Maqedonia e Veriut ka fantom në Qeveri

Më shumë se një vit nevojitej të krijohet ueb-faqja e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Që kur u formua, ekziston një “vrimë e zezë” lidhur me aktivitetet e saj që e bën fantom të llojit të vet në Qeveri. “Shpejtësia” e themelimit të ueb-faqes zyrtare vetëm e zmadhon enigmën për çështjen çfarë punon kjo ministri, veçanërisht nëse merret parasysh që është ndër rekorderët për nga numri i të punësuarve. Për këtë problematikë kemi kërkuar përgjigje nga institucionet kompetente dhe nga ekspertë të cilët një periudhë më të gjatë e ndjekin punën e administratës, shkruan Nova Tv, transmeton Portalb.mk.

Ministria e re deri para një jave nuk kishte ueb-faqe. Rastësisht ose jo, ajo është vendosur “në ekspres mënyrë” ditëve të kaluara pasi nga organet kompetente kërkuam përgjigje përse pas një viti nga formimi i këtij institucioni, i njëjti nuk figuron në internet. Arsyetimi zyrtar është që për shkak të nevojës për përpunimin dhe mbindërtimin e të njëjtës, ueb-faqja nuk ka funksionuar një kohë të caktuar.

Gjysmë miliardë denarë për të punësuarit

Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive me forca të bashkuara dhe dy të tretë të shumicës prej 80 deputetësh e formuan partitë parlamentare më 27 mars 2019, duke e transformuar Sekretariatin e atëhershëm për zbatim të marrëveshjes kornizë. Në atë, ka 1.406 punonjës për pagat e të cilëve harxhohet pothuajse  buxheti vjetor. Përkatësisht për vitin 2020 buxheti i kësaj ministrie është 542.785.000 denarë, ndërsa prej tyre shpenzimet e përgjithshme për të punësuarit janë në vlerë prej 523.665.000 denarë.

Nga Ministria thonë që në numrin e përgjithshëm të punonjësve janë përfshirë edhe nëpunës të paraparë të sistematizim nëpër institucionet tjera të sektorit publik. Deri tani janë risistemuar 94 persona, ndërsa pas formimit të Qeverisë së re, thonë që do të vazhdojë procesi i ndërmarrjes. Lidhur me këtë çështje, mund të ndihet revolt në përgjigjet nga ministria prej nga sugjerojnë që në disa institucione përballen me bojkot lidhur me ri-sistematizimin.

“Ka institucione të cilat pavarësisht vendimit të Qeverisë për ndërmarrje të punonjësve nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, vazhdojnë të mos bashkëpunojnë dhe njëkohësisht të mos përgjigjen ndaj obligimit për ndërmarrje, megjithëse kanë nevojë për ata, përkatësisht krahas asaj që në këto institucionet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është larg nga niveli i duhur i obliguar sipas ligjit. Kjo sugjeron që edhe më tutje vazhdon tendenca e aplikimit dhe respektimit selektiv të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por edhe mungesë të vullnetit politik për ndërmarrje të punonjësve”, thonë nga Ministria.

Krijim artificial

Profesorë universitar të cilët mirë njohin problemet lidhur me organizimin e administratës në Maqedoni pajtohen që formimi i kësaj ministria nuk ka logjikë. Sipas Borçe Davitkovski, profesor në Fakultetin Juridik, bëhet fjalë për ministri artificiale, të punësuarit e të cilës janë prodhim fiktiv. Ai thotë që në prapavi fshihen rreth 1.500 persona të cilët aspektin formal-juridik me vite janë të punësuar dhe marrin rrogë, por nuk shkojnë në punë.

“Numri i të punësuarve në Ministrinë për Sistem Politik nuk besoj të jetë më tepër se 20-30 njerëz, për shkak se është resor i ri. Ndërsa prej atyre 1.500 personave që nuk punojnë, disa janë nëpër Zvicër, Austri, Gjermani, të ashtuquajtur të punësuar sipas marrëveshjes kornizë. Ajo shifër për fat të keq mbetet e tillë. Kjo është ministri artificiale dhe mendoj që është shumë humbëse për buxhetin. Ministria nuk ka as hapësirë, as vend ku t’i sistemojnë ata 1.500 persona. Ata dukshëm edhe më tutje nuk vijnë në punë. Kjo është ministri fiktive dhe vlerësoj që duhet të abrogohet”, thotë Davitkovski.

