Të gjithëdijshmit

Thonë se është i mençur ai që di atë që nuk e di. Por kjo fjalë e urtë nuk kalon lehtë e as nuk gjen shumë mirëkuptim në vendin tonë ku të gjithë dinë gjithçka. Në fakt duhet të jemi të lumtur që jetojmë në një vend me kaq shumë ekspertë të gjithëdijshëm të cilët i kanë përgjigjet absolute dhe përfundimtare për çdo pyetje që na mundon, prej asaj se pse hëna mbrëmë dukej aq e madhe e deri te pasojat e vaksinës të cilën e kemi pranuar.

Kështu “ekspertët e gjithëdijshëm” e dinë më mirë se mjekët se çfarë efektesh anësore shkakton cila vaksinë dhe sa efikase është secila prej tyre. Disa madej e kanë parë me sytë e vet, me një shikim të pagabueshëm  të shqiponjës, se si duket çipi mikroskopik në majën e gjilpërës së vaksinës. E kanë ndjerë bile çipin kur u ka hyrë në organizëm, dhe më e rëndësishmja, kanë zhvilluar aftësi të mbinatyrshme për ta kuptuar se në cilën pjesë të trupit u lundron çipi pas pranimit të vaksinës. Ekspertët më të njohur të kësaj çështjeje kanë regjistruar dhe publikuar video-inçizime që dëshmojnë të arriturat e tyre më të fundit shkencore në këtë lëmi që është në zhvillim e sipër. Monedha qëndron ngiitur si me magnet në krahun e vaksinuar. Po, të nderuar, monedha vërtet qëndron e ngjitur dhe nuk bie po qe se e mbani krahun pak shtrembët që ta pengoni forcën e gravitetit të tokës, e veçanërisht nëse e keni krahun pak të djersitur. Dhe e çuditshme, monedha qëndron ngjitur edhe në krahun e pavaksinuar po nuk e mbajtët krahun pingul me tokën, por ky krah nuk është çështje e egzaminimit të thuktë të ekspertëve të gjithëdijshëm që i kanë deshifruar njohuritë e shkencëtarëve modernë, dhe i kanë zëvendësuar teoritë e tyre me konspiracione. Nuk e di si nuk morën ende çmim Nobel pas gjithë këtyre ekzaminimeve dhe punës së palodhur shkencore që zgjat çdo natë deri në orët e mëngjesit, në kafenetë e tymosura ku shnecëtarët e mëdhenj shkëmbejnë eksperiencat për zhvillimet e fundit në lëmi të ndryshme.

Po këta “shkencëtarë” e dinë shumë saktë sa digjitalizim u duhet fëmijëve dhe sa të dëmshëm janë librat digjital. Dinë poashtu edhe sa i dëmshëm është edukimi me sigurim të ndjeshmërisë gjinore nëpër shkolla. Shumë i dëmshëm është sipas tyre edukimi që u mëson fëmijëve se gratë dhe burrat duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe duhet të kenë të drejta të barabarta. Shumë i dëmshëm është sipas tyre çdo libër që nuk flet për burra pilotë e inxhinjerë dhe për gra që bëjnë kifle dhe rrisin fëmijë. Më i dëmshëm është akoma çdo libër që flet për edukim seksual, për sëmundje seksualisht të transmetushme dhe për abuzim seksual ndaj të miturve. Këto nuk janë gjëra që fëmijët duhet ti mësojnë në shkollë, gjithnjë sipas shkencëtarëve të gjithëdijshëm, të cilët mes tjerash janë edhe ekspertë në fushën e kurikulave të sistemit arsimor fillor, të mesëm, universitar dhe postuniversitar. Lum si ne me kaq ekspertë të gjithëdijshëm, sa popull me fat që jemi, më të përparuarit në univers!

Sokrati, filozofi që vazhdon të inspirojë me thëniet dhe metodat e tij edhe 2500 vjet pas vdekjes, ka konstatuar se di vetëm një gjë: që nuk di asgjë. Sikur Sokrati të bënte një xhiro në qarqet e shkencëtarëve tanë të gjithëdijshëm që i promovojnë zbulimet e tyre më të fundit në kanenetë e mëhallës do të kishte mbetur i habitur nga niveli i lartë i shkencës moderne të shekullit XXI. Ndërsa shkencëtarët tanë të gjithëdijshëm padyshim që do ta trajtonin si budallain më të madh atë plak me mjekër që vet e pranon se nuk di asgjë. As nuk do e mernin mundimin ta dënojnë me vdekje me pretekstin se e prish rininë e ta detyrojnë të helmojë veten. Jo jo, rininë e prish edukata seksuale në shkolla dhe jo ky plak i çuditshëm që pranon se nuk di asgjë. S’ke ç’i bën dikujt që nuk di asgjë. Gjynah edhe ta vrasësh sepse e ka vrarë Zoti.

E ne nga ana tjetër, ne i dimë të gjitha. Shyqyr Zotit që na ka dhënë gjithë këtë dije e kaq shumë njerëz të ditur për kokë banori. Të bekuar jemi, pa çka se pasdite as vet nuk mbajmë mend cilën teori e promovuam në mëngjes. Pa çka se historia as nuk do e ndjejë se kemi ekzistuar ndonjëherë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button