Pesë leksione nga zgjedhjet në Shqipëri

Në ditët e fundit të fushatës dukej se politika në Shqipëri përsëri ka gjetur një formulë për një katastrofë të re zgjedhore. E diela e zgjedhjeve gdhiu me incident, vrasje në Laç, që konfirmonte gjithë dyshimet e tilla dhe dukej sikur paralajmëronte parregullsi të mëdha në vijim të procesit zgjedhor. Për fat të mirë ngjarjet në vazhdim vërtetuan të kundërtën. Incidenti i Laçit doli të jetë ngjarje e izoluar dhe përveç disa parregullsive të natyrës administrative dhe teknike, gjë e pashmagnshme për kushtet ballkanike, zgjedhjet në përgjithësi ishin të qeta dhe demokratike.

Në pritje të një rezultati të ngushtë, ashtu siç parashikonin jo vetëm analistët po edhe vetë partitë politike, problem i rradhës ishte shpallja e fitores nga të dy palët posa u mbyllën qendrat e votimit. Por as kjo si duket nuk ishte paralajmërim për mosnjohje eventuale të rezultatit nga pala humbëse. Administrimi i numërimit të votave në Shqipëri dallon nga ai i vendeve tjera, sepse votat nuk numërohen në vetë qendrat e votimit, por mblidhen për t’u numëruar në qendra të zonave zgjedhore, proces që zakonisht zgjat shumë. Kështu mund të jemi të sigurtë se kur partitë paralajmëruan fitore, ata në të vërtetë nuk kishin dijeni për rezultatin e vërtetë dhe më tepër i krijonin vetes hapësirë për manovrime të mëtutjeshme politike në rast të një rezultati të ngushtë. Gjë që nuk arsyeton deklaratat e parakohshme për fitore, as sistemin e ndërlikuar të numërimit, por gjithsesi i vë ato në kontekst të politikës ditore.

Vetë procesi i numërimit nuk u shoqërua me incidente të reja, ashtu siç ndodhte shpesh në Shqipëri. Tani që pothuajse numërimi ka mbaruar dhe është i qartë verdikti që dhanë votuesit shqiptarë, është koha të nxirren disa konstatime dhe interpretime kyçe nga këto zgjedhje. Ja disa prej tyre:

1. Fjala më e mirë që përshkruan rezultatin e zgjedhjeve mbase do të ishte “tërmet politik” ose “valë zgjedhore” ( “landslide” ose “wave elections” në terminologjinë angleze). Përderisa pjesa më e madhe e anketave dhe analistëve pritnin një fitore të ngushtë të së majtës, rezultati tregon se fitorja është e përmasave gjigante – rreth 20% të votave (84 me 56 mandate), thellësi që duhet t’i ketë habitur edhe vetë socialistët. Një analizë e votës tregon se në të vërtetë fitorja i është dedikuar më tepër rrënies së madhe të përkrahjes për demokratët. Zgjedhjet pra ishin shprehje plebishitare kundër Sali Berishës.
Ajo që bëri kaq të paparashikueshëm dhe papritur rezultatin ishte fakti që Berisha në tetë vitet e kaluara në pushtet me të vërtetë kishte rezultate me të cilat mund të bënte fushatë. Por ana tjetër e medaljes flet se Shqipëria në këto tetë vitë vazhdoi të jetojë me korupsionin kronik, nepotizmin, krimin e organizuar dhe mbi të gjitha paternalizmin, sjelljen autoritare dhe partizimin e shtetit nga Berisha. Në peshore votuesit shqiptarë qartazi u vunë më tepër në anën kundër korupsionit se pro-rrugës, kundër partizimit dhe interesave klanore se pro-integrimit. Ata vendosën të ndëshkojnë autoritarizmin dhe figurat e përjetshme politike. Mesazh në vijë me trendet globale, këtu të shprehura në votë, dhe që duhet të shërbejë si paralajmërim për liderët tjerë autoritarë dhe politikanët e përjetshëm të regjionit.

