Tetova me ditë vuan për ujë, Zaev thotë se hidrocentralet nuk e dëmtuan furnizimin
Kryeministri i RMV-së Zoran Zaev sot në Tetovë u shpreh i bindur se hidrocentralet e vogla nuk janë një ndër arsyet pse Tetova muajt e fundit përballet me mungesë të ujit për pije. Sipas tij, hidrocentralet nuk ka gjasa ta harxhojnë ujin. Por nga ana tjetër, që nga shpalosja e planit për ndërtim të hidrocentraleve në Malin Sharr, rreth 44 OJQ kanë reaguar vazhdimisht për rreziqet e hidrocentraleve të vogla, shkruan Portalb.mk. Ata në disa forma dëmtojnë procesin e furnizimit të qytetit me ujë, shprehet Arianit Xhaferi. Gjendja me ujin në Tetovë ngelet e njëjtë, me restrikcione.
Zoran Zaev sot ishte prezent në lëshimin në përdorim të një centrali fotovoltaik me kapacitet prej 1.2 megavat, ai nga atje komentoi zërat se hidrocentralet mund të jenë shkak se pse Tetova sot përballet me mungesë të ujit për pije.
Sipas tij, hidrocentralet thjeshtë e kalojnë ujin në turbinë dhe pastaj i njëjti kthehet aty ku duhet, Zaev ishte kategorik në atë se hidrocentralet e vogla nuk e dëmtojnë procesin e furnizimit të qytetit me ujë.
“Më besoni se kjo nuk është arsyeja, është shumë e rëndësishme që të flasim gjëra të vërteta dhe me argumente. Asnjë hidrocentral i vogël nuk e harxhon ujin. Ajo e bën punën e vete. Megjithatë, në qoftë se banorët nuk dëshirojnë, qeveria nuk do veproje kundër vullnetit të tyre për hidrocentralet e vogla. Hidrocentralet e vogla nuk bëjnë dëm më të madh se ato të mëdha, natyrisht hidrocentralet e vogla të cilat përmbushin regullativat e nevojshme. Uji vetëm e rrotullon në turbinë dhe vazhdon kthehet aty ku duhet” tha Zaev.
Përveç kësaj, Zaev shtoi se për secilin hidrocentral që ndërtohet paraprakisht merret pëlqimi i banorëve përreth, dhe sipas tij në qoftë se ata nuk pajtohen, hidrocentrali i vogël nuk ndërtohet.
“Megjithatë, në qoftë se banorët thonë jo, ata nuk bëhen, siç ndodhi me një hidrocentral në Mavrovë i cili ishte paraparë të ndërtohet në vend jo të përshtatshëm, e dëgjuam zërin e qytetarëve dhe nuk do të bëhet” theksoi Zaev.
Arianit Xhaferi nuk pajtohet: Hidrocentralet në forma të ndryshme dëmtojnë procesin e furnizimit të qytetit me ujë
Xhaferi theksoi se futja e ujit nëpër gypa për të rritur forcën e rënies për ti shërbyer hidrocentraleve e ndryshon ekosistemin dhe dëmton biodiversitetin, kjo sipas tij bëhet vetëm për ti shërbyer hidrocentraleve dhe pëer asnjë dobi tjetër.
“E vërteta është që hidrocentralet nuk e ndërprenë ujin, por vet futja e ujit neper gypa për te rritur forcën e rënies për t’i shërbyer hidrocentraleve është e dëmshme, sepse ndryshon ekosistemin dhe dëmton biodiversitetin, përveç faktit qe lumenjtë dhe përrenjtë e futur ne gypa nuk japin ujë për kafshët e egra qe jetojnë ne malet tona” tha Arianit Xhaferi, një ndër themeluesit e “Eco Guerilla”.
Sipas tij, deklarata e kryeministrit Zaev se kërkohet pëlqimi i banorëve para ndërtimit të hidrocentraleve të vogla është pjesërisht e vërtetë, Xhaferi shtoi se në disa vendbanime të banuara me shumicë shqiptare banorët as që janë pyetur.