I ngjashëm është qëndrimi edhe i koleges së tij, profesoresha Ana Pavllovska Daneva. Ajo thotë që procesi i krijimit të kësaj ministrie, kalimi i nëpunësve dhe punësimet e reja eventuale është realizuar në procedurë krejtësisht jo transparente dhe të shpejtë. Pa asnjë argumentim juridik, politik dhe ekonomik dhe pa debat dhe diskutime publike.”

“Vetëm politikanët, deputetët të cilët mbase lehtë kanë arritur të formojnë dy të tretën e shumicës për krijim të kësaj ministrie dhe liderët e kësaj shumice qeveritare mund t’i tregojnë argumentet e tyre politike për atë – cila ka qenë nevoja për krijim të kësaj ministrie dhe “mbushjen” e saj me numër aq të madh të punonjësve”, thotë Pavllovska Daneva.

Të mbështjellë në jo transparencë

Përveç që deri para disa ditëve nuk kishte ueb-faqe, e pamundur është ministria e re të gjendet në internet vetëm duke shkruar emrin e vet, ndërsa nuk ka profile në Fejsbuk, Tuiter dhe Instagram, as në Jutjub-kanal.

Nga Qeveria sqarojnë që vendimin për mënyrën e komunikimit me opinionin e sjell secili institucion veçmas.

“Qeveria dhe Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë angazhohen për punë transparente dhe e vënë në pah rëndësinë e komunikimit të rregullt me të gjithë qytetarët”, thonë ata.

Profesoresha Pavllovska Daneva, vlerëson që jo transparenca gjatë krijimit, vazhdon edhe në punën e deritanishme të kësaj Ministrie.

“Është obligim i secilit organ të administratës shtetërore t’i publikojë të gjitha aktet, dokumentet, planet, programet dhe gjithçka tjetër lidhur me punën e vet. Shërbimet që ua ofron qytetarëve, mënyra si fitohen ato shërbime, komunikimi elektronik, procedurat administrative dhe ngjashëm. Së këtejmi, nuk është e qartë çka punon kjo Ministri dhe konkretisht, cilat shërbime na i ofron neve, qytetarëve, për të cilët ekziston secili organ i drejtorisë”, thotë Pavllovska Daneva.

Ajo shton që po aq përgjegjësi kanë edhe ata që kanë për detyrë të monitorojnë punën e këtij organi.

Në internet faqen nuk ka informata dhe detaje transparente, publike për detyrat e punës së tërë aparatit burokratik, ndërsa megjithatë ka hartë, nuk mund të gjenden emrat me përjashtim të tre funksionarëve – ministri, zëvendësi i tij dhe sekretari shtetëror.

Nga ministria thonë që ekziston rregullore për sistematizim në vende të punës, si dhe rregullore për organizim të brendshëm.

“Për shembull, sipas Kodit etik të anëtarëve të Qeverisë, secili funksionar i cili nuk e plotëson këtë obligim ligjor (punë transparente e organit me të cilin udhëheq) duhet të thirret në përgjegjësi. Gjithashtu, Agjencia për qasje të lirë tek informatat duhet ta mbajë listën e organeve dhe të dhëna të cilat ata kanë për obligim t’i publikojnë dhe t’i kontrollojë në atë pjesë. Komisioni për sistem politik pranë Kuvendit gjithashtu mund dhe duhet të ushtrojë mbikëqyrje. Ministri përgjegjës për informata dhe transparencë, MSHIA, Komisioni shtetëror për parandalim të korrupsionit etj., të gjitha këto institucione kanë kompetencë, nëse kanë edhe vullnet dhe kapacitet ta bëjnë transparente punën e resorit të sapo themeluar.”, thotë Pavllovska-Daneva.

“Njëra rregullore veç është publikuar në internet faqen, ndërsa për tjetrën pritet përkthimi në shqip dhe anglisht dhe e njëjta do të publikohet”, thonë nga ministria.

Sabina Fakiq nga Qendra për komunikime qytetare shumë saktë e detekton papërgjegjësinë e kësaj ministrie.

“Në internet faqen e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive mungojnë pjesë e konsiderueshme e informative të cilat vlerësohen si relevante në vlerësimin e transparencës aktive të institucioneve. Në ueb-faqe nuk janë publikuar të dhëna bazë për kontakt të personit përgjegjës për ndërmjetësim, me informata, pastaj listë e informatave me karakter publik të ministrisë, si dhe mënyrën si mund të fitohen ato informata. Më tutje, nuk është publikuar listë e personave të punësuar dhe udhëheqësit me kontaktet e tyre, pastaj personi për kontakt me person të autorizuar për paraqitje të mbrojtur të brendshme.”, thotë Fakiq.

