Efikasiteti i transportit publik të Shkupit bie me kalimin e viteve, ka më pak udhëtarë për kilometër (Infografik)

NQP-Shkup në vitin 2019 ka transportuar 2,47 udhëtarë për kilometër të kaluar, që është vlera më e ulët e këtij treguesi në shtatë vitet e mëparshme. Numri i udhëtarëve të transportuar për kilometër të kaluar të autobusëve nxirret duke e pjesëtuar numrin e përgjithshëm të udhëtarëve me kilometrat e kaluar nga autobusët, me çka fitohet efikasiteti i transportit publik. Në transportin publik në Shkup, numri i udhëtarëve të transportuar për kilometër gjatë viteve ka shënuar rënie, që flet për gjendjen negative sa i përket mbushjes së autobusëve urbanë me udhëtarë dhe interesin e qytetarëve për të përdorur transportin publik, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.


Në vitin 2019, autobusët e NQP-së në transportin nëpër linjat urbane kanë kaluar 17.886.544 km, pra 0.2 përqind më pak krahasuar me një vit më parë. Këtë vit NQP ka transportuar 44.150.820 udhëtarë. Kilometrat e përshkuara gjatë viteve tregojnë tendencë të rënies, së bashku me rënien e numrit të udhëtarëve në transportin publik të Shkupit. Numri më i lartë i udhëtarëve të transportuar për kilometër është regjistruar në vitin 2016 (3,19).

Portalb.mk” dhe “Meta.mk” tashmë kanë shkruar se në kaosin e trafikut në kryeqytet, autobusët e NQP-Shkup gjatë viteve gradualisht janë duke e zvogëluar shpejtësinë e transportit.

Profesori universitar për transport publik në Fakultetin teknik të Manastirit, Nikolla Kërstanoski për “Meta.mk” thotë se mangësia më e madhe e sistemit të transportit në Shkup është mungesa e transportit publik të shpejtë, me kapacitet të lartë dhe cilësor. Për të arritur këtë, në Shkup duhet të futet në përdorim mjet i ri i transportit masiv publik dhe me këtë rast ideja kryesore e autoriteteve duhet të jetë dekurajomi për të përdorur makinat.

Profesori Kërstanoski thotë se banorët e Shkupit duhet të zgjedhin midis dy opsioneve. Opsioni i parë përfshin zgjerimin e mëtejshëm të bulevardeve, ndërtim të garazheve për parkim, kryqëzimet me dy nivele dhe punime të ngjashme në infrastrukturë. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm, tha ai, se edhe me projekte të tilla se problemi i bllokimit të trafikut dhe mungesës së hapësirave të parkimit në Shkup nuk do të zgjidhet.

“Kur ndërtohet ndonjë rrugë e re e qytetit, përveç trafikut ekzistues, ajo tërheq edhe trafik të ri, e këto janë ata të cilët për shkak të tollovisë nuk kanë përdorur makina, ndërsa tani mendojnë që do të mund të transportohen shpejtë, kurse me shtimin natyral të popullsisë gjithmonë është e pranishme edhe rritja e shkallës së motorizimit. Kështu, gjithmonë rezulton se rruga e re e zgjeruar brenda disa vitesh, e ndoshta edhe më shpejtë, bëhet përsëri e mbingarkuar”, thekson profesori Nikolla Kërstanoski.

Po ashtu, nëse zgjedhin opsionin e parë, profesori Kërstanoski thotë se qytetarët e Shkupit nuk duhet të dalin të protestojnë për ajër më të pastër dhe të kërkojnë më shumë zona të gjelbra, sepse dëshira për udhëtim të rehatshëm dhe të shpejtë me veturë bie ndesh me dëshirën për mjedis më të pastër dhe më të gjelbër.

Opsioni i dytë për zhvillimin e transportit në Shkup është ndërtimi i politikës të sistemit të qëndrueshëm të transportit. Kjo politikë nënkupton promovim dhe mbështetje të përmirësimit të cilësisë së transportit publik, përmirësim të infrastrukturës për biçikleta, zgjerimin e numrit të rrugëve për këmbësorë dhe futjen të sistemit për marrje me qira dhe përdorimit të përbashkët të automjeteve, biçikletave dhe motoçikletave nga qytetarët .

Qyteti i Shkupit duhet të sigurojë transport publik me kapacitet të lartë, të shpejtë nëse vendoset opsioni i dytë për zhvillimin e transportit në Shkup, ndërsa Transporti i shpejtë me autobus Bus Rapid Transit (BRT) është investim më i lirë krahasuar me opsionet e tjera, si ndërtimi i tramvajit të shpejtë ose metrosë.

Profesori Kërstanoski thekson se BRT ose “tramvaji me rrota” nuk ka ngjashmëri me transportin ekzistues publik të autobusëve në Shkup, sepse automjetet BRT do të lëvizin përgjatë një traseje fizikisht të ndarë nga trafiku tjetër, në kryqëzime do të instalohet sistem për përparësi absolute të automjeteve BRT me çka atë gjithmonë do të kenë sinjal të gjelbër në semafor, vërtetimi i biletës do të bëhet në stacionet e mbyllura të autobusëve e jo në automjete, ndërsa për transport të udhëtarëve mund të përdoren autobusët të dyfishtë me kapacitet deri në 240 udhëtarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button