ANALIZË: Po shtrëngohet “rripi” i kredive, kamata tejkaloi vlerën 5%, kredi më të shtrenjta për kompanitë!

Padyshim kreditë u bënë shumë më të shtrenjta.  Nëse viti 2022 nisi me një kamatë prej 4,3%, në këtë vit të ri bankar kamata në totalin e kredive arriti në 5%, ndërsa kreditë e miratuara rishtazi kanë kamatë edhe më të lartë. Kamatat e larta kanë ndikuar tashmë në kreditimin, duke u ngadalësuar në tremujorin e parë të këtij viti. Tek qytetarët pjesa më e madhe e borxhit ndaj bankave është si rezultat i kredive konsumatore dhe atyre të banesave, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Qytetarët dhe kompanitë me vigjilencë të shtuar për borxhin kreditor!

Viti bankar 2023 nisi me rritje të kamatave për kreditë – përqindje që ishin të pranishme disa vite më parë. Kamata e totalit të kredive në muajin shkurt arriti në 5%, ndërsa për kreditë e reja 5,2%. Ndryshe nga viti i kaluar, këto kamata janë dukshëm më të larta.

Infografik 1 analiza ekonomike
Infografik për kamatat për kreditë në RMV

Rritja e kamatave ka ndikuar tashmë në kreditimin. Në fund të tremujorit të parë bankar të këtij viti, totali i kredive në nivel mujor u rrit vetëm për 0,7%, ndërsa në nivel vjetor për 6,6%, përqindje që janë më të ulëta që nga fillimi i vitit 2022. Këto të dhëna tregojnë se si kompanitë ashtu edhe qytetarët janë të përmbajtur në ekspozimin ndaj kredive të reja. Konkretisht, në fund të muajit mars, në bazë mujore, borxhi kreditor i kompanive është rritur për vetëm 0,5%, kurse i qytetarëve për 0,8%.

Infografik 2 analiza ekonomike
Infografik për borxhin kreditor të RMV-së

Konkretisht, në fund të tremujorit të parë ekonomik, në bazë të kredive, sektori i korporatave bankave u kishte pothuajse 3,3 miliardë euro borxh, ndërsa amvisëritë 3,5 miliardë euro . Një pjesë e bankierëve konfirmojnë se rritja e kamatave të kredive ndikon në kërkesën, ndërsa që nga fillimi i këtij viti hezitimi për të marrë kredi të reja është më i theksuar tek kompanitë për shkak të rritjes së ndjeshme të kamatave, por edhe për shkak të mjedisit të pasigurt ekonomik.

“Në muajin shkurt, përqindja e kamatës për kreditë e miratuara rishtazi për sektorin e korporatave shënoi rritje mujore prej 0.03% dhe është 5,22%” , njoftojnë nga BPM-ja.

Më të shtrenjta janë edhe kreditë e reja të dhëna për qytetarët.

“Në shkurt, përqindja mesatare e kamatës për kreditë e reja të miratuara për amvisëritë ishte 5,18% dhe shënoi një rritje mujore prej 0,37 pikë përqindjeje”, thonë nga Banka Kombëtare.

Tek qytetarët pjesa më e madhe e borxhit ndaj bankave është si rezultat i kredive konsumatore dhe atyre të banesave.  Në muajin mars, në nivel mujor, te kreditë për banesa është shënuar përqindje e rritjes prej 0,8%, që është më e ulëta që nga fillimi i vitit 2022, dhe që tregon për një ngadalësim të kërkesës për kredi për banesa.

Në bazë të kredive konsumatore, qytetarët kanë 1,8 miliardë euro borxh, borxhi për kredi për banesa arrin në 1,2 miliardë euro, borxhi i kredive përmes kartelave kreditore në fund të muajit mars ishte pak më shumë se 164 milionë euro.

Infografik 3 analiza ekonomike
Infografik për borxhin kreditor të qytetarëve të RMV-së

Banka Popullore e rriti disa herë kamatën bazë, si masë për të frenuar dhe amortizuar inflacionin, prandaj edhe bankat i rritën kamatat. Politika e shtrënguar monetare është reflektuar në ngadalësimin e kreditimit, gjë që nga ana tjetër reflektohet edhe në rritjen ekonomike. Në fund të muajit mars, gjithsej kërkesat e dyshimta dhe të kontestuara (kreditë jofunksionale) arritën në 142 milionë euro, që është një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur ishin në nivelin 134,5 milionë euro.

Ndërkohë që po rriten kamatat e kredive, në rritje janë edhe kamatat e kursimeve. Në fund të muajit shkurt, kamata e totalit të depozitave pas një periudhe më të gjatë kohore arriti në 1%, ndërsa për depozitat e reja 1,71%. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button