“Deklarata e dyte po ashtu ka një të vërtete dhe një te pavërtete. E vërteta është që në disa vendbanime me shumice maqedonase ju është kërkuar pëlqimi, kurse ne disa vendbanime tjera kryesisht te banuara me shumice shqiptare, banoret as që janë pyetur. Mjafton t’i kërkohet Ministrisë se Mjedisit një procesverbal për konsultat ose dëgjesat publike qe janë mbajtur për cilindo hidrocentral të ndërtuar në rrezen e Malit Sharr, kryesisht ne rajonin e Tetovës, dhe përgjigja e tyre do jetë se për hidrocentralet e vogla nuk ka nevoje te organizohen dëgjesa (konsulta) publike” shtoi Xhaferi.
Xhaferi i bëri thirrje kryeministrit Zaev që të “mos bëhet avokat i hidrocentraleve” por të mbrojë qytetarët të cilët me muaj kanë ngelur pa ujë në Tetovë, ai shtoi se rrëshqitja e dheut shkaktohet nga ndërtimi i hidrocentralit në afërsi te kaptazhes se Leshnices, dhe se asnjëherë më pare nuk është shënuar të ketë rrëshqitje të dheut në atë zonë. Dhe nuk ka ndodhur që për kaq kohe të gjatë në pranverë Tetova të mbetet pa ujë, edhe pse verës ka ndodhur që të sfidohemi me furnizimin e ujit”.
RMV, 44 OJQ kërkojnë ligj që do të parandalojë hidrocentralet në malin Sharr, projektligji i ri jashtë standardeve të BE-së
Vitin që shkoi, 44 iniciativa dhe shoqata qytetare bëjnë thirrje për mbrojtjen e malit Sharr nga ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël dhe harmonizimin e projektligjit për shpalljen e malit Sharr park kombëtar, me ligjet përkatëse, strategjitë, programet dhe standardet e Bashkimit Evropian.
“Më 20 nëntor përfundoi afati për mbledhjen e komenteve mbi Projektligjin për shpalljen e një pjese të malit Sharr park kombëtar .Nëse miratohet siç është propozuar, ky ligj do të mundësojë ndërtimin e hidrocentraleve të rinj të vegjël në Sharr, në kushtet kur ndihet shumë ndikimi negativ i hidrocentraleve ekzistues në vlerat natyrore, por edhe në jetën e popullatës lokale. Nëse planet e planifikuara realizohen, do të ketë të paktën 40 hidrocentrale të vegjël në parkun e ardhshëm kombëtar!”, thuhet në reagimin e përbashkët të 44 OJQ-ve.
Në Tetovë vazhdon regjimi i restrikcionit të ujit
Ujë në Tetovë nuk ka fillimisht nga 13:30 – 16:30 dhe më pas nga 22:30 – 01:30. Për këtë, nga Ndërmarrja Publike Komunale nga qytetarët kërkojnë durim dhe mirëkuptim.
“Prandaj, me qëllim që të sigurohet furnizim optimal me ujë për ë gjithë qytetarët në të gjithë pjesët e qytetit gjatë muajit të Ramazanit, NPK TETOVA Tetovë do të fillojë me restriksione të planifikuara të ujit, sipas orarit si vijon edhe atë nga ora 13:30 – 16:30 dhe nga ora 22:30 – 01:30. Prandaj I lusim qytetarët për durim dhe mirëkuptim gjatë periudhës në vijim, dhe i sigurojmë se shumë shpejt edhe ky problem do të tejkalohet” shkrajnë nga NPK-ja.
Ndërkaq, për këtë kryeministri Zaev sot tha se ka diskutuar edhe me kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nga e cila siç tha ai është njftuar për problemin me mungesën e ujit për pije. Ai tha se qeveria është e gatshme të ndihmoje në qoftë se do të ketë nevojë.
Ndryshe, nga fillimi i këtij vitit Tetova po përballet me probleme të ujësjellësit për shkak të defekteve në rrjetin e ri të ujësjellësit, i cili u ndërtua për tu tejkaluar problemet disa dekadëshe me mungesën e ujit për pije. Ndërkaq nga Ndërmarrja Publike Komunale theksojnë se nuk ka të bëje me defekt të ujësjellësit por për shkak të sasisë së vogël të prodhimit të ujit nga burimet natyrore.