Hashim Thaçi mbërrin në Kosovë
![Hashim Thaçi](https://i2.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2020/07/13077030_1048751965195162_2829015668430193082_n.jpg?fit=595%2C595&ssl=1)
Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi tashmë ka arritur në Kosovë. Ai është pritur në pikën kufitare në Morinë nga mijëra qytetarë nën thirrjet UÇK – UÇK, transmeton RTK.
Organizatat e dala nga lufta Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mijëra qytetarë takuan në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri në Morinë presidentin Hashim Thaçi i cili u rikthye nga Haga nëpërmjet aeroportit ‘Nënë Tereza’ në Tiranë.
Në një moment presidenti Thaçi ka dalë nga makina dhe ka përshëndetur turmën e madhe të njerëzve.
Thaçi u kthye nga Haga ku u intervistua nga Dhomat Speciale. Muajin e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.