Kurti i ka shkruar Thaçit: Formimi i qeverisë nuk është i lidhur me afate

Kryetari i subjektit të parë politik të dalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka kërkuar presidentit, Hashim Thaçit të mos ndërhyjë në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe në garantimin e një shumice parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një letër të cilën kreu i Vetëvendosjes i ka dërguar sot presidentit, theksohet se “Kushtetuta nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit”.

“Presidenti është kreu i shtetit, i cili, rrjedhimisht, duhet ta ushtrojë atë përmes një veprimtarie neutrale, pra, një pushtet pasiv në raport me politikën ditore dhe si rezultat i këtij pozicioni ai nuk mund të vihet në lëvizje i pavarur dhe i izoluar nga vullneti i fituesve të zgjedhjeve, por vetëm pas ndërveprimit me institucionet tjera”, shkruan në letrën e Kurtit për presidentin Thaçi.

Rrjedhimisht, Kurti ka lutur presidentin që të mos bëjë “vlerësime politike përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë”, kjo ngase sipas tij, “procesi është i përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe i sqaruar në hollësi me aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe ku Presidenti nuk mund të bëjë interpretime shtesë”.

Tutje në këtë letër, Kurti thotë se presidenti duhet të jetë “i durueshëm dhe të presë”, ngase siç thekson ai, “formimi i Qeverisë nuk është i lidhur me afate, për shkak se demokracia nuk është thjesht grumbullim numrash, por përafrim qëndrimesh, harmonizim programesh e bartje përgjegjësish”.

“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Ne ende nuk ua kemi dërguar juve propozimin tonë për kryeministër. Do ta bëjmë këtë në të ardhmen e afërt me shkresë zyrtare, porsa të jemi gati. Lëvizja Vetëvendosje nuk po e shfrytëzon këtë kohë për të neglizhuar ndërtimin e koalicionit, as edhe të cënojë autoritetin e Presidentit, por me qëllim të arritjes së një marrëveshje politike që adreson një dakordim për programin qeverisës, zvogëlimin e qeverisë dhe reformat e thella që e presin vendin në muajt e vitet në vazhdim”, theksohet në këtë letër.

Më 6 janar kreu i VV-së, Albin Kurti i ishte përgjigjur ftesës së presidentit Hashim Thaçi për fillimin e negociatave për caktimin e kandidatit për kryeministër, por Kurti nuk ka qenë “i gatshëm të propozojë një emër”, megjithëse i kishte thënë se një gjë të tillë do ta bëjë së shpejti.

Ndërsa më 10 janar Thaçi i ka parashtruar një kërkesë të re Kurtit nëpërmjet një letreje drejtuar atij ku i kërkon që “sa më parë t’i dërgohet Presidentit emri i mandatarit për formimin e Qeverisë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button