Komuna e Çairit thotë se “personi i panjohur” ndërton objekt ilegal në QT “Mavrovasja”, vendimi për rrënim duhet të kalojë disa procedura

Vendimi për rrënimin e objektit që po ndërtohet pa leje te lokali “Fontana” në QT “Mavrovasja” në Shkup, nuk ka hyrë akoma në fuqi, sepse nuk është konstatuar se kush po i realizon ndërtimet. Në objektin po punohet në mënyrë intensive dhe është afër përfundimit. Pas kontrolleve të kryera nga ana e inspektorëve, është konstatuar se ndërtimet kryhen në mënyrë ilegale, megjithatë Komuna e Çairit, siç thotë “nuk ka arritur që të konstatojë se kush qëndron pas këtyre ndërtimeve.”

Nga Komuna e Çairit kanë thënë për Portalb.mk se, vendimin për rrënimin e objektit e kanë miratuar më herë, megjithatë akoma asnjë investitor nuk ka marrë përgjegjësinë se kryen ndërtimet në fjalë. Në këtë mënyrë, siç thonë, komuna ka hasur në pronar të paidentifikuar dhe kjo ka zvarritur procedurat e rrënimit të objektit.

Objekt pa leje “Fontana”

Ligji parasheh që në raste të këtillë, vendimi për rrënim të shpallet në gazetë ditore dhe më pas, vijon afati për të drejtë ankese nga ana e pronarit dhe pas kësaj të veprohet nga ana e komunës.

“Vendimi është sjellë prej më herët, kemi pasur tentativë që të dorëzojmë vendimin për rrënim te pala por, kur kemi dalë në terren askush nuk e ka marrë përgjegjësinë se është investitor i objektit. Për atë shkak, vendimi për rrënim është në emër të personit të paidentifikuar, të panjohur. Dje kemi pasur tentativën e fundit për ta dorëzuar aktvendimin dhe e kanë marrë aktvendimin por nuk e kanë nënshkruar pranimin. Sot vendimi është shpallur në gazeta ditore, dy maqedone dhe një shqipe. Shpallja do të dalë sot dhe nesër, dy ditë, duhet ta shpallim edhe në gazetë të komunës. Pas asaj, momentin kur mbaron shpallja, pala ka të drejtë tetë ditë që ta heq vetë objektin. Nëse në afat prej tetë ditësh, duke numëruar prej të premten, nuk e largon objektin, atëherë ka ingerenca komuna që të veprojë”, thonë nga Komuna e Çairit.

Aktvendimi i shpallur në gazetë

Më tej, prej atje kanë shtuar se, në atë lokacion ka objekt të legalizuar nga ana e komunës dhe pronari i objektit të legalizuar dihet, megjithatë nuk mund të konstatohet se i njëjti pronar po kryen ndërtimet ilegale.

“Por, ne nuk mund të konstatojmë se është i njëjti pronar. Kur kanë dalë në terren inspektorët, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë se unë jam investitori dhe këtu ndodh zvarritja e procedurës, për shkak se ne duhet të bëjmë dorëzim të aktit të një personi të panjohur dhe në këto raste ka procedura të caktuara, patjetër të shkojë me shpallje”, deklaruan nga kjo komunë.

Por pasi që dihet kush është pronari, për dallim prej komunës, Portalb.mk tentoi të kontaktojë drejtpërsëdrejti me pronarin e lokalit “Fontana”, por ai nuk është përgjigjur as në telefonatën dhe as në pyetjen e dërguar përmes sms-porosisë sonë.

Në lidhje me këtë çështje, ka reaguar edhe Qyteti i Shkupi,i cili në momentin e parë që ka marrë informata se po ndërtohet diçka në atë lokacion,  kanë dërguar inspektoratin e Shkupit në terren, që të kontrollojë terrasën, por kur ka parë që bëhet fjalë për ndërtim, atëherë ka informuar Inspektoratin Shtetëror dhe Komunën e Çairit.

Kryetari, Petre Shilegov, dje në profilin e tij në Facebook, publikoi vendimin që ka marrë nga ana e Këshillit Inspektues që ndërtimet të mbikqyren nga ana e inspektoratit shtetëror dhe inspektoratit komunal ndërtimor.

“Qyteti i Shkupit, me kërkesë time, që në 09.07.2020 ka reaguar në inspektoratet kompetente për ndërtimet ilegale te Mavrovasja. Sot kam marrë përgjigje nga Këshilli Inspektues, për mbikqyrje inspektuese të përbashkët të inspektoratit shtetëror dhe inspektoratit komunal ndërtimor. Ndërtimet ilegale te Mavrovasja duhet të përfundojnë”, ka shkruar Shilegov në Facebook.

Këshilli Inspektues

Nga ana tjetër, nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë për Portalb.mk se, SPB Shkup ka ndërmarrë aktivitete për të konfirmuar nëse ka elemente të veprës penale dhe për këto aktivitete ka informuar Prokurorinë Publike.

“SPB Shkup – Njësia për krim ekonomik dhe kompjuterik në lidhje aktivitetet ndërtimore ilegale në rajonin e QT “Mavrovasja”, ka ndërmarrë masa adekuate dhe aktivitete për konfirmimin e elementeve të veprës penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare sipas nenit 244 – a “Ndërtim joligjor”. Për masat dhe aktivitetet e ndërmarra është dorëzuar njoftim me shkrim në Prokurorinë Publike në pajtueshmëri me ligjin për procedurë penale”, kanë thënë nga MPB.

Objekti në fjalë po ndërtohet në lokacion ku ka qenë i pozicionuar më herët lokali “Fontana”, i cili muaj më parë u përfshi nga zjarri. Zjarri përfshiu gjithçka duke lënë vetëm skeletin e strukturës metalike të lokalit afër përmendores së Hasan Prishtinës.

LEXO: Zjarri e ka kapluar një kafiteri në Q.T. Mavrovasja (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button