Pakti shpëtimtar

Para dy ditësh në Kuvend u votua ratifikimi i Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, ndërsa dje, ligji për këtë ratifikim u dekretua edhe nga presidenti Pendarovski. Para Kuvendit u vendos në mënyrë ceremoniale famuri i NATO-s. Është ky një moment tejet i rëndësishëm historik, krucial për sigurinë në vend, është një ëndër e kahmotshme për të cilën për një kohë të gjatë i humbëm shpresat që mund të bëhej realitet.

Dhe vërtet, a e mbani mend kohën kur për 10 vite me rradhë, pas vetos greke që morëm në Samitin e NATO-s në Bukuresht, u larguam dita ditës nga kjo mundësi dhe u futëm në rrjedha krejtësisht të ndryshme nga ato rrjedha të natyrshme ku duhej të kishim qene duke notuar gjithmonë? A ju kujtohet që dita ditës, me secilin emër që i vendosej një stadioni, bulevari apo autostrade, me secilën përmendore të Shkupit 2014, ne largoheshim gjithnjë e më shumë nga kjo perspektivë Veri-Atlantike ku ne si shqiptarë e kemi pasur gjithmonë synimin? A ju kujtohet që një kohë ishim aq të larguar nga kjo perspektivë sa që nuk vinin as të na vizitojnë përfaqësuese të shteteve partnere strategjike, ndërsa presidenti i atëhershëm realizonte vizita zyrtare vetëm në vendet e Kaukazit?

Nuk është shumë e largët ajo kohë. Nuk besoj që kemi harruar që vetëm para tri vitesh jo të plota me gjak u ndryshua pushteti të cilin parazitët e atëhershëm gjakpirës nuk e lëshonin nga duart në asnjë mënyrë. Për më pak se tri vite nga izolimi i plotë, përmes Marrëveshjes së Prespës arritëm deri në këto ditë, që të shohim kryeministrin tonë të ulur përkrah Presidentit të SHBA-së në Samitin  e NATO-s në Londër, të shohim të gjitha shtetet anëtare, një nga një, të ratifikojnë pa asnjë kundërshtim Protokollin për anëtarësimin tonë në aleancën ushtarake më të fuqishme në botë, të shohmi flamurin e kësaj aleance të valëvitet para institucioneve tona. Për më pak se tri vite ajo që e ëndërruam dhe e dëshiruam për tri dekada me rradhë u bë realitet.

Ky realitet do të mbetej edhe më tej tërrësisht i pamundur po të mos ishte nënshkruar pakti shpëtimtar i quajtur Marrëveshja e Prespës. Ai flamur blu, i cili për ne si shqiptarë gjithmonë, e posaçërisht prej vitit 1999 ka qenë simbol shpëtimi, nuk do të valëvitej para institucioneve tona po të mos ishte nënshkruar Marrëveshja e Prespës. Ai akt nënshkrimi i atij pakti historik, për të cilin Zaev u quajt tradhëtar nga shumë qytetar të këtij vendi na solli këtë ditë, ta shohim veten duke u bashkuar në NATO me vendet tjera për të cilat dielli poashtu lind andej nga perëndon. Ai nënshkrim historik na solli sërish në perspektivën pro-perëndimore nga e cila kishim kohë që ishim larguar.

E megjithatë, ka njerëz, që mendojnë se kjo marrëveshje historike mund të kthehet prapa, të rishikohet apo ndryshohet dhe të kthehet emri i mëparshëm i këtij shteti, me një fjalë, të kthehemi aty ku ishim në ato vite të errëta kur notonim në ujëra krjetësisht tjera dhe shumë të rrezikshme. Me gjithë mend mendojnë se me një shumicë të kualifikuar në Kuvend do të mund ta kthejnë prapa një proces historik që ka kohë që ka marë drejtimin e vet. Çfarë gënjeshtrash të kulluara, çfarë deklaratash të papërgjegjshme dhe demagogjike! Çfarë mungese e nkohurive bazike nga e drejta ndërkombëtare e cila shumë mirë përcakton që marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme në legjislacionet vendase!

E përse do të duhej që një proces i këtillë, kaq i rëndësishëm, me anë të së cilit u bashkuam me shtetet si SHBA, Kanada, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, e me të gjithë të tjerët që tani janë garantë të sigurisë sonë, të jetë një proces reverzibil, i kthyeshëm? Më falni po ku dëshirojnë të na kthejnë këta që angazhohen për rishikim të Marrëveshjes së Prespës? Në atë errësisrën mesjetare ku ishim para 10 vitesh?

Jo falemnderit, kjo gjë nuk ka për të ndodhur.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button