RMV, Kuvendi filloi debatin për reformat në arsimin fillor: Reformat janë të domosdoshme dhe nuk guxojnë të ndalen

Reformat në arsimin fillor janë të domosdoshme dhe ato janë vetëm fillimi i reformimit thelbësore të arsimit fillor, kjo u tha gjatë debatit të sotëm publik që filloi në Komisionin për Arsim Shkencë dhe Sport të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Pjesëmarrësit në këtë debat, thanë se modeli i ri i arsimit fillor, do të përfshijë mes tjerash, inkluzivitetin, barazinë, barazinë gjinore dhe multikulturalizmin, shkruan Portalb.mk

Kryeministri Zoran Zaev, i cili po ashtu ishte pjesëmarrës në këtë debat, tha se të gjithë janë nisur në këtë proces nga ambicia që me reformën ta bëjnë arsimin tonë bashkëkohor me model të ri të mësimdhënies, i cili është inspiruar nga sistemet aktuale arsimore në vendet e zhvilluara botërore dhe në Evropë.

“Kuptohet se gjatë përpilimit të këtyre reformave i kemi parasysh edhe gjendjet ekonomiko – shoqërore dhe së bashku me përvojat më të mira arsimore evropiane dhe botërore, jemi në rrugë që të krijojmë model tonë nacional të Maqedonisë së Veriut të arsimit fillor. Në atë proces të krijimit të modelit më të mirë duhet t’i kemi parasysh inkluzivitetin, barazinë, barazinë gjinore, multikulturalizmin dhe disa çështje të tjera që janë segment i modelit tonë autentik “Një shoqëri për të gjithë”. Arsimi është shtylla e asaj se çfarë shoqëri duam të kemi. Këto ditë, përderisa zgjat debati intensiv publik dhe diskutimi i përgjithshëm në shoqëri, dëgjohen zëra të cilët thonë se ngutemi me reformën arsimore, mendimi im është i kundërt, ne jemi vonuar me reformën në arsim. Ato duhej me siguri të ndodhnin më së paku para 10 vitesh, sepse si domosdoshmëri i impononte zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë në të gjitha sferat shoqërore, të cilat kërkojnë arsim i cili do të jetë në hap me këto ndryshime të shpejta, dinamike dhe progresive. Megjithatë, kur them jemi vonuar, nuk them se do t’i përshpejtojmë. Do të punojmë në atë që të dizajnojmë reformë më adekuate arsimore që është në interes më të mirë të fëmijëve”, deklaroi Zaev.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, gjatë këtij debati theksoi se, konkludimin që e kanë sjellë të gjithë bashkërisht gjatë gjithë këtij procesi të debateve, që i parapriu debatit të sotëm publik, është se reformat në arsim janë të nevojshme dhe ky proces nuk guxon të ndalet. Sipas saj, janë të nevojshme sepse janë në interes të gjithë fëmijëve në shtet.

“Procesi nuk guxon të ndalet, sepse çdo vit shkollor, çdo ditë që fëmijët tanë mësojnë nga tekste shkollore jo cilësore duke ndjekur program jo adekuat u lë pasoja të mëdha gjeneratave të reja. Të gjitha hulumtimet vendore dhe ndërkombëtare e vërtetojnë se, fëmijët tanë nuk i arrijnë aftësitë e duhura dhe nuk mund ta zhvillojnë potencialin e tyre të plotë, për shkak të sistemi të keq arsimor. Me reformën e propozuar, ofrohet qasje më e ndryshme ndaj mësimdhënies, ofrohet vëmendje për çdo fëmijë dhe mundësi që ajo ta arrijë potencialin e tij të plotë”, deklaroi Carovska.

Sipas saj, koncepti do të krijojë shkolla që i mëson të rinjtë si të mësojnë, të zëvendësojë qasjen e vjetër të mësimit faktografik dhe do t’i nxis të rinjtë të mendojnë në mënyrë kritike.

