Hyrja në Strugë, rrethi mund t’i evitoj kolonat e gjata me automjete?

Udhëkryqi në hyrje të Strugës, që lidh Strugën me vendkalimin kufitar të Qafthanës –Dibrën dhe Ohrin vazhdon që të jetë pika më problematike, përsa i përket  trafikut në Komunën e Strugës.  Radhë të gjata me automjete bëhen në çdo orë të ditës për të hyrë në qytet dhe kjo po i revolton  tej mase pjesëmarrësit në  komunikacion.

Kjo, sepse siç thonë  shumica  prej tyre çështja fare lehtë mund të zgjidhet qoftë me ndërtimin e një rrethi, gjë që është bërë praktikë kudo dhe nuk është shumë i kushtueshëm. Gjithsesi, Ky problem  është evident me vite të tëra duke u bërë edhe shkaktar i fatkeqësive të shumta, me pasojë për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve në trafik.

Mediat shpesh e kanë ngritur këtë çështje, por deri më tani  nuk është ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e kësaj situate, e cila sipas drejtuesve të automjeteve mund të zgjidhet përfundimisht nëpërmjet ndërtimit të një mbikalimi.

“Zgjidhja më e lehtë dhe më pak e kushtueshme do të ishte ndërtimi i një rrethi, siç bëhet kudo në Evropë”, thotë Sevdi Memini, qytetar nga Struga, i cili punon dhe qëndron përkohësisht  në Zvicër. Ai thotë se radhët e gjata për  kaq pak investim nuk duhet të tolerohen.

Nga ana tjetër, ish drejtuesit e Komunës së Strugës, disa herë kishin theksuar se ky udhëkryq është në kompetenca të “Makedonija Pat”  dhe ky ka qenë shkaku që nuk kanë ndërmarrë hapa për ndërtimin e një rrethi.

Aktualisht Ndërmarrja Komunale ka punuar për zbukurimin e hapësirave në këtë udhëkryq dhe nuk dihet nëse do të ndërmerren hapa të tjerë për zgjidhjen e kësaj problematike në të ardhmen e afërme.

Lajme të ngjashme

Back to top button