VMRO-DPMNE: Sela nuk do t’i kyç maqedonasit në qeverisje

Kryetari i Komitetit të Strugës së VMRO-DPMNE, Pero Petkoski ka deklaruar se kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela po e çon Strugën drejt zgjedhjeve të reja, edhe pse siç thotë ai ato nuk do të ndryshonin asgjë, përveçse do të ishin harxhim për qytetarët.

Ai akuzon kryetarin e Komunës së Strugës, se nuk është i gatshëm që t’i kyç në qeverisjen lokale maqedonasit dhe në këtë kontekst përmend shkarkimin nga posti i drejtorit të shkollës së Podgorcit, Fadil Sherifoski, dhe të çerdhes së fëmijëve “8 Marsi”, në Strugë.

“Pas shkarkimit kundërligjor të drejtorit të shkollës “Goce Dellçev” të Podgorcit, tani është ndërmarrë edhe një veprim kundërligjor edhe në shkarkimin e drejtorit të çerdhes “8 Marsi”. Atje është emëruar ushtrues i detyrës së drejtorit, edhe pse Këshilli drejtues me 2/3 e votave, ka emëruar në këtë post, një person tjetër”, ka deklaruar Petkoski.

Ai më tej thekson se “Koalicioni për Strugën së Bashku” është i gatshëm për zgjedhje të reja edhe pse si koalicion, siç thotë ai, ka ofruar dorën  e bashkëpunimit dhe këtë e ka dëshmuar me votimin e një vendimi që ishte premtim parazgjedhor i Selës. Por, të gjitha këto bien në ujë pas marrjes së vendimit për shkarkimin e drejtorit të  çerdhes “8 Marsi”, përfundon Petkoski.

Lajme të ngjashme

Back to top button