Lëmsh juridik

Këto ditë kanë qenë më se aktive për gjykatën më të lartë në vend, institucionin që duhet të vlerësojë kushtetushmërinë e akteve juridike dhe që duhet të rrezatojë drejtësinë e zbatuar përmes frymës së ligjeve, parimeve juridike dhe vlerave themelore kushtetuese. Duke pasur parasyshë punën e gjertanishme të Gjykatës Kushtetuese, e veçanërisht shërbimet që symbyllur ia ka kryer pushtetit në të kaluarën, prej të cilave do të veçoja vendimin e Marsit 2016 me të cilin e shpalli kundërkushtetues Ligjin për ndryshim të ligjit për falje dhe mendoi se krijoi bazë juridike që presidenti i atëhershëm Ivanov të japë faljet spektakolare të 12 prillit 2016, pritshmëritë që kjo Gjykatë të mbledhë vehten dhe të jetë ajo që duhet të jetë, bastion i mbrojtjes racionale të kushtetueshmërisë, janë gati se tërësisht joreale. E megjithatë, si pasojë e presionit të madh publik që del nga ajo që përjetohet si déjà vu, déjà vecu, si përsëritje e skandalit të 2016tës, Gjykata Kushtetuese njoftoi që do të vendosë për inicijativën për shpallje të nenit 11-a të Ligjit për falje si kundërkushtetues, vetëm pasi të ketë pranuar interpretimin autentik të Kuvendit lidhur me këtë çështje.

Pra përfundimisht, pas gati se 4 vitesh, çështja e nenit 11 dhe rrjedhimisht nenit 11-a të Ligjit për falje vendoset në rend dite në Kuvend me kërkesë për intepretim autentik. Vetëm një rikujtim i shkurtër për atë se cila është çështja kryesore në këtë mes. Në vitin 2009, si pasojë e faktit që presidenti i atëhershëm Cërvenkovski në bazë të nenin 11 të Ligjit për falje që parashihte se presidenti mund të japë falje pa procedurë paraprake në raste specifike, dha falje pa procedurë paraprake për Zaevin i cili atëkohë ishte i akuzuar në rastin “Global”, Gruevski inicioi ndryshime të Ligjit për falje në kuadër të të cilave u fshi neni 11 dhe rrjedhimisht edhe mundësia që presidenti të falë pa procedurë paraprake. Në vitin 2016, kur filluan procedurat e ngritura nga PSP, ishte e qartë që presidenti nuk kishte të drejtë për të falur pa procedurë paraprake. Duke kërkuar mënyrë për të sjellur sërish në fuqi nenin 11, pushteti i atëhershëm vendosi që të inicojë shpallje të Ligjit për ndryshim të ligjit për falje të vitit 2009 si kundërkushtetues me pretekstin se e kufizon kompetencën e presidentit për të falur. Gjykata e dëgjueshme kushtetuese e bëri këtë dhe e shpalli kundërkushteues Ligjin e 2009 duke menduar se në këtë mënyrë e solli sërish në fuqi nenin 11. Në bazë të këtij vendimi, Ivanov i dha 41 faljet për 56 personat e involvuar në hetimet e PSP. Në gjithë këtë proces, Ivanov dhe Gjykata kushtetuese harruan një fakt: shpallja e një ligji për kundërkushtetues nuk i kthen automatikisht në fuqi dispozitat paraprake, spese Gjykata kushtetuese nuk është një institucion ligjvënës dhe nuk ka kompetencë për të sjellur në fuqi norma ligjore por mundet vetëm ato ti heqë nga fuqia duke i shpallur si kundërkushtetuese. Për më tepër, vetë Gjykata kushtetuese në vendim paraprak të vitit 2012 ka cekur në mënyrë shprehimore se ajo nuk ka të drejtë të “ngjallë” norma juridike të cilat paraprakisht janë shpallur të pavlefshme nga ligjvënësi. Kështuqë, faljet e Ivanovit ishin që në fillim të pavlefshme dhe të kundërligjshme sepse bazohen në nen që nuk ekziston që nga viti 2009 dhe i cili nen asnjëherë nuk është kthyer në fuqi nga ligjvënësi. Por këtë asnjëherë asnjë institucion shtetëror nuk e verifikoi. Vetëm teoreticientët dhe profesorët potencuan se në bazë të teorisë së të drejtës kushtetuese gjykata kushtetuese nuk është krijues i normave ligjore dhe nuk ka kompetencë të risjellë në fuqi norma të cilat janë fshirë paraprakisht, edhe përskaj faktit që ligji me të cilin ato janë fshirë mund të jetë shpallur kundërkushtetues.

Ajo që duhej të bëhej atëherë, në vitin 2016, kur herkuri ishte ende i nxehtë, e që nuk u bë ishin këto veprime:

Gjykata kushtetuese duhej menjëherë të reagojë se faljet e dhëna nga presidenti janë kundërkushtetuese, kundërligjore dhe të pavlefshme sepse bazohen në nen që nuk ekziston. Por duke marë parasyshë që gjykata e atëhershme kushtetuese ishte pikërisht marionetë e pushtetit kjo gjë ishte e qartë që nuk do të ndodhte.

