Kuvendi i RMV votoi ligjin për legalizimin e objekteve pa leje
Deputetët e Maqedonisë së Veriut kanë votuar sot me procedurë të shkurtuar Ligjin për verifikim të statusit juridik të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Grupi parlamentar i DOM nuk mbështeti këtë ligj, sepse siç tha në fjalimin e tij deputetja e kësaj partie, Maja Moraçanin, me vazhdimin e këtyre afateve u dërgohet porosi indirekte qytetarëve se mund të ndërtojnë ilegalisht pa pasur leje për ndërtim dhe më tej në ndonjë moment do t’u mundësohen kushte t’i legalizojnë ndërtimet e egra, transmeton Portalb.mk.
Kuvendi në vazhdimin e seancës së 34 e dha propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për trajtimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në lexim ë dytë.
Kuvendi në seancën e sotme miratoi ligjin për huamarrjen e Maqedonisë së Veriut me hua te Banka Ndërkombëtare për Ripërtërirje dhe Zhvillim – Banka Botërore sipas marrëveshjes për hua për financim të projektit për modernizim të bujqësisë.
Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Zdravko Trajanov tha se për këtë projekt, vendi do të marrë hua 46 milionë euro, që është shumë e lartë, ndërsa bujqit nuk do të shohin asnjë benefit.
Ndërsa deputetja e LSDM –së, Beti Rabaxhievska Naumovska, tha se ky ligj është edhe një dëshmi për politikë të suksesshme të pushtetit aktual.