Brazili finalisti i parë (VIDEO)

Brazili para mbi 42 mijë shikuesve ka arrit të siguroj një biletë për në finalen e Kupës së Konfederatave, pasi që triumfoi me rezultat 2:1 kundër Uruguait.

Uruguaianët kishin rastin më të mirë në ndeshje për të kaluar të parët në epërsi, pasi që në minutën e 14-të ishte akordua 11 metërsh në dobi të tyre. Përgjegjësinë për ta ekzekutuar e morri sulmuesi Diego Forlan, i cili nuk ishte i saktë në saje të një intervenimi mbresëlënës të portierit të brazilianëve, Julio Cesar.

Në vazhdim të ndeshjes edhe pse dominoi ‘Seleçao’ uruguaianët patën disa raste të mira për konkretizim. Por, golin e parë në ndeshje e shënuan brazilianët me anë të sulmuesit Fred në minutën e 41-të, me çka në pushim u shkua me rezultatin e pjesës së parë 1:0.

Me të filluar pjesa e dytë, pas një kombinimi të mirë të lojtarëve të Uruguait, këta të fundit barazuan rezultatin në 1:1, me golin e sulmuesit, Edinson Cavani.

Pas barazimit të rezultatit, duket se brazilianët e kërkuan më shumë kualifikimin për në finale. Këtij synimi ia arritën në saje të golit të mesfushorit, Paulinho tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt të ndeshjes, ndërsa kësaj radhe asistimi ishte i Neymar.
Brazilianët në finalen e ditës së diele do të takohen me fituesin e çiftit Spanjë – Itali, ndeshje kjo që luhet sonte në ora 21:00.

Lajme të ngjashme

Back to top button