2. Fituese e vërtetë në zgjedhje del të jetë LSI e Ilir Metës. Ajo ka arritur të shtojë përfaqësimin e saj nga 4 në 14 deputetë dhe tanimë padyshim paraqet një alternativë të tretë politike. Një fenomen i ngjashëm ishte rezultati i Daçiqit në Serbi, ose edhe paraqitja e Sirizës në Greqi. Maqedonia si duket ngelet vendi i vetëm në rajon ku alternativat e treta akoma nuk kanë sukses. Opcionet e treta që po lindin këto ditë dhe që mund të kenë sukses eventual, megjithatë nuk duhet t’i krijojnë rehati pushtetit, ashtu siç mendohet. Në Shqipëri dhe Serbi alternativat e treta më tepër dëmtuan partitë në pushtet se ato të opozitës.

3. Temat kryesore të fushatës në Shqipëri ishin politikat ekonomike, arsimore dhe sociale, e sidomos politikat tatimore dhe çështjet pronësore. Në një vend të largët të dytë ishin proceset e integrimit në BE. Në përgjithësi kjo tregon se politikanët dhe votuesit ishin më të preokupuar me çështjet e brendshme, me probleme konkrete të jetës së përditshme, se sa me çështje madhore abstrakte. Kjo përbën një risi dhe dëshmon një nivel të ri të pjekurisë politike në Shqipëri.
Ajo që ra në sy gjatë fushatës ishte mungesa e plotë e temës së shqiptarëve jashtë vendit. Kosova u përmend fare pak, ndërsa Maqedonia aspak. Dhe kështu duhej të ishte. Pikë së pari, demokratët dhe socialistët nuk kanë ndonjë dallim rrënjësor rreth këtyre çështjeve dhe politika e jashtme e Shqipërisë nuk do të ndryshojë me ndryshimin e pushtetit. Së dyti, opinioni në Shqipëri e din fare mirë se shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë kanë politikanët dhe institucionet e tyre që duhet të bartin barrën kryesore të artikulimit dhe përfaqësimit të interesave të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Për politikanët e Shqipërisë parësorë ishin dhe duhet të jenë qytetarët e Shqipërisë. Më tepër se mungesë interesi, mospërzierja në çështjet e Kosovës dhe Maqedonisë është një shprehje respekti për ta.

4. E vetmja parti me qëndrime nacionaliste, Aleanca Kuq e Zi, nuk arriti të fitojë as 10 000 vota, pra as 0,5% të votës. Qartë nacionalizmi nuk ha bukë në Shqipëri, fakt që më në fund duhet t’i heshtë ato qarqe që duke keqpërdorur konceptin e Shqipërisë Etnike tentojnë ta paraqesin Shqipërinë dhe shqiptarët si kërcënim për paqen në rajon.

5. Pjesa më e madhe e mediave maqedonase vazhdojnë të jetojnë me iluzione. Edhe një ditë të plotë pas përfundimit të zgjedhjeve, kur edhe mediat botërore tanimë lajmëronin për fitoren e socialistëve, këta televizione e portale vazhdonin të njoftojnë për vrasjen në Laç, që kishte ndodhur 40 orë më herët dhe që doli të jetë rast i izoluar, pa ndikim në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Kështu këto media vazhduan të propagojnë logjikën e tyre të shtrembër që rridhte disi kështu: zgjedhje tejet problematike në Shqipëri => Shqipëria megjithatë do të vazhdojë integrimet => kjo pasi Europa dhe Amerika i duan shqiptarët dhe i shpërblejnë pa meritë => të njëjtat fuqi nuk i ndihmojnë Maqedonisë për çështjen e emrit => ne nuk kemi asnjë faj, bota është kundër nesh! Kështu u gjet një mënyrë që madje edhe zgjedhjet në Shqipëri të spinohen në favor të politikave aktuale të pushtetit në Maqedoni.
Nëse jo për shkak të shqiptarëve të Maqedonisë, zgjedhjet në Shqipëri duhej të paktën të përcilleshin më nga afër si ngjarje të rëndësishme në një shtet fqinj. Nga afër nuk u përcollën as zgjedhjet në Bullgari, Serbi e Greqi, sikur ajo që ndodh në fqinjësi nuk ka të bëjë fare me Maqedoninë. Në këtë kuptim opinioni maqedonas mbyllet edhe më tepër në lëvozhgën e tij iluzore dhe ngelet edhe më tej i izoluar jo vetëm nga bota, por tanimë edhe nga rajoni.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Back to top button