Qyteti i Shkupit: “Autobusët e shpejtë” në dy linja do të lidhin Gjorçe Petrovin dhe Novo Lisiçen, si dhe Butelin e lagjen Pintian

Qyteti i Shkupit njoftoi se për fillimin e zbatimit të projektit për transport të shpejtë me autobus në Shkup, Qeveria pritet të nënshkruajë marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për një kredi prej 70 milionë euro me periudhë të kthimit prej 15 vjetësh, si dhe ekspertët nga BERZH të përfundojnë dokumentacionin teknik që e kanë përgatitur ekipe të administratës së qytetit dhe NQP “Shkup”. “Meta” më parë ka shkruar se ka vonesë në publikimin e projektit ideor. Kontrata për hartimin e tij u nënshkrua vjeshtën e kaluar, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Pasi Kuvendi e miratoi ligjin për huazim, më në fund u hap rruga që Shkupi të fitojë transport publik modern dhe të mirë-organizuar dhe t’i bashkohet grupit të qyteteve të suksesshme me korridore të transportit të shpejtë me autobusë (BRT)”, theksojnë nga Qyteti i Shkupit.

Linjat e planifikuara për dy linjat e transportit të shpejtë me autobus në Shkup. Ilustrimi: Qyteti i Shkupit

Projekti përfshin dy linja me korridore të rezervuara për transport të shpejtë të autobusëve – Linja 1 (në lindje-perëndim), nga Gjorçe Petrov përmes Qendrës deri në Novo Lisiçe, prej 12,81 km dhe 21 stacione autobusi, dhe Linja 2 (veri-jug) do të fillojë nga Stacioni hekurudhor Veri- Shkup do të përfundojë në Pinti, në gjatësi prej 10,4 km me 20 ndalesa. Të dy linjat do të “takohen” në Qendër.

Përveç përfitimeve mjedisore, gjegjësisht zvogëlim të ndotjes së ajrit, “autobusët e shpejtë” do të mundësojnë që koha e udhëtimit midis pikave të fundit të përgjysmohet.

“BRT mundëson zvogëlimin e kohëzgjatjes së transportit të udhëtarëve dhe zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Me zbatimin e fazës së parë, traseja Gjorçe Petrov në Novo Lisiçe e gjatë 12,81 km në një drejtim, 21 stacione autobusi dhe 2 terminale, koha e udhëtimit nga 70 minutat aktuale do të ulet për më shumë se 50 përqind, gjegjësisht koha e nevojshme që një automjet të kalojë trasenë nga Gjorçe Petrov në Novo Lisiçe ose anasjelltas do të jetë 35 minuta”, thuhet në komunikatën nga administrata e qytetit.

Traseja e veçantë për autobusët e shpejtë do të ndahet fizikisht nga pjesa tjetër e trafikut, ndërsa autobusët gjatë orës së pikut duhet të arrijnë në çdo 3-4 minuta. Nga Qyteti i Shkupit thonë se “autobusët e shpejtë” do të përmirësojnë ndjeshëm transportin publik të përgjithshëm në Shkup, pasi do të sigurojë mbulim më të madh në të gjithë qytetin duke ridrejtuar autobusët aktualë në linjat e tjera të autobusëve.

“Rritja e numrit të përdoruesve të transportit publik nënkupton zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve sepse transporti i shpejtë me autobusë me lëndë djegëse efikase çon në zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë, emisioneve të grimcave dhe ulje të niveleve të zhurmës”, theksojnë nga Qyteti i Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button