Nëse deputetët sërish e votojnë, nuk kam zgjedhje veç se ta nënshkruaj Ligjin për legalizim të objekteve pa leje, paralajmëroi Pendarovski

Presidenti Stevo Pendarovski thotë që nuk ka zgjedhje tjetër veç se ta nënshkruajë Ligjin për legalizim të objekteve pa leje nëse deputetët e miratojnë për herë të dytë atë ligj, pa ndryshime, njofton Portalb.mk.

“Nuk mund ta di nëse do ta votojnë sërish Ligjin. Kjo është krejtësisht në kompetencë të subjekteve politike që janë në parlament. Së pari, at që janë në Qeveri, nëse kanë qëllim ta bëjnë atë – ta lëshojnë sërish në procedurë, ka paralajmërime nga kryeministri dhe ministri për Transport dhe Lidhje, ata do ta bëjnë këtë. Ka paralajmërime edhe nga subjekte tjera politike që mund me filibastering ta bllokojnë, megjithatë kjo është tërësisht nën kompetencë të Kuvendit. Nëse më pyetni për reagimin tim, po të vinte sërish ai ligj tek unë, shëndosh qofshim, Kushtetuta është absolutisht e qartë. Nuk kam për qëllim të mos e respektoj Kushtetutën, të shtirem president i cili ka të ashtuquajturën veto-xhepi, e të mos prononcohem. Nëse ai ligj sërish votohet me shumicën e nevojshme, kuptohet që të njëjtin do ta nënshkruaj”, thotë Pendarovski.

Pendarovski thekson që nuk do të jetë i kënaqur nëse nuk merren parasysh vërejtjet për ligjin, të cilat thotë që i ka dhënë në konsultim me juristë të shquar të cilët i kanë sugjeruar se Ligji për legalizim të objekteve pa leje është juridikisht i paqëndrueshëm.

“Kam një sërë vërejtjesh, nga ajo që e tha kryeministri, do të merren parasysh, do të bisedohet për ato, megjithatë këtu përfundon kompetenca ime kushtetuese. Nëse vendosin ta miratojnë tekstin krejtësisht të njëjtë me shumicën e nevojshme – 61, s’kam zgjedhje. Nuk do të jem i kënaqur, këtë nuk e kam shkruar vetëm për të numëruar që kam veto ndonjë ligji. Pas konsultimeve të gjata me ekspertë-juristë të shquar, më është sugjeruar që kjo praktikisht është e paqëndrueshme në disa pozicione. Ajo që supozoj opinioni e di, por nuk është keq ta përsërisim, është që në diskutimin e dytë në parlament, nëse vjen deri tek ajo, deputetët mund të diskutojnë ose të japin amendamente vetëm për atë që unë e kam shënuar në arsyetim”, tha Pendarovski.

Presidenti, vendosi veto mbi ligjin më 14 maj dhe e ktheu në Kuvend. Kompetencat e tij kushtetuese, në të cilat thirret ai, janë përcaktuar në nenin 75 të Kushtetutës i cili përcakton që në rast se Kuvendi sërish e miraton Ligjin me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, atëherë presidenti e ka obligim ta nënshkruajë Dekretin.

Në vërejtjet e tij javën e kaluar, Pendarovski ka thënë që Ligji nuk është kushtetues për shkak se ofron amnisti për persona fizik dhe firma për ndërtim pa leje dhe që në atë mënyrë stimulohet mosrespektim i dispozitave juridike. Ai e kontestoi edhe nenin nga Ligji me të cilin parashihet legalizim i objekteve pa leje në zona të mbrojtura dhe parqe nacionale, me arsyetim që ka shkelje të obligimit themelor të shtetit për ta mbrojtur mjedisin jetësor.

Ligji është votuar në Kuvend më 11 maj, me mbështetje nga deputetë edhe të pushtetit edhe të opozitës. “Pro” kanë votuar 72 deputetë, tre ishin “të përmbajtur”, ndërsа pesë “kundër”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button