ANALIZË: Po “mbytemi” në mbeturina – vetëm 0,7% e mbeturinave komunale riciklohen!

Vetëm 30% e komunave e përmbushin obligimin për të dorëzuar raporte për gjendjen e mbeturinave komunale. Në nivel shtetëror, për 13 vite sasia e mbeturinave komunale është rritur për rreth 30%. Në vend ka zyrtarisht rreth 1,000 deponi ilegale, ndërsa jozyrtarisht numri është dyfish më i madh. Ministria e linjës ka përcaktuar tashmë vendndodhjet rajonale si një bazë për deponimin e mbeturinave. Situata është alarmante, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Deri në 31% e mbeturinave komunale përfundojnë në deponi ilegale…

Për vetëm dhjetë vjet, nga viti 2011 deri në vitin 2021, sasia e mbeturinave nga ambalazhet (që është ndër më dominueset) është rritur për pesë herë – thuhet në Raportin e ri për mjedisin jetësor 2022 të Ministrisë së Mjedisit Jetësor.  Alarmante janë të dhënat se deri në 31% të mbeturinave komunale përfundojnë në deponi ilegale.

“Nga 19% deri në 31% e mbeturinave komunale hidhen në deponi të pakontrolluara, ndërsa nga 69% deri në 81% në deponi të kontrolluara” – thuhet në raport.

Shqetësuese janë edhe të dhënat për nivelin e ulët të riciklimit të mbeturinave komunale, të cilat përmes këtij procesi mund të kthehen në burim. Deri në vitin 2013, shkalla e riciklimit ishte 0,18%, ndërsa nga viti 2014 u rrit në 0,48%, ku qëndroi për disa vite.

“Në dy vitet e parafundit përqindja ka rënë dhe është në nivelin 0,2%, pothuajse e njëjtë me atë në fqinjësi, gjegjësisht në Serbi (0,3%), por është larg mesatares evropiane, e cila është rreth 46% në vitin 2017.  Në vitin 2021 ka një rënie të pjesshme të përqindjes së riciklimit të mbeturinave komunale, e cila arrin në 0,7%” – tregojnë të dhënat e ministrisë së linjës.

Parametrat për riciklimin e mbeturinave të ambalazhimit janë më optimiste. – më pak se gjysma ose 40,9% riciklohet, përqindja më e lartë është te letra, pastaj qelqi, metali, plastika, ndërsa përqindje më të ulët të riciklimit ka te druri.

Mbeturinat e rrezikshme – vetëm 5% përpunohen…

Larg qëllimit – ky është vlerësimi në raport për mbeturinat komunale, si dhe për ato të rrezikshme. Sasia e këtij lloji të mbeturinave ndryshon çdo vit, por sipas analizës së ministrisë, reduktimet në periudha të caktuara janë për faktin se disa nga kompanitë nuk kanë dorëzuar raporte për sasinë e mbeturinave të rrezikshme të krijuara.

“Në vitin 2021, 154 subjekte afariste kanë dorëzuar raport për llojin dhe sasinë e mbeturinave të rrezikshme që e gjenerojnë. Vërejmë se në vitin e fundit ka një rritje të lehtë si në sasi ashtu edhe në numrin e kompanive që kanë dorëzuar raporte, por theksojmë se ka problem për sa i përket mundësisë së klasifikimit joadekuat të mbeturinave si mbeturina të rrezikshme, për shkak të mungesës së njohurive për përbërjen e mbeturinave dhe verifikimin e tyre nga laboratori kompetent” – theksojnë nga ministria.

Ku dhe si përfundojnë mbeturinat e rrezikshme? Kompanitë raportuan se nga 66% deri në 97% e këtij lloji të mbeturinave deponohen përkohësisht, ndërsa përpunimi është vetëm 5%.

Mbeturinat mjekësore…

Për dhjetë vite, nga viti 2011 deri në vitin 2021, sasia e mbeturinave mjekësore është rritur për gjashtë herë, duke arritur sasinë prej 1.208,86 tonë mbeturina të dorëzuara për trajtim të mëtejshëm, neutralizim dhe asgjësim.

“Nga kjo mund të konstatohet se është rritur edhe numri i gjeneruesve të mbeturinave të rrezikshme mjekësore, të cilët sipas rregullores në fushën e menaxhimit të mbeturinave mjekësore, janë të obliguar që një herë në vit të dorëzojnë raport për trajtimin e mbeturinave” – thuhet në raport, duke theksuar se pjesa më e madhe e këtyre mbeturinave janë mbeturinat infektive: “Duhet theksuar se sasitë e paraqitura të mbeturinave nuk përfaqësojnë edhe sasinë totale të mbeturinave mjekësore të krijuara në nivel shtetëror”.

Për shkak të kësaj situate rekomandohet:

“Përmirësimi i menaxhimit të mbeturinave mjekësore, që nënkupton ndarjen më të mirë të fraksioneve të ndryshme të mbeturinave mjekësore me sisteme adekuate për grumbullimin, transportin, trajtimin dhe asgjësimin përfundimtar”.

Raporti për mjedisin jetësor ka hyrë në procedurë parlamentare për miratim. Ministria e Mjedisit Jetësor ka caktuar vende në disa rajone për deponimin e mbeturinave. Bisedimet me autoritetet lokale po vazhdojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button