Zgjedhjet në Bullgari: Për votim janë paraqitur 328 persona nga RMV, më së shumti nga Ohri – 99

Vetëm 328 persona nga Maqedonia e Veriut janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare në Bullgari që do të mbahen më 4 prill, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Bullgarisë, më së shumti të regjistruar nga vendi ynë janë nga Ohri (99), pastaj nga Strumica (65) dhe Shtipi (61), si dhe ka 52 votues të regjistruar nga Shkupi e 51 nga Manastiri .

Afati i fundit për shtetasit bullgarë jashtë vendit, të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare në Bullgari, skadoi mbrëmë në ora 23:00.

Janë regjistruar gjithsej 87.216 persona, të cilët mund të votojnë në ambasadat dhe konsullatat bullgare jashtë vendit.

Sipas gazetës bullgare “Sega“ (Tani), numri i votuesve të regjistruar nga diaspora është rekord, por është befasues numri i vogël i votuesve të regjistruar në vendet fqinje të Ballkanit.

“Në Maqedoninë e Veriut, me të cilën marrëdhëniet dypalëshe janë përkeqësuar për shkak të çështjeve të diskutueshme historike, janë regjistruar vetëm 328 persona (më pak se 422 në Australinë e largët). Nga Serbia kanë ardhur vetëm 172 aplikime dhe nga Rumania 58”, raporton gazeta “Sega”.

Më së shumti të regjistruar ka në Turqi – 20.854, Britaninë e Madhe – 16.159 dhe në Gjermani – 13.493. Në Spanjë janë regjistruar për të votuar 7.743 shtetas bullgarë, në SHBA – 5.030, Itali – 2.719, Austri 2.114, Holandë 2.025, Franca 1.949 dhe Greqi 1.941

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button