“Me konceptin e ri, fëmijët do të mësojnë të zgjidhin probleme me sjelljen e vendimeve, në bazë të analizave dhe fakteve. Përfundimisht, koncepti do të thotë model i ri nacional i Maqedonisë së Veriut, që do t’i mësojë fëmijët në vlerat themelore qytetare siç është multikulturalizmi, respektimi i divergjencave dhe përforcim i barazisë gjinore. Me këtë koncept, për herë të parë vendosim edhe standarde, kompetenca që duhet t’i arrijnë nxënësit gjatë kohës së arsimit fillor, që janë të grupuar në 7 zona edhe atë: edukim gjuhësor, përdorimi i gjuhëve të tjera, matematikë, shkenca natyrore, teknologji, edukim digjital, zhvillim personal dhe social, kulturë demokratike… kjo është ajo e cila u nevojitet të rinjve që të bëhen pjesë e një shoqërie moderne”, tha ministrja e Arsimit.

Anëtarët e komisionit të grupit punues që krijuan draft konceptin, Violeta Petrvska – Beshka dhe Kiril Barbareev, në debatin parlamentar publik të komisionit për arsim, shkencë dhe sport, prezantuan draft konceptin për reforma në arsimin fillor.

Barbareev theksoi se nxënësit në shtetin tonë përballen me probleme shumë serioze si shkrim dhe kuptimi she theksoi se ky është vetëm një fillim i reformave thelbësore.

“A e dini se nxënësit tanë kanë probleme serioze me lexim dhe kuptim, me matematikë, me mendim kritik. Madje, edhe ata që gjatë kësaj periudhe flasin se po shpejtohet me reformën, se nuk ka analiza se, koncepti duhet të largohet, se ka mangësi pedagogjike dhe metodologjike dhe kështu me arrëdhë, në të vërtetë harrojmë një gjë të rëndësishme, ky është koncept, nuk është strategji, nuk është plan aksional. Koncept do të thotë fillim, vizion për shkollë të re. Pesë muajt punë janë në të vërtetë, analizat dhe përvojat e këtyre 20 viteve të të gjithë neve që jemi këtu dhe jashtë kësaj salle dhe pohimet se ndryshimet parciale janë të pamjaftueshme për reformim thelbësor të arsimit fillor, që është i domosdoshëm për vendin tonë dhe më në fund, integrimin e praktikave të mira botërore dhe krijimin e strategjisë me standarde nacionale”, tha Barbareev.

Përndryshe, me konceptin e ri do të kombinohen disa lëndë në një të vetme dhe sipas kompetentëve një gjë e tillë do të jetë në një mënyrë që i përshtatet moshës së tyre, një mënyrë që prish kufijtë e rreptë midis disiplinave dhe një mënyrë që përfaqëson botën, proceset dhe fenomenet në lidhjen dhe unitetin e tij, janë shprehur në vazhdimësi autoritetet arsimoreAta thonë se ndryshimet që janë planifikuar në lidhje me lëndët mësimore, do të fillojnë nga viti i ardhshëm dhe do të futen në klasën e parë dhe në të gjashtën.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i ka propozuar Kuvendit një ligj, me të cilin parashihet që vendi të marrë hua nga Banka Ndërkombëtare për Ripërtërirje dhe Zhvillim në vlerë prej 21,5 milionë euro.

Afati i pagesës është 11 vite, me grejs periudhë prej 3 vite. Huaja do të paguhet në 16 këste gjysëmvjetore të cilat duhet të paguhet më 15 mars dhe 15 shtator çdo vit.

Sipas dispozitave të Bankës Ndërkombëtare për Ripërtërirje dhe Zhvillim, Maqedonia e Veriut si huamarrës ka për obligim t’i paguajë provizion njëherë prej 0,25 për qind të shumës së huas. Ky provizion është 53.750 euro dhe do të paguhet një herë nga mjetet e huas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button