IDENTITETI I ARNUAR

Këtyre ditëve, duke shëtitur rreth liqenit Treska me bashkëthemeluesit e Klubit të Intelektualëve të Dervenit (K.I.D.), kryq e tërthor e trajtuam temën e identitetit si një çështje kritike dhe omnipotente në trojet ballkanike. Dhe ca ditë më pas, me t’u hedhur një sy zërave të papërfshirë në Fjalorin e sociologjisë (2009, 2017), që përbëjnë një dokument për zgjerim të kësaj vepre, rastisëm një term interesant që e kishim nënvizuar për ta përpunuar në botimin e radhës: patchwork identity (në frëngjisht bricolage), identiteti arnë, identiteti i arnuar, i qepur, i endur, i qëndisur, lara-lara, identiteti mozaik, fluid, të cilin vendosëm ta përpunojmë në këtë shkrim. Është një shprehje që sociologët dhe psikologët e shfrytëzojnë për të shënuar një dukuri të re të kulturës së sotme globale kur thyhen matricat klasike shoqërore dhe kur vijnë në shprehje relativizmat e parcializmat e ndryshëm. Siç dihet në kohët postmoderne njerëzit i afirmojnë përvojat e veta individuale (self related experiences), identitetin e vet të pjesërishëm. Ata identitetin e tyre me të cilin frymojnë, jetojnë dhe në të cilin kanë shpresa, tanimë nuk e përkufizojnë sipas traditave, shembujve, miteve të mëdha tradicionale si feja, familja, morali ose karriera profesionale. Krahasuar me rinistët e epokës moderne që kanë pasur një besim të fuqishëm te përparimi, besimi i të rinjve të sodit, i vulosur nga kultura pasmoderne, është skeptik, defetist, pa iluzione, pa utopi si ajo e brezit 1968, është realist. Teoria e identitetit të arnuar është komplekse. Një aspekt i saj ka të bëjë me mospajtimin konjitiv. Për ta kuptuar më mirë, si shembull mund të na shërbejë jorgani, i qepur nga materiale të ndryshme të bashkuara në një tërësi.

Rinia e kohës së pasmodernes nuk besojnë te mitet e mëdha apo mega-narracionet e së kaluarës, as në premtimet që është supozuar ta formësojnë të ardhmen. Ata duke u nisur nga përvoja janë të vetëdijshëm për natyrën jostabile të instituioneve shoqërore, të strukturave familjare, të vendeve të punës dhe premtimeve njerëzore. (Schalück, 2015) Ata nuk janë njohuri se a do të kenë vend pune ose profesion, se sa i sigurt do të jetë vendi i punës, sa do të zgjasë karriera e tyre. Në kohën e identitetit të arnuar sektorët tradicionalë të identitetit si profesioni, familja, feja, nuk janë më normë. Rezultati është identiteti i ri i pjesshëm (new-part identity) ose ai laragan që konsiston në pjesë të ndara dhe të kufizuara të përvojave dhe që nuk ndjek një model ekzistues, integral. Për ta arsyetuar identitein e tyre ata s’kanë nevojë për autoritet të madh të gjithëdijshëm. Ata kërkojnë hapësirë më të madhe për të vepruar, për “përpjekje dhe gabime” dhe ndjekin etikën “bëre vetë” (Do It Yourself). Përkundër përfoljeve të brezit të shek. XXI për narcisoiditet dhe individualizëm të skajshëm, te i njëjti shpërfaqen edhe aftësi përkushtimi, altruizmi dhe soldiariteti.

Personi me identitet të arnuar mund të jetojë në mjedise të ndryshme në pajtim me vlerat dhe idealet kontradiktore, të qepura në mënyra artificiale. Brezi i këtij lloji të identitetit veprojnë në mënyrë jokoherente dhe irracionale, pa ndjerë nevojën për të justifikuar veprimet e tyre klishethyerëse. Disa personin me identitet të arnuar e cilësojnë si të çmendur. (Waegel, 2009) Sipas Fenreiro-s (2015) identiteti i arnuar është emërtim mode për mëkatin. Individi me këtë identitet nuk çanë kokë për konradiktën që shfaqet prej tij, nuk ndan asnjë minutë për të menduar rreth identitetit dhe unit të vërtetë. “Rrena, shtirje, tinzari, manipulime, shto kësaj edhe çdo gjë tjetër për të qenë koherent me mjedisin e  caktuar.”

