Këshilli i Komunës së Strugës, a do të tejkalohet ngërçi?

Këshilli i Komunës së Strugës ende nuk po arrin të funksionojë normalisht, sepse subjektet politike nuk kanë arritur marrëveshje për krijimin e shumicës, që do të sillte vendime nga fushëveprimtaria e tij. Kështu edhe përkundër kontakteve të shumta të PDSH-së dhe VMRO-DPMNE ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje koalicionimi, por megjithatë mësohet se subjektet e përfaqësuara në Këshill kanë rënë dakord në parim vetëm për zgjedhjen e komisioneve të Këshillit, ndërsa për çështjet tjera, do të mund të vendoset në mbledhjet e ardhshme të Këshillit .

Gjithsesi, mbledhja e nesërme e këshillit pason mbledhjen e ndërprerë të para disa ditëve, kur këshilltarët e VMRO-DPMNE braktisën seancën me arsyetimin se rendi i ditës përmban shumë pika.

“Vendimi ynë ishte që të ndërpritet seanca dhe të vazhdojë pas një jave në një seancë tjetër që të kemi kohë për t’i parë dhe shqyrtuar të gjitha pikat. U bë gjithçka e përshpejtuar dhe ne nuk morëm pjesë  në seancë”, deklaroi Pero Petkovski, kryetar i  komitetit të VMRO DPMNE-së në Strugë.

Por, risia e mbledhjes së shkuar të Këshillit ishte që subjektet politike maqedonase, të koalicionit “Për Strugën së bashku”, nuk u bën së bashku në vendimin për lëshimin e seancës, sepse këshilltarët e LSDM-së nuk e braktisën atë.

Nga ana tjetër , kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela  është shprehur se ai kujdeset që të ketë një këshill stabil dhe që të krijohet një shumicë stabile, në mënyrë që të sillen vendime në të mirë të qytetarëve të Strugës.

“Ndoshta kanë qëllimin të më bëjnë presion, ndoshta kanë qëllimin të më gjunjëzojnë, por këtë gjë nuk do t’ia arrijnë, të jeni të sigurt” ka deklaruar Sela, duke shtuar se pret që në seancën e ardhshme të Këshillit të zgjidhet kryesuesi dhe ai të jetë kandidati i propozuar nga PDSH, Abdulla Qazimi.

Ndërkaq, një ditë para seancës së Këshillit të Komunës së Strugës, nuk dihet me siguri nëse subjektet politike kanë përafruar qëndrimet për zgjidhjen e ngërçit në funksionimin e Këshillit të Komunës së Strugës.

Paraprakisht, kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin  Sela dhe PDSH janë deklaruar se nëse ky ngërç nuk arrin të zgjidhet, nuk mund të përjashtohen as zgjedhjet e parakohshme, në të cilat qytetarët do të votonin për një përbërje të re të Këshillit.

Ndërsa për ta tejkaluar këtë ngërç duhet të formohet një shumicë nga përbërja e tanishme e Këshillit, e përbërë nga 7 këshilltarë të PDSH-së, 5 të BDI-së, 2 të RDK-së, 2 të PEI-t dhe 11 këshilltarë të koalicionit “Për Strugën së bashku”, në përbërje të të cilit 6 këshilltarë janë të VMRO-DPMNE dhe 5 të LSDM-së.

Dihet, ndërkaq, se kohëve të fundit ka patur bisedime intensive për arritjen e një koalicioni midis PDSH-së dhe Koalocionit “Për Strugën së bashku” dhe nëse kjo është arritur pritet të shihet në seancën e nesërme të Këshillit, sepse  subjektet politike nuk ka bërë publik qëndrimin që do të mbajnë për këtë çështje./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button