Rama foli si kryeministër:do jem shërbetor i juaji! Falënderon Berishën!

Mes shumë simpatizantëve të grumbulluar para selisë së PS-së, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama foli për herë të parë, edhe pse ende pa u certifikuar rezultati plotësisht, si kryeminsitër.
Ai tha se “ka fare pak përgjegjësi të tjera më të mëdha për një njeri, sesa përgjegjësi për të udhëhequr vendin tënd.”

“Sot ju populli i Shqipërisë vendosët të ma ngarkoni mua dhe skuadrës tonë kombëtare të Rilindjes, së bashku dhe në mënyrë të pandarë me partnerët tanë, të LSI dhe me aleatët e tjerë këtë përgjegjësi kaq të madhe.”- tha ai, transmeton Panorama.

Rama tha se do të jetë kryeministri të gjithë shqiptarëve, por edhe kryeshërbëtori i tyre.

“Detyra do të jetë e imja, pushteti do të jetë i juaji. Unë s’do ta harroj këtë, por ju lutem mos e harroni as ju. Jo për mua por për të mirën e Shqipërisë që duhet ta rilindim sëbashku.”- theksoi kryesocialisti, duke e cilësuar këtë si ditën në të cilën ndihet më krenarë se asnjëherë tjetë.
Rama falënderoi edhe kreun e PD-së, Sali Berisha, të cilit i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private, ndërsa e falënderoi, për të gjitha ato, që sipas Ramës, historia mbase mund ti vlerësojë nesër.

“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të papëlqyeshme për paraardhësit e mi, sepse ai ka thënë jo pak për mua. Kjo ndodh në betejën politike, por ndodh më shumë në demokracitë e pazhvilluara si e jona, ku pushteti i popullit degradon rëndom në shfaqjen e pushtetit të një njeriu. Sot unë dua ta falënderoj atë për çdo gjë të mirë që historia mbase mund ta vlerësojë nesër, dhe gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”- tha Rama.

Rama tha se tani që zgjedhjet përfunduan, vullneti im është tu shërbejë të gjithëve me përkushtim, dhe jo vetëm atyre që fituan.

“Votën plebishitare unë nuk e konsideroj si triumfin e palës tonë, përkundrazi shumica marramëndëse që na dhanë shqiptarët më bën ende më realist për sfidën marrëmëndese që duhet të fitojmë përmes qeverisjes sonë. Pjesë e kësaj sfide është që asnjë zgjedhës i palës tjetër të mos ndihet keq, asnjë rrogëtar që i shërben këtij shteti me falë meritës, të mos ndihet i kërcënuar , asnjë burim mediatik që ka mbështetur alternativën e kundërshtarit të mos ndihet i rrezikuar. Të gjithë meritojnë respektin tonë,  se ndryshimi s’ka ardhur për ti bërë keq askujt që s’ka bërë keq duke shkelur ligjet e këtij vendi.”- tha Rama.

Duke e cilësuar fitoren si nisjen dhe jo mbërritjen, Rama theksoi se ndryshimi që duam nuk mund të arrihet brenda natës.

“Kjo fitore nuk është mbërritja por vetëm nisja. Kjo fitore është era e ndryshimit që fryn lirisht në të gjithë Shqipërinë, por tani nis puna e madhe për ta bërë ndryshimin realitet. Ndryshimi nuk do të vijë brenda natës, as kollaj, sepse siç e kam parë në rrugën e  jetës sime, asgjë nuk vjen kollaj, por duhet të punosh dhe sakrifikosh fort për ta arritur.”- theksoi Rama.

Lajme të ngjashme

Back to top button