Kafenetë plotë, bëhen dasma dhe ahengje në klube prapa dyerve të mbyllura, inspektorët nuk mund të arrijnë gjithandej

Shumë pronarë të restoranteve dhe kafeneve nuk i respektojnë protokollet për funksionimin e tyre. Rrallëherë tavolinat janë 1.5 metra larg dhe me vetëm 4 mysafirë. Organizohen festime, dasma, ahengje private në klube prapa dyerve të mbyllura dhe punohet edhe pas mesnatës, njofton SDK, transmeton Portalb.mk.

Inspektorët e Inspektoratit shtetëror të tregut thonë se ata i kanë duart përplot me punë, pasi një muaj e gjysmë më parë restoranteve dhe kafeneve iu lejua të punonin përsëri deri në orën 21:00.

“Protokollet nuk respektohen as gjatë ditës as në mbrëmje. Pasi u ngroh moti, tarracat e kafeneve janë plot me mysafirë dhe jo vetëm që nuk respektohet distanca prej 1.5 metrash, por vendosen edhe më shumë tryeza. Vazhdimisht jemi në terren, dënojmë për mosrespektim të protokolleve, por për këtë shkelje nuk mund ta mbyllim objektin. Dy ditë më parë në Tetovë zbuluam një manifestim me 100 gra. E mbyllëm objektin, ndërsa mysafirët u dënuan”, tha drejtori i Inspektoratit të tregut, Stojko Paunovski.

Inspektorati ka pranuar edhe raporte për organizim të ahengjeve në klube në Shkup, megjithëse ato kanë ndalesë për të punuar. Përmes Viber-it dërgohen mesazhe në grup, e pastaj festa me diku rreth njëqind të ftuar zhvillohet pas dyerve të mbyllura deri në orët e mëngjesit.

“Nuk mund të arrijmë gjithandej, por të gjithëve do tu vijë radha. Nesër është 8 marsi dhe ne supozojmë që baret do të jenë plot me gra, të cilat do të festojnë festën. Qytetarët, të cilitdo të vërejnë shkelje të protokolleve, mund të raportojnë në numrin e telefonit 191”, shton Paunovski.

Numri i të infektuarve rishtazi me kovid-19 në vend gjatë dy javëve të fundit është në rritje e sipër. Dje u regjistruan 722 raste të reja, numri i përgjithshëm i rasteve aktive është 9.186, ndërsa në spitale po trajtohen795 pacientë. Në 70% të rasteve, është zbuluar lloji britanik i koronavirusit, i cili përhapet më lehtë.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dje deklaroi se ata janë duke e monitoruar situatën me numrin e shtuar dhe gjatë javës së ardhshme do të marrin vendim nëse do të ketë shtrëngim të masave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button