Maqedonia e Veriut synon dekriminalizimin dhe legalizimin e marihuanës, partitë me qëndrime të ndryshme

Qëndrimet e kryeministrit Zoran Zaev për legalizimin e përdorimit të marihuanës, tashmë kanë ngjallur debat në Maqedoninë e Veriut, fillimisht duke u kundërshtuar nga partitë opozitare, derisa partnerët e pushtetit akoma nuk shprehin asnjë lloj qëndrimi në lidhje me qëndrimin e kryeministrit, që mund të bëhet edhe ligj.

Sipas kryeministrit Zaev, një legalizim i tillë do të zhvillojë turizmin në vend, duke e ngritur në nivel të turizmit evropian, ashtu që Ohri dhe qendrat e tjera turistike në vend të ndjekin shembullin e Amsterdamit.

“Ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, pasi kemi të bëjmë me një çështje komplekse. Përfshirja e të gjitha palëve të interesuar do të ndihmonte në gjetjen e një zgjidhje cilësore që mund të sjellë më shumë përfitime për shtetin në aspekt të rregullimit të tregtimit të marihuanës, uljes së krimit, por edhe përfitime ekonomike, para së gjithash për turizmin dhe gastronomitë”, thuhet në njoftimin e qeverisë, raporton REL.

Qeveria ende nuk ka dalë me ndonjë propozim konkret mbi legalizimin, derisa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk ka pranuar të flas në lidhje me këtë temë gjatë javë në TV21. Por, bazuar në deklaratat e kryeministrit Zaev, marihuana do të legalizohej në kushte të caktuara, në kafenetë ekzistuese dhe ato që do të hapen, me standarde të caktuar të ventilimit..

“Ne ende jemi në fazën e konsultimeve. Si deputetë ende nuk kemi marrë asnjë tekst por për këtë çështje sigurisht se do të hapim debat të gjerë, do të ketë ndërhyrje që të kemi një propozim-ligj”, ka deklaruar Jovan Mitrevski, kryetar i Grupit Parlamentar të Lidhjes Social Demokrate.

Opozita debatin për dekriminalizimin dhe legalizimin e marihuanës, e vlerëson si përpjekje të pushtetit për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit nga gjendja e rëndë me pandeminë, por edhe si përpjekje të qeverisë për vënien nën kontroll të këtij biznesi ilegal.

“Kjo është një temë që hapet për shpërqendrim të vëmendjes në një kohë shumë rëndësishme për vendin, si kriza me koronavirusin, ku çdo ditë humbim shumë jetë njerëzish dhe nga më shumë se një mijë të infektuar në bazë ditore. Kjo bëhet për të shpërqendruar vëmendjen edhe nga vetoja bullgare. Ne, ende nuk kemi parë një propozim-ligj, por është e qartë se bëhet fjalë për interesa biznesi duke pasur parasysh se familja Zaev është thellë e zhytur në biznesin e prodhimit të marihuanës”, ka deklaruar Nikolla Micevski, kryetar i Grupit Parlamentar të partisë maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE.

Kundër idesë së kryeministrit kanë dalë edhe partitë e opozitës shqiptare. “Ne nuk mund të lejojmë viktimizimin e jetës së qytetarëve tanë, që familja Zaev të pasurohet edhe më shumë”, thuhet në reagimin e partisë Alternativa.

Derisa partitë kanë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë çështje, Janaki Mitrovski, kryetar i shoqatës për kanabis dhe politika të gjelbra “Bilka”, për Radion Evropa e Lirë thotë se dekriminalizim dhe legalizim të marihuanës duhet të ketë, por jo ashtu siç pretendon pushteti.

“Ne kërkojmë legalizim të plotë të kanabisit. Çdonjëri që përdori atë, të mund edhe të kultivojë tre deri në katër rrënjë nëpër shtëpitë e tyre. Ndërkohë, të gjithë të tjerët që kanë dëshmi mjekësore, bazuar në rregulloren e Ministrisë së Shëndetësisë, se kanë nevojë të përdorim kanabis për trajtim të sëmundjeve, të mund të mbjellin deri dhjetë rrënjë kanabis. Kjo do të ndihmojë shumë përdoruesit e marihuanës pasi momentalisht ajo sigurohet përmes tregut ilegal, ku një gram kushton 8-10 euro, kurse nëse u lejohet që ta kultivojnë vetë, atëherë shpenzimet do të jenë shumë më të ulëta”, thotë Mitrovski.

Sipas tij, nëse legalizimi nënkupton kultivimin vetëm nga subjektet të caktuar, nuk do të arrihej asgjë, madje do të stimulonte edhe më shumë tregun ilegal.

“Një legalizim i tillë jo vetëm që nuk do të ndalonte tregtinë ilegale, por do të nxiste atë edhe më shumë. Pra, në këtë rast as që mund të bëhet fjalë për legalizim, por e kundërta, do të ketë favorizim të grupeve apo individëve të caktuar për të bërë biznes”, thotë Janaki Mitrovski, kryetar i shoqatës për kanabis dhe politika të gjelbra “Bilka”.

Ndryshe, përdorimi i kësaj bime, varësisht prej politikave shtetërore, kryesisht është i ndaluar për qëllime rekreative, por ka edhe shtete të cilat e lejojnë, por me kushte të veçanta. Në Maqedoninë e Veriut, përdorimi i kanabisit për qëllime rekreative është vepër penale që dënohet me burg, ndërkaq lejohet për ato mjekësore.

Shoqata e prodhuesve të kanabisit mjekësor “Makkabanis” në dhjetor kanë dërguar apel deri te partitë më të mëdha politike në vend që urgjentisht t’i miratojnë ndryshimet e Ligjit për kontroll të drogave narkotike dhe substancave psikotrope.

Në emisionin “TopStory”, protagonist të ndryshëm folën për kultivimin dhe tregtimin e kanabisit në Maqedoninë e Veriut. “Në industrinë e prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore, është përfshirë edhe familja e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev. Kushëriri i tij, Trajçe Zaev është njëri nga investitorët më të mëdhenj në këtë industri“, thuhet ndër të tjera në dokumentar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button