedoni e  mbështesin idenë se Marrëveshja e Prespës e forcoi paqen dhe stabilitetin në rajon”, shtohet në hulumtim.

Henri Bonet, drejtori i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer në Greqi dhe Qipro, thotë se me Marrëveshjen e Prespës u hoqën barrierat që Maqedonia e Veriut i kishte për të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së dhe se u hoqën sfidat që e kanë tërhequr prapa një brez njerëzish që jetojnë në të dy anët të kufirit.

“Tre vjet më vonë, jo gjithçka është e përsosur, siç tregojnë rezultatet e hulumtimit. “Veçanërisht frustron ajo që Maqedonia e Veriut nuk mund të lëvizë mjaft shpejt drejt Bashkimit Evropian”, tha Bonet.

Drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer në Maqedoninë Veriore, Daniel Braun, tha se Marrëveshja e Prespës është një shembull i mirë se si disa çështje mund të zgjidhen, megjithëse hulumtimet tregojnë se ka ende shqetësime.

“Sot shohim një sfidë tjetër për Maqedoninë e Veriut me një vend tjetër fqinj. Është zhgënjyese që megjithëse u bë Marrëveshja e Prespës për përparim në integrimin evropian, negociatat janë bllokuar përsëri për shkak të problemit me Bullgarinë,” shtoi Braun.

Në Maqedoninë e Veriut, hulumtimi i opinionit publik u krye nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” – Shkup midis 14 dhe 28 maj 2021 në një mostër prej 1,000 të anketuarve, ndërsa në Greqi hulumtimin e realizoi Njësia e institutit për hulumtime të Universitetit Maqedonia në periudhën ndërmjet 18-25 maj 2021 në një mostër prej 1056 të anketuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button