Dollogozhda, vendbanim me rrënjë të thella në histori

Fshati Dollogozhdë i Strugës  shquhet për thesarin arkeologjik që mban në nëntokën e tij. Është e njohur se në këtë vendbanim ndodhet  nekropoli i “Setelisë“, në të cilin për një kohë janë bërë gjurmime arkeologjike. Këtyre viteve  të fundit, ndërkaq këtij vendbanimi do të mund t’i shtohet edhe një lokalitet tjetër arkeologjik, duke  shtuar kështu gjurmët e trashëgimisë kulturore të banorëve të tij.

Në fakt, banorët e Dollogozhdës ka kohë që dinë se në thellësitë e tokës së vendbanimit të tyre ka plot relike nga e kaluara. Kjo sepse  atyre shumë shpesh u ka ndodhur që të gjejnë objekte  që dëshmojnë për vazhdimësinë e jetës  në këtë vendbanim, që nga koha romake dhe në periudha të ndryshme të zhvillim të shoqërisë njerëzore në vazhdim.

 Kështu banorët të cilët në  pronën e tyre kanë gjetur gjësende mendojnë se nën truallin e pronës së tyre fshihen gjurmë të trashëgimisë kulturore të  këtij vendbanimi dhe banorëve të tij. Për këtë ata i kanë informuar edhe specialistët e kësaj fushe, ndërsa pas rekognoscimit të terrenit nga ana e Muzeut të Strugës është forcuar bindja se në pronat e tyre ndodhet një objekt i kohës romake, që në gjuhën shkencore quhet Villa Rustica,

  Zoran Jullovski nga Muzeu i Strugës, thotë se objekti është i ndërtuar me gur dhe qeramikë, dhe shton se mendimi i prof, Vera Bitrakova- Grozdanova është se  kjo vilë fushe mund të jetë ndërtuar nga ndonjë ushtarak, veteran i ushtrisë romake, pasi është liruar nga ushtria.  Ai gjithashtu thekson se ky është objekti i vetëm i këtij lloji në rajonin e Strugës dhe të Ohrit.

 Pronarët e trollit në të cilin gjendet Villa Rustica kanë gjetur  një shqiponjë dhe një figurë  tjetër gruaje. Prona ku mendohet të jetë Villa Rustica, ndodhet përkrah  nekropolit të “Setelisë“, ndërsa  Jullovski thotë se  Vila, Kalaja dhe nekropoli janë argumente të mjaftueshme që të mendohet se  në këto hapësira mund të ndodhet një vendbanim mjaft i hershëm. 
 
Dr. Mixhait Pollozhani, ndërkaq thekson se lokaliteti “Setelia” që në literaturë haset me toponimin “Shën Ilia” si nekropol, kronologjikisht është përcaktuar se i përket periudhës ilire, helenistike, romake dhe mesjetare, Hulumtimet arkeologjike në këtë lokalitet janë realizuar nga viti 1979 deri në vitin 1990 nga ana e Muzeut Popullor të Strugës dhe në drejtimin e arkeologes, Dr. Vera Bitrakova – Grozdanova. 

“Gjurmët e materialeve ndërtimore e sidomos të elementeve të plastikës arkitektonike që zbulohen herë pas here kanë nxitur supozimin se në këtë lokalitet duhet të kërkohet një objekt sakral palokristian”, ka vlerësuar Pollozhani duke shtuar se në pronën ku shtrihet një pjesë e konsiderueshme e lokalitetit në fjalë, janë evidentuar disa materiale skulpturale, siç është  një skulpturë prej mermeri të bardhë, pjesërisht të dëmtuar, në të cilën paraqtiet një shpend që ngjet me shqiponjen, i cili  duhet t’i përkasë antikitetit të vonë. 

Nga ana e pronarëve të tokës ku shtrihet nekropoli, në vitin 2002 gjatë gërmimit u zbuluan rrënojat e një objekti i cili kishte një sistemi hipokaustik, që sipas mënyrës arkitektonike i përket periudhës së antikitetit të vonë. Ky objekt supozohet të jetë një objekt i tipit “villa rustica”.  pohon Pollozhani, duke shtuar se  në këtë lokalitet vazhdimisht hasen edhe gurëz të mozaikëve por edhe elemente tjera arkitketonike të ndonjë objekti sakral. 

Nga ana tjetër, ish drejtuesi i Muzeut të Strugës, Nebi Arifi vlerëson se nëse gjurmimet arkeologjike vazhdojnë pa ndërprerje,  ky vendbanim mund të bëhet një “gjetje” e vërtetë arkologjike, që do të mund t’i sjellë shumë gjëra të mira atij. Arifi, ndërkaq shton se  në këtë lokalitet  nuk janë zhvilluar sa duhet gjurmime, të cilat mund të jepnin më shumë informacione shkencore për  vendbanimin në fjalë, por edhe për banorët  hershëm të tij, ndërsa situata në këtë drejtim bëhet më problematike, kur shqiptarët nuk janë pjesë të këtyre institucioneve.
 

Lajme të ngjashme

Back to top button