Tetova përsëri pa ujë, “Eco Guerilla” vazhdon të kërkojë përgjegjësi, kryeministri nuk ju përgjigjet

Në Tetovë përsëri ka ndërprerje të ujit, sipas Ndërmarrjes Publike “Tetova” kjo ndodh për shkak të dridhjeve sizmologjike të cilat kanë çuar deri në rrëshqitjen e dheut në linjën e Leshnicës. Ndërkaq organizata joqeveritare “Eco Guerilla” dy javë më herët i dërgoi letër kryeministrit Zaev me anë të së cilës kërkonte përgjegjësi për këtë, përgjigje ende nuk kanë marrë, shkruan Portalb.mk

Nga NP “Tetova” sot përmes një postimi në “Fejsbuk” lajmëruan se do të ketë ndërprerje të ujit, edhe atë me tre orare, fillimisht nga 08:30 deri në 11:30, pastaj nga 15:00 deri në 18:00 dhe në mesnatë nga ora 00:00 deri në orën 05:00.

“Si rezultat dridhjeve sizmologjike të tokës (tërmet)  kemi  rrëshqitje të dheut në linjën e Leshnicës ku është paraqitur  defekt në gypin kryesor fi-500. Momentalisht  në rezervuarët e qytetit pëson rënie drastike në një mesatare prej 150 l/s, gjithashtu nga sot kemi aktivizuar edhe katër bunarë që gjenden në qytetin Tetovës.

Me qëllim të furnizimit të barabartë  me ujë për pije në të gjitha pjesët kritike të qytetit deri në sanimin e defektit, Ju informojmë se nga sot (e Martë) 16.03.2021 NPK “TETOVA” Tetovë jemi të detyruar që të fillojmë me restrikcion të ujit për pije nga edhe atë nga ora 08:30 deri 11:30 si dhe pasdite nga 15:00 deri 18:00, kurse nga mesnata nga ora 00:00 deri në orën 05:00. Ky restriksion do të vlej deri në sanimin e defektit në linjën kryesore të Leshnicës” kumtuan nga NP “Tetova”.

Rikujtojmë se nga Lëvizja “Eco Geurilla” me datë 26 shkurt kërkuan përgjegjësi nga kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev për shkak se në atë kohë, qyteti i Tetovës ngeli pa ujë për pije dhe për të kryer nevojat elementare për një javë të plotë.

Të kontaktuar nga Portalb.mk sot, nga Lëvizja “Eco Guerilla” konfirmuan se nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje nga kryeministri Zaev dhe këtë e cilësojnë si akt joserioz, nga kjo organizatë përsëritën kërkesat e tyre për ekspertizë dhe hetim të të gjithë dokumentacionit dhe procesit të ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit në Leshnicë.

“Lëvizja Eco Guerilla deri më sot nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Kryeministri Zaev për letrën e dërguar kohë më parë kur Tetova mbeti pa ujë për një javë. Ky është kulmi i joseriozitetit që në kohë pandemie një qytet mbetet pa ujë, posaçërisht sot kur problemi po na përsëritet për herë të dytë. Ne kërkojmë ekspertizë dhe hetim të gjithë dokumentacionit dhe procesit të ndërtimit të rrjetit të ujësjellësit në Leshnicë që të përcaktohen shkaqet dhe përgjegjësit. Bashkë me këtë edhe pasojat e ndërtimeve të hidrocentraleve” deklaruan nga “Eco Guerilla”.

Këta të fundit shprehen se sipas Kombeve të Bashkuara, “Erozioni i tokës ose rrëshqitja e dheut është një katastrofë që kryesisht është si pasojë keqpërdorimit njerëzor të tokës. Kjo dukuri mund të kapërcehet nëse praktikat e menaxhimit të tokës përmirësohen dhe bëhen më të qëndrueshme”.

Foto dërguar nga "Eco Guerilla"
Foto dërguar nga “Eco Guerilla”

Ndryshe, kjo është hera e dytë brenda 30 ditëve që Komuna e Tetovës ngelet pa ujë për pije, rikujtojmë se në fund të muajit shkurt qytetarët e Tetovës ngelën pa ujë për 8 ditë radhazi dhe asokohe, autoritetet komunale thanë se kanë sanuar defektin dhe se nuk pritet që përsëri të ketë defekte eventuale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button