Daçiç mori atë që deshi në Bruksel

Kryeministri serb, Ivica Daçiç duket se ka arritur atë që e ka synuar në Bruksel, në takimin e së mërkurës me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi.

Daçiç ka deklaruar se në dialogun e së mërkurës në Bruksel është arritur marrëveshja që serbët e Kosovës të dalin në zgjedhjet e 3 nëntorit me dokumentet ekzistuese personale dhe së është arritur përparim për formimin e policisë në komunat serbe.

Pas bisedimeve me kryeministrin Thaçi dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së Catherine Ashton, Daçiç ka thënë se në zgjedhjet lokale në Kosovë do të mund të marrin pjesë edhe të gjithë serbët e zhvendosur, pra edhe serbët e Kosovës të cilët aktualisht jetojnë në Serbi , si dhe ata që kanë lindur në Kosovë.

Daçiç ka thënë se është arritur edhe marrëveshja për operacionalizmin e plotë të komandantit rajonal të policisë, që do të jetë serb, në veri të Kosovës.

“Jemi pajtuar po ashtu, që policët serbë të punësuar në Policinë e Kosovës, nuk kanë nevojë të marrin shtetësinë e Kosovës dhe nuk do ta bëjnë betimin e Kosovës”, ka thënë Daçiç.

Ndërsa, lidhur me çështjen e energjetikës dhe telekomunikacionit, Daçiç ka thënë se është arritur përparim, por jo edhe ndonjë marrëveshje konkrete. /Telegrafi/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button