Takimi i liderëve: Zgjedhje po, por pa tubime politike

Oliver Spasovski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut sot organizoi takim me liderët politik, ku u diskutua për zhvillimin e procesit zgjedhor gjatë kohës kur virusi korona tashmë është shpallë si një pandemi, transmeton Portalb.mk.

“Vlerësojmë se nuk ka nevojë të marrim vendime të këtilla. Biseduam për masat, për atë se çfarë duhet të ndërmerret, për përgjegjësinë dhe u dakorduam se për çdo gjendje të re që do  ta kemi, do të ulemi do të bisedojmë për gjithçka në na pret”, tha Spasovski, duke sqaruar se nuk është marrë vendim për anulimin e zgjedhjeve.

Ai sqaroi se partitë politike duhet të kenë kujdes për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Stoqet rezervë janë të mbushura në mënyrë përkatëse, që është detyrim ligjor, mundësi dhe absolutisht qytetarët nuk duhet të kenë kurrfarë frike. U bëj apel se sjellje e ndërgjegjshme  do të thotë dhe se nuk duhet t’i përmbysim të gjitha dyqanet dhe të kërkojmë ushqim nga nesër të blejmë për shkak të kësaj se me të vërtetë nuk ka nevojë për një gjë të tillë”, tha Spasovski.

Ali Ahmeti, kryetari i BDI-së paralajmëroi se gjatë fushatës do të respektohen rekomandimet e Ministrisë së shëndetësisë, duke anashkaluar edhe tubimet e mëdha.

“Në kohë të fushatës politike, partitë politike do t’i respektojnë udhëzimet të cilat do të dalin nga Ministria e Shëndetësisë. Partitë politike do të gjejnë mënyrë se si do të punojnë dhe veprojnë. Sot mediumet janë shumë të zhvilluara. Bota elektronike është në nivel më të lartë dhe të gjitha partitë mund të komunikojnë përmes mjeteve elektronike”, deklaroi Ahmeti.

Ziadin Sela, lideri i Aleancës për Shqiptarët theksoi se edhe ky virus ka pasoja të njëjta sikurse gripi sezonal.

“Kjo situatë do të kalojë sikurse edhe të gjitha të tjerat. Ky është virus dhe pasojat e këtij virusi nuk janë më ndryshe prej pasojave të gripit sezonal. Gjithmonë si pasojë e gripit sezonal ka pasur pacientë të cilët kanë përfunduar në spital si pasojë e sëmundjeve kronike. Nuk ka nevojë për panik, njerëzit duhet të jenë solidarë”, tha Sela.

Hristijan Mickoski, kryetari i VMRO-DPMNE-së theksoi se në takim nuk u diskutua për anulim të zgjedhjeve, por për kujdes në fushatat zgjedhore.

“Takimi ka qenë më shumë me karakter informues. Nuk është shqyrtuar mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve. Ajo për të cilën kemi biseduar është të kemi një adaptim të fushatës zgjedhore. Nuk pati asnjë bisedë për temën e vonesës. Do të kemi një mënyrë alternative për ta zhvilluar fushatën, përmes rrjeteve sociale, përmes mediave masive, etj. Prej dere në derë, mënyrë tjetër, qasje të ndryshme, etj”, tha Mickoski, duke sqaruar se tubime nuk do të mbahen, derisa të jenë të ndaluara.

Ndryshe, liderët e LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, BDI-së, BESA-s, PDSH-së, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës sot në orën 13:00, zhvilluan takim për koordinim me kryeministrin Oliver Spasovski lidhur me realizimin e masave qeveritare për përballje me koronavirusin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button