Regjistrimi, humori dhe stereotipet

Regjistrimi pritet të anulohet sot edhe nga Kuvendi. Normalisht kur Kuvendi të vijë në rend pas asaj që quhet vullneti i partive më të mëdha politike të vendit. Sepse që Kuvendi të miratojë diçka, një herë duhet që politikanët të merren vesh, në këtë vend të çudirave ku të gjitha punët zgjidhen jo në institucione po në takime të liderëve që nuk e kanë për qeder të deinstitucionalizojnë të gjitha proceset jetike në vend. Dhe kështu vimë tek thënia e lashtë epopullit e cila nuk i referohet pikërisht kësaj situate por tmerrësisht shumë përshtatet me të njejtën: “Sipas vendit, kuvendi”.

Në ndërkohë, regjistrimi është bërë temë e programeve humoristike që duhet me cinizëm dhe satirë të kritikojnë dukuritë shoqërore. Një video e tillë u shfaq dhe më pas u hoq nga rrejtet sociale. Në vazhdën e videove që tallen me prosecin e regjistrimit u dallua menjëherë videoja që dëshironte të satirzojë rolin e shqiptarëve gjatë këtij procesi. Fatkeqësisht, videoja më shumë se një satirë, ishte një shprehje e qartë e stereotipeve dhe paragjykimeve përmes të cilave shqiptarët e Maqedonisë së Veriut perceptohen me dekada nga ana e shumë bashkëqytetarëve maqedonas etnik. Humori i tillë daton nga e kaluara, nga vitet 1990 dhe 2000, dhe optimistët do të prisnin që kjo qasje të kishte ndryshuar brenda kësaj periudhe kohe. Por, jo. Ja edhe në vitin 2021 meremi sërish me reagime ndaj të njejtave stereotipe dhe paragjykime që i grupojnë të gjithë shqiptarët në një komunitet me “të meta” serioze.

Në këtë skeç anakronik, shqiptarët përshkruhen si komunitet që nuk rrespektojnë barazinë gjinore, jetojnë në grupe të mëdha dhe familje patriarkale, ku vajzat nuk llogariten si pjesëtare të familjes apo fëmijë të asaj familjeje. Barazia gjinore është çështje e cila diskutohet në nivel botëror dhe asnjëherë nuk identifikohet me një grup të veçantë etnik. Sipas skeçit në fjalë, në këtë shtet i bie që problem me barazinë gjinore kanë vetëm shqiptarët dhe jo komunitetet tjera. Një skeç i tillë që gjeneralizon një komunitet të tërë duke theksuar ekskluzivisht aty mungesën e barazisë gjinore është jo vetëm problematik por edhe dashalig.

Përveç si patriarkal dhe konzervativ, ky skeç i karakterizon shqiptarët edhe si manipulues, të korruptuar, korruptues, dhe kriminelë. Asnjë skeç për shqiptarët nuk është i plotë pa përçuar mesazhin e qartë se ky etnitet nuk ka qejf të paguajë tarifën e rrymës elektrike. Ky skeç është vetëm një jehonë e vakët e paragjykimit që është gjithmonë evident në Maqedoninë e Veriut ku shumë maqedonas etnikë besojnë se në Tetovë e Gostivar nuk paguhen tatime, nuk paguhet rryma elektrike dhe nuk gjenerohet asnjë e hyrë publike në sistemin fiskal. Paragjykime të tilla ka plot dhe sa herë që faktet e demonstrojnë të kundërtën, janë pikërisht këto paragjykime që mbijetojnë dhe rishfaqen në secilën mundësi. Kjo sepse njerëzit janë të prirur t’u besojnë miteve, edhe kur ballafaqohen me fakte, dhe veçanërisht kur faktet nuk ndihmojnë në shprehjen e emocionit kryesor në këtë mes, urrejtjes.

Programet humoristike satirike janë pjesë e rëndësishme e lirisë së shprehjes. Këtë askush nuk e konteston. Por kur ato bëjnë gjeneralizime të tilla të rrezikshme, kalojnë në diçka tjetër që ndeshet me lirinë e shprehjes. Sepse gjenralizimi dhe vendosja e stereotipeve dhe paragjykimeve përmes mediave ndikon në rritjen e urrejtes ose ndjenjës së pabarazisë, superioritetit dhe diskriminimit ndaj një komuniteti të tillë.

Sidoqoftë, e mira e punës është se ky skeç u fshi nga rrejtet sociale dhe nga Youtube. Që tërheqja të jetë e plotë duhet të pasojë edhe kërkim i faljes publike nga autorët për gjenrealizimin e tillë të padrejtë. Ndoshta autorët vërtet e panë që gabuan. Ndoshta nuk ishin të vetëdijshëm për atë se çfarë ndjenjash shkakton një shprehje e tillë te një komunitet i tërë. Dhe është në rregull të pranohet gabimi dhe të kërkohet falje për të njejtin.

Ajo që nuk është në rregull është fakti që nuk eksiston ndjeshmëria adekuate për raportet fragjile ndëretnike në këtë vend. Mungesa e kësaj ndjeshmëria ndikon shpesh që shumë njerëz të mos jenë bile të vetëdijshëm sa ofenduese janë veprimet e tyre. Ky fakt duhet adresuar në sistemin tonë arsimor, i cili ende është në nivelin e korigjimit të librave të shkencave sociale nga të pavërtetat që zyrtarisht ngjallin urrejtje ndëretnike mes të rinjve.

Diçka tjetër që nuk është në rregull është përsëritja e të njejtave “shkaka” ofenduese ndaj një komuniteti të tërë, në mënyrë sistematike, tash e tridhjetë vjet. Gjeni shkaka të reja, se janë bërë bajat të vjetrat tash e sa kohë më parë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button