“Vjetërsimi i lëndëve”, KOVID-19 e anuloi konferencën e Këshillit Gjyqësor me kryetarët e gjykatave

Rritja e numrit të të infektuarve me KOVID-19 në Maqedoninë e Veriut e ka anuluar mbajtjen e konferencës së paralajmëruar prej Këshillit Gjyqësor me kryetarët e gjykatave në lidhje me aksionin e tyre për pastrimin e lëndëve të vjetra, po shqyrtohet mundësia që e njëjta të mbahet online, shkruan Portalb.mk.

Kiro Zdravev, kryetar i Këshillit Gjyqësor
Kiro Zdravev, kryetar i Këshillit Gjyqësor

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk, thotë se pandemia i ka penguar që ta mbajnë konferencën me kryetarët e gjykatave.

“Po bëjmë analiza dhe kryejmë vizita, kolegët janë në Manastir. Kur të mbarojmë me vizitat do të organizojmë një konferencë me kryetarët e gjykatave, por gjendja nuk na lejon. Duhej që sot dhe nesër ta bëjmë atë, por shiheni tani çfarë po ndodh. Kemi 34 gjykata, 34 kryetarë të gjykatave, plus 12 anëtarë të Këshillit Gjyqësor, ajo është shumë. Për këtë e kemi anuluar, në vend që nesër, do të shohim të qetësohet situata me pandeminë”, thotë Zdravev.

I pyetur nëse kjo konferencë mundet që të mbahet nëpërmjet platformave online, Zdravev u përgjigj se do ta shqyrtojnë këtë mundësi.

Për vjetërsimin e lëndëve ai thotë se do të shihen rrethanat, nëse kanë qenë objektive apo subjektive. Në rast se ka arsyetime subjektive, atëherë mund të ketë edhe përgjegjësi për gjykatësit.

“Pres që kryetarët e gjykatave, atje ku ka lëndë të vjetra dhe të pazgjidhura të përgatisin program dhe plane aksionale me dinamikë për zgjidhjen e lëndëve dhe kontroll, fillimisht nga kryetari i gjykatës dhe së dyti nga Këshilli Gjyqësor se sa janë realizuar ato programe. Përveç kësaj do të shihen edhe arsyet e mosrealizimit të programit, nëse janë objektive apo subjektive. Nëse janë objektive, ne si Këshill Gjyqësor do të shohim të ndihmojmë që të zgjidhen, por nëse subjektive do të shohim më tej nëse ka përgjegjësi ose jo për gjykatësin”, thotë Zdravev duke porositur se në të ardhmen do të shpeshtohen këto kontrolle, ndërkaq qëllimi është që më të mos vjetërsohen lëndët.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor paraprakisht deklaroi për Portalb.mk se pas iniciativës për mbledhjen e të dhënave nga gjykatat në lidhje me lëndët e vjetërsuara dhe lëndët e vjetra që nuk janë zgjidhur nëpër gjykatat e Maqedonisë së Veriut është fakt se ka rritje të numrit të zgjidhjes së lëndëve të vjetra, thotë kryetari i Këshillit Gjyqësor

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, pas thirrjes së kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev, që Këshilli Gjyqësor ta vlerësojë përgjegjësinë e gjykatësve për vjetërsimin e disa lëndëve, kryetari Kiro Zdravev dorëzoi shkresa te kryetarët e gjykatave që të njëjtit t’i dorëzojnë të dhënat për numrin e lëndëve të vjetra që nuk janë zgjidhur dhe lëndëve të vjetërsuara.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Supreme – Shkup

Në kumtesën e nënshkruar nga Zdravev, thuhej se në interes të kthimit të besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor, në pajtim me dispozitat e nenit 36 nga Ligji i Këshillit Gjyqësor, Këshilli Gjyqësor kërkon njoftim nga kryetarët e gjykatave:

  • Numrin e lëndëve të pazgjidhura ndër vite, llojet dhe gjykatësit
  • Lëndët e vjetra penale me arsyetimin për vjetërsim
  • Çfarë masa janë ndërmarrë nga kryetarët e gjykatave për zgjidhjen e lëndëve të vjetra, në pajtim me programin dhe planin aksionar për zbatimin e programit.

Të dhënat e njëjta, kryetarët e gjykatave kanë pasur afat që të njëjtat t’i dorëzojnë 27 dhjetor.

Më 15 dhjetor 2019, kryeministri i atëhershëm tha se na duhet gjyqësor që merr vendime, e jo gjyqësor që vjetërson lëndë.

Gjykata Themelore - Shkup
Gjykata Themelore – Shkup

Më 1 dhjetor 2019, Zaev paralajmëroi masa kundër gjyqësorit, duke thënë që koha është të përballen me qytetarët, të pastrohen të pandershmit.

Kritika të ashpra për gjendjen e gjyqësorit ka dhënë edhe presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit në Kuvend, i cili porositi pushtetin e ri që do të zgjidhet nga zgjedhjet e parakohshme të vitit 2020 të fillojë me pastrimin e gjyqësorit, por fillimisht me pastrimin e politikanëve.

Se në çfarë gjendje e kemi gjyqësorin, tregon edhe anketa e Institutit Republika Ndërkombëtar (IRI), sipas të cilës 79 përqind e qytetarëve nuk kanë besim në gjyqësorin dhe ky është nivel rekord negativ, që nuk e ka asnjë shtet në rajon.

Reformat në pushtetin gjyqësor vazhdojnë të jenë pika e zezë e  të gjitha pushteteve të deritanishme, të cilat nuk arritën që ta ndajnë nga ndikimet politike. Pandemia e virusit korona i la në hije këto reforma, të cilat përveç se janë të rëndësishme për vetë funksionimin e shtetit ligjor, janë dhe kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e vendit në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button