Rikthehet përballja Mourinho-Guardiola
Liverpool vijon të fitojë dhe duket se po bën një kampionat të vetin, duke u shkuar shumë pranë titullit kampion, megjithatë Premier League vijon të jetë mjaft interesante, për vetë përballjet që ofron nga java në javë, transmeton SS.
Kështu pasditen e sotme në orën 17:30, Tottenhami do të presë Manchester Cityn, ndërsa dy “armiqtë e betuar” si Jose Mourinho dhe Pep Guardiola do të mund të përballen sërish me njëri-tjetrin.
Londinezët nuk po kalojnë një moment fort të mirë dhe zona Champions është ende larg, ndaj Mourinho e di mirë që suksesi ndaj kampionëve në fuqi ka vlerë shumë të madhe, pasi do t’i afronte me vendin e katërt dhe do të rriste ndjeshëm moralin në skuadër.
Nga ana tjetër, Manchester City duket i dorëzuar tashmë në betejën për titullin kampion dhe fitoret e njëpasnjëshme të Liverpoolit ia zbehin edhe ato pak shpresa, por synojnë të konsolidojnë vendin e dytë dhe t’u shtyjnë sa më shumë festën “The reds”-ave.
Po nga kampionati anglez, në orën 15:00 do të vijë sfida mes Burnleyt dhe Arsenalit, me “topçinjtë” që vijnë pas tre barazimeve radhazi dhe do të kërkojnë rikthimin te suksesi, për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në zonën Champions.