Profesori Davitkovski nuk është aspak i çuditur për jo transparencën e ministrisë.

“Megjithatë nuk ka përse të ketë çfarë do të publikuar në atë internet faqe. E formuan ministrinë, emëruan ministër, supozoj që ka njëfarë kabineti aty dhe me atë ka përfunduar. Thjeshtë, kjo gjë është jashtë sistemit tonë administrative, e dini, dru i mbjellë, i cili organikisht nuk i përket pushtetit tonë ekzekutiv”, thotë Davitkovski.

Barsoletë politike dhe ministri për asgjë

Në kushte kur në Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive nuk dihet kush çka punon, nëse në përgjithësi të punësuarit shkojnë në punë dhe sforcohet ri-sistematizimi i tyre nëpër institucionet tjera, premtimet për zvogëlim të numrit të punonjësve në administratë dhe për transferim të tyre në sektorin privat tingëllojnë sikur barsoletë politike.

“Konsiderojmë që ai është proces kompleks që kërkon kohë, konsultime, analiza detajore dhe më të gjera të cilat do të prodhojnë konkluzione me zgjidhje bazike, ndërsa jo zgjidhje të shpejta”, thonë nga ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë prej nga vjen ideja për kalim të një pjesë të administratës në kompanitë private.

Nga Qeveria, sidoqoftë ngelin në pohimin që përbërja e re qeveritare do ta zvogëlojë numrin e të punësuarve në administratën publik për 20%.

Megjithatë, Davitkovski nuk është optimist që shpejtë do të nis ai transferim i administratës në sektorin privat.

“Cili biznesmen privat do të marrë ndonjë nga administrata që nuk shkon në punë?”, thotë Davitkovski.

Ai shton që urgjentisht nevojitet të rregullohet gjendja në administratë.

“Jo për tjetër, tani do të fillojmë negociatat me BE-në. Kur të vijnë burokratët, kur të shohin ministri, kur të shohin aq njerëz, kur të shohin që s’ka asgjë, as ueb faqe, asgjë, as zëdhënës, as person për qasje tek informatat me karakter publik, thjeshtë do ta kuptojnë që ky është krijim artificial”, thotë Davitkovski.

Sa i përket çështjes nëse në Qeverinë e re është e mundur me zvogëlimin e numrit të ministrive të përfshihet edhe Ministria për Sistem Politik, aty thonë që ende është herët për emërim të ministrive që do ta përbëjnë Qeverinë e re.

“Abrogim apo formim i ministrisë së re është vendim që miratohet me 2/3 e shumicës, përkatësisht do të duhet pajtim edhe nga opozita. I tillë ishte rasti edhe gjatë formimit të Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive. Deri tani nuk ka nismë për abrogim të kësaj ministrie” thonë nga Qeveria.

Profesori Davitkovski praktikisht i bën replikë Qeverisë, duke vënë në pah shembuj të demokracive më të maturuara, siç është Britania e Madhe.

Padyshim, unë jam i qëndrimit se Maqedonisë nuk i duhen më tepër se 12, 13 resorë ministrorë. Kur Qeveria e Britanisë ka aq, ne jemi me 16 resorë, pra kjo është e tepërt. Kjo është gjë e keqe, tani u paralajmëruan reforma, ndërsa të mos ulet numri i ministrive, ata ministra pa resor, që askund në Evropë nuk ekzistojnë 30 vite, por te ne ata i kemi me bollëk. Për pazar të partnerëve të koalicionit, jo për diçka tjetër. Aty ka romë, turq, boshnjak – ministra të cilët ne nuk i njohim. Prandaj qeveria shkon deri në 23 anëtarë. Qeveri funksionale, ja ajo britanike ka 12, edhe e jona le të jetë me 15, me kryeministër dhe një zëvendës dhe kaq. Ajo është qeveri funksionale, ndërsa kjo tani në Maqedoni nuk është aspak”, thotë Davitkovski.

Qëndrimi zyrtar i Ministrisë për Sistem Politik është që nevoja për themelim të institucionit të tillë nuk ka qenë e rastësishme, por është rezultat i analizës cilësore mbi Marrëveshjen kornizë të Ohrit, për kohezion social.

Por, domethënia e ekzistimit të Ministrisë për Sistem Politik mund të jetë edhe ndryshe nëse kërkohet përgjigje në pyetjen çfarë ka punuar nga themelimi deri sot. Profesoresha Ana Pavllovska – Daneva me përgjigje të shkurtë: “Duke pasur parasysh të dhënat të cilat (nuk) i kemi në dispozicion – asgjë!”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button