Dita e artit dhe kulturës në Kërçovë (FOTO)

Në kuadër të manifestimit Java kulturore e Kërçovës dje u realizua dita e artit dhe kulturës e cila karakterizohej nga ekspozita e piktorëve të njohur nga Kërçova, këndi i librave me titujt e autorëve nga ky qytet dhe pjesa artistike me recitime nga fëmijët e qytetit dhe të diasporës.

Ekspozita ishte vendosur në Pallatin e kulturës dhe kishte piktura nga tre piktorët më të njohur të Kërçovës si Osman Qerimi, Enver Selimi dhe Vesel Xhaferri, piktor që vepron në diasporë.
“Ekspozita të këtilla Kërçova ka shumë rrallë dhe ne si piktor e kemi të vështirë promovimin tonë në këto rrethana. Në këtë qytet ekziston një koloni e artit figurativ por nën organizimin e piktorëve maqedonas dhe ne ftohemi shumë rrallë të marrim pjesë aty. Ky qytet ka mjaftë piktorë dhe ne duhet të krijojmë një koloni tonën. Unë personalisht kam marrë pjesë në ekspozita të shumta brenda dhe jashtë vendit si në Poloni, Turqi, Bullgari etj.. Kam realizuar shtatë ekspozita personale dhe shtatëmbëdhjetë kolektive. Sot këtu marr pjesë me gjashtëmbëdhjetë piktura, kryesisht të punuara në teknikën e quajtur vaj në pëlhurë ku dominojnë fytyrat eminente të historisë shqiptare si mbretëresha Teuta, Bajram Curri, Shote Galica etj.” – tha Osman Qerimi, piktori i njohur nga Kërçova.

Ndërkaq, këshilltari Ibrahim Koça, njëherë edhe anëtar i Komisionit për shënimin e festave dhe përvjetorëve në Kërçovë, komentoi interesimin e vogël të qytetarëve për të qenë pjesë e këtij organizimi. 

“Kjo është një periudhë e ngarkuar për të gjithë dhe ndoshta kjo është arsyeja që nuk ka shumë interesim për ekspozitën. Ditët në vazhdim kemi një program më të pasur dhe shpresojmë që të kemi më shumë njerëz të interesuar. Ky është viti i parë që bëhet një manifestim i këtillë në Kërçovë dhe me kalimin e viteve për qytetarët do të bëhet një traditë dhe do të kemi më shumë sukses. Gjithsesi, një program kaq i pasur artistik dëshmon për punën e palodhshme të grupit organizativ.” – shtoi Koça.

Këndi i Librit ishtë i mbushur me tituj të shkrimtarëve kërçovarë si Xhelal Ademi, Him Koça, Safet Hyseni etj.

Organizatorë të javës kulturore janë Komuna e Kërçovës, Shoqata Fortesa, SHKA “Jusuf Albani” dhe Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button