Për shembull, një femër e re është vajzë e mirë, ndihmon në shtëpi, nuk i detyron prindërit të bërtasin apo të çirren pas saj, i respekton rregullat familjare. Por kur takohet me shokët e shoqet e saj ajo vishet ndryshe, përdor gjuhë më vulgare, shkel mbi vlerat “e mbjellura” në shtëpi, në gjirin familjar. Në klasë, sillet siç kërkojnë mësimdhënësit, por në kafene, klub ajo i harron të gjitha vlerat që i ka mësuar në familje e shkollë si dëlirësia, modestia, dinjiteti. Në çdo “arnë” të jorganit të jetës së vet funksionon mirë dhe dhe i kënaq ata që e rrethojnë atë, pa një koherencë mes njërës arnë dhe tjetrës. Shembull tjetër është ai i mërgimtarëve, të cilët kanë dy kurse identitare, një për në vendin ku jetojnë dhe një kur kthehen në vendlindje, që i bie “identitete paralele”. Kurbetqari në Zvicër a Gjermani vozit makinën me kujdes, gjithnjë sipas rregullave, kurse në vendlindje paraqitet me një identitet shoferi krejtësisht tjetër, agresiv, parkohet ku t’i teket, polemizon ashpër me policin. Me fëmijët e vet flet gjermanisht, ndërsa me vëllain, në shtëpinë e tij, llafos shqip.

Sipas Christiansen-it (2006) një tip i tillë “nuk është subjekt ose person fiks”, identiteti i tij është fluid dhe ndryshon me çdo lexim apo kontekst. Keupp dhe të tjerët (2002) e shohin imazhin e identitetit arnë si simbol të disa identiteteve të pjesshme, të disa fragmenteve dhe projekteve të identitetit: disa i japin trajtë dhe ngjyrë arnës përgjatë gjatë gjithë ciklit jetësor, kurse disa fragmente janë të dobishme ose të domosdoshme vetëm për një kohë të shkurtër dhe më pas dalangadalë zhduken.

Sipas Keupp (2007) në periudhat më të hershme vullneti për të supozuar paketa të identiteteve të gatshme (Identitätspakete) ka qenë kriter qendror për menaxhimin e jetës (Lebensbewältigung). Sot ky i fundit varet nga motivi individual për të krijuar një atmosferë të mirë dhe për të performuar një punë identitare, që nënkupton aftësinë për vetë-organizim, për të ndërmarrë aksion (Selbsttätigwerden), ose për të gjetur kamaren personale (Selbsteinbettung). Fokusi është në rolin aktiv dhe kreativ që individët luajnë në konstruktimin e një cohe koherente të përbërë nga shumë fragmente dhe projekte identitare, proces i hapur (open-ended) ky që karakterizohet nga kompleksiteti si dhe kontributi kreativ personal që individët luajnë në formimin e tyre personal. Në këtë proces, me rëndësi janë materialet identitare  (Identitätsmaterialien) dhe shkathtësitë konstruktive (Konstruktionsfähigkeiten).

Si përfundim mund të themi se identiteti nënkupton një veprim në zhvillim (work in progress), një operacion aktiv dhe permanent në të cilin elementet individuale në mënyrë konstante ripërpunohen dhe rivlerësohen. (Christl, 2016: 28)  Sot paradigma e unit të unifikuar (Kraus, 2000) ka humbur ngjyrat. Njeriu racional i kohës duhet të punojë vazhdimisht për formësimin-riformësimin, ndërtimin-rindërtimin e identitetit të vet, proces ky që Keupp dhe Alevesson e kanë quajtur Identitätsarbeit (punë identitare). Në këtë kontekst, nuk flasim për ruajtjen, sepse ruajtja dhe konservimi strikt i identitetit në epokën e globalizmit, të medias, të teknologjisë informative janë thuajse një mision i pamundur.   

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button