Gjuriqi, pjesë e aparatit të dhunës së Milosheviqit
Milazim Mustafa thotë se është tmerruar të martën kur ka marrë vesh se Nenad GJuriqi është emëruar drejtor i policisë për katër komunat me shumicë serbe në veri. Atij i janë kthyer në mendje vuajtjet dhe dhuna që kishte përjetuar nga vëllai i tij, Dragan Gjuriqi 15 vjet më parë.
Milazim Mustafa nga Obria e Skënderajt, ishte zënë më 26 shtator 1998 në Baicë të Drenasit së bashku me një grup fshatarësh, kur ishte 19 vjeç. Ishte çuar në Drenas, pastaj në Skënderaj dhe më vonë në Mitrovicë. Tri ditë e tri nëtë ishte rrahur me tri lloj shkopinjsh nga Dragan Gjuriqi, i cili e kishte detyruar të pranonte vepra që nuk i kishte kryer kurrë. Kishte pranuar se ka marrë pjesë edhe në vrasjen e katër policëve serbë atë kohë në Serbi.
“Për shkak të dhunës së madhe, kam pranuar gjithçka”, shprehet ai.
Reagimin mospajtues Mustafa e ka bërë për shkak se Gjuriqi i emëruar në postin e drjetorit rajonal të policisë në veri të Kosovës kishte qenë pjesë e Policisë së Serbisë, e cila kishte ushtruar dhunë e terror mbi shqiptarët sistematikisht.
Dragani i ishte prezantuar atij si shef i sigurimit shtetëror për rajonin e Rashkës që përfshinte edhe rajonin e Mitrovicës. Gjatë rrahjes dhe marrjes në pytje aty kishte shkuar edhe Nenad Gjuriqi.
“Ky është vëllai im. Nenadi. Punon në Polici”, tregon ai momentin e prezantimit.
Gjatë tri ditëve të marrjes në pytje dhe rrahjeve, drejtori aktual i Policisë në Mitrovicë kishte qenë i pranishëm. Milazim Mustafa thotë se ai është marrë me shqiptarët tjerë në dhomat tjera, numri i të cilëve ishte rreth 30, shkruan Koha Ditore.