Pse dhe ku janë “bllokuar” paratë evropiane?

Paratë janë në dispozicion – por nuk janë shfrytëzuar. A do të realizohet paralajmërimi i qeverisë se deri në fund të këtij viti, Maqedonia do të arrijë të shfrytëzojë 48% të mjeteve nga komponentet e programit IPA? Eskperët dyshojnë në këtë. Cilat janë shkaqet për përqindjen e pakënaqshme të shfrytëzimit të këtyre mjeteve? 

“Unë mendoj se firmat shumë pak planifikojnë, gjegjësisht se ka shumë pak plane reale të biznesit, e më së paku plane afatmesme dhe afatgjate. Kjo është arsyeja e parë, sipas meje, që e frenon qasjen në paratë evropiane. Arsyen e dytë e shoh te burimet njerëzore. Pa to, nuk ka ide, e pa këtë nuk ka realizim, gjegjësisht qasje te paratë” – sqaron profesori universitar Taip Jakupi për “Portalb”-in. 

Qendra maqedonase për arsim evropian (QMAE) identifikoi disa pika që e pengojnë shfrytëzimin e mjeteve të volitshme të fondeve IPA: 

Mungesa e kornizës strategjike: 
Te IPA, gjëja më e rëndësishme është të keni kornizë strategjike dhe të dihet saktë dhe cili është qëllimi. Në vend të kësaj, Qeveria i programon mjetet e IPA-s sipas asaj se cili institucion do të dërgojë projekt të mirë për financim. Kjo praktikisht do të thotë se institucionet që nuk kanë kapacitet, do të ngecin, ndërsa ato që kanë kapacitet do të përparojnë. Ku është këtu korniza strategjike? – pyesin nga QMAE. Ata thonë se, në vend nuk mbahet llogari për kërkesat e vendneve anëtare të BE-së, si për shembull, 25% e IPA-s nacionale për vitin 2007, komponenta e parë i është dedikuar policisë (9 milionë euro), ndërsa e dyta gjyqësisë (vetëm 1,1 milion euro). Mirëpo, mënyra e paraqitjes së parave nuk do të thotë se në gjyqësi nuk investohen më tepër para. 

“Përkundrazi, gjyqësia përpin shumë para, por gjithë ato para janë kredi të Bankës Botërore, e jo grante të BE-së. Nëse e keni me rëndësi që t’i bindni vendet anëtare të BE-së se me të vërtetë e reformoni gjyqësinë, atëherë është e logjikshme dhe strategjike që këtë ta bëni me instrumentin IPA, për shkak se ato kanë besim në rregullat për raportim të IPA-s. As që e përmend përparësinë e grantit ndaj kredisë” – thotë për “Portalb”-in Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për arsim evropian. 

Kapaciteti i kufizuar i administratës:
Të gjitha projektet e komponentës së parë (me të cilën ndërtohen kapacitetet) janë të dedikuara drejtpërdrejt për pushtetin dhe për institucionet, organet dhe agjencitë që janë të lidhura me pushtetin. 

“Kjo do të thotë se nuk ndërtohen kapacitetet, për shembull të shkollave, sindikateve, odave, pakicave etnike, organizatave për trajnim etj., të cilat njëkohësisht janë edhe shfrytëzues të projekteve të komponentës 4 (zhvillimi i burimeve njerëzore).Prandaj, kur ministrat dhe qeveria do të thonë se nuk kanë pasur projekte të mira nga firmat dhe subjektet e tjera juridike, vetëm e pranojnë dritëshkurtësinë e tyre”, vlerëson Dimova. 

Pasiguria:
Nëse analizohen modalitetet e shfrytëzimit të IPA-s, të dhënat flasin se më së shumti, ose rreth 70% e parave shfrytëzohen për ndihmë teknike dhe twining, e shumë pak janë furnizime dhe skema për grante. Praktikisht, kjo do të thotë se shumica e mjeteve shkojnë te firmat evropiane për konsalting, e shumë pak mbesin në vend. Një qeveri inventive duhet ta njohë përparësinë e skemave për grante dhe si t’i trajtojë ato si instrumente për rritjen e papunësisë në vend. 

Qeveria thotë se është në hap me vendet e tjera që kanë qasje në këto fonde evropiane, sa i përket shfrytëzimit të tyre.

Prej vitit 2007, Maqedonia ka pasur në dispozicion 622 milion euro – para evropiane që duhet tlë shfrytëzohen nëpërmjet katër komponenteve të ndryshme të IPA-s. Deri tani, pas shtatë vitesh, tërësisht është shfrytëzuar vetëm komponenta e parë e IPA-s në vlerë prej 58,5 milionë eurove. 

Vetëm 18% e bujqve janë të informuar për paratë evropiane!
Ekonomistët nuk kanë dilema se bëhet fjalë për linja dhe grante volitshme kreditore. Kërkojnë informim më të madh.

“Mendoj se ka nevojë për një trajnim dhe informim më të madh të bizneseve për atë se si mund të vijnë deri te linjat kreditore të komponenteve të IPA-s. Nga ana tjetër, kemi ofertë për kredi komerciale nga grupacione që unë i quaj “fajdexhinj legalë”. Sipas meje duhet të ketë ndryshime dhe transformim në sektorin bankar. Ato më tepër janë agjenci për patundshmëri që u intereson vetëm prona e lënë si garancë, gjegjësisht hipoteka”, vlerëson profesor Jakupi.

Hulumtimi më i ri i Qendrës për analiza ekonomike tregon të dhënave frapante. Vetëm 18% e bujqve janë të informuar për programin IPARD që ofron para evropiane për zhvillim.

“Hulumtimi tregoi se efikasiteti i shfrytëzimit të IPARD-it është relativisht i ulët, para së gjithash për shkak të: informimit dhe animimit të pamjaftueshëm të shfrytëzuesve potencialë, dokumentacionit të vëëlimshëm dhe të komplikuar, mos-harmonizimit të legjislacionit nacional me legjislacionin e BE-së, mosgatishmërisë së kërkuesve që t’i plotësojnë kushtet dhe qasja e vështirë deri te mjetet financiare“, vlerësojnë nga Qendra për analiza ekonomike.

Edhe Qendra për analiza ekonomike përmend disa pika kritike që e pengojnë shfrytëzimin e parave evropiane:

  • procedura e komplikuar dhe harxhimet e larta për aplikim
  • mosekzistimi i indikatorëve të suksesit dhe
  • mundësia për keqpërdorime gjatë shpërndarjes së mjeteve.

Se numrat janë dekurajues tregojnë edhe të dhënat, sipas të cilave, vitin e kaluar, nga numri i përgjithshëm i aplikacioneve për programin IPARD, janë miratuar vetëm 21,5% e tyre, që është niveli më i dobët pas vitit 2009, kur shkalla e kërkesave të miratuara ka qenë vetëm 18 për qind.

Aneta Dodevska, Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button