Kuvendi duhej në atë kohë të sjellë interpetim autentik të Ligjit për falje dhe të potencojë që presidenti nuk ka të drejtë të falë pa procedurë paraprake që nga viti 2009 e këndej. Kuvendi këtë nuk e bëri, përkundrazi, bëri një gaf të madh juridik duke sjellur ligj për ndryshim të Ligjit për falje me të cilin shtoi nenin 11-a për të krijuar “mundësi” që presidenti ti tërheqë faljet e dhëna! Ky ishte një veprim tërësisht i gabuar për tri arsye kyçe: 1) me sjellje të nenit 11-a Kuvendi në fakt njohu ekzistimin e nenit 11, gjë që ishte e pafalshme pikërisht për shkak të argumentimit se ky nen nuk ekziston që nga viti 2009 dhe si i tillë nuk mund të plotësohet me nen tjetër; 2) neni 11-a në fakt asnjëherë nuk mund të përdorej për tërheqje të faljeve sepse faljet nuk tërhiqen por vetëm shpallen të pavlefshme, dhe 3) ligji nuk mund të ketë veprim retoraktiv dhe të vlejë për gjëra që kanë ndodhur para sjelljes së ligjit, veçanërisht kur kjo është në dëm të të pandehurve, kështu, faljet që janë dhënë në prill nuk mund të tërhiqen me ligj që është sjellur në maj, ato vetëm mund të shpallen të pavlefshme nga momenti kur janë sjellur.

Gjykata penale gjatë vendosjej lidhur me rastet e PSP duhej në mënyrë shprehimore të cekë në vendimet e veta që faljet e dhëna janë të pavlefshme. Këtë duhej ta bëjë me vendim të veçantë secilën herë që avokatët mbrojtës të të akuzuarve thirreshin tek faljet e presidentit. Për më tepër, Gjykata supreme duhej të sjellë qëndrim parimor që këto falje janë të pavlefshme dhe me këtë t’i orientojë gjykatat më të ulta se si t’i trajtojnë ato. Për fat të keq, nuk ka asnjë vendim të asnjë gjykate që këto falje i shpall të pavlefshme dhe të kundërligjshme.

Për ata që kujtohen, këto ishin edhe argumentet kryesore të vendimit të Gjykatës supreme greke gjatë refuzimit të kërkesës për ekstradim të Boshkovskit dhe Grujevskit. Ata i trajtuan si të vlefshme faljet e dhëna nga presidenti sepse në njërën anë ishin si argument veprimet e gabuara të institucioneve tona më të larta shtetërore të lartëpërmendura, ndërsa në anën tjetër ishte argumentimi teorik lidhur me mosvlefshmërinë e nenit 11. Dhe kjo do të mbetet dilemë e hapur edhe kur këto raste të paraqiten para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ku të gjitha këto raste padyshim do të përfundojnë.

Duke marrë parasysh gjithë këtë, shumë e rëndësishme është nisma e tanishme për interpretim autentik të Ligjit për falje në Kuvend. Nga zhvillimet e djeshme në Komisionin për çështje jurdike-ligjdhënëse doli vendimi që për nenin 11 nuk do të ketë interpretim atuentik sepse një nen që nuk ekziston nuk mund të interpretohet. Megjithatë, duhet pasur kujdes që të ketë interpretim autentik për Ligjin në tërësi, i cili interpretim në mënyrë shprehimore do të vërtetojë që presidenti i shtetit, që nga ndryshimet e vitit 2009 e këndej nuk ka të drejtë të falë pa procedurë paraprake. Ky fakt duhet në mënyrë shprehimore dhe shumë të qartë të përfshihet në interpretimin autentik të Ligjit për falje në tërësi. Poashtu, interpretimi autentik mund të konstatojë që pas shfuqizimit të Ligjit për ndryshim të ligjit për falje të vitit 2009 me vendimin e Gjykatës kushtetuese të vitit 2016, Ligji për falje mbetet me shumë zbrastira juridike të cilat duhet të rregullohen me një Ligj të ri për falje.

Në gjithë këtë proces, Kuvendi duhet ta zgjidhë edhe kontradiktën me nenin 11-a të shtuar në vitin 2016. Nuk mund të qartësohet asnjëherë vlefshmëria e Ligji për falje pa u konstatuar qartazi se neni 11 nuk ekziston që nga viti 2009 e këndej dhe sipas kësaj neni 11-a është tërësisht absurd dhe i panevojshëm. Problemi me faljet nuk zgjidhet duke i tërhequr ato por duke i shpallur të pavlefshme. Kështu që Kuvendi domosdoshmërisht duket ta interpretojë në mënyrë autentike Ligjin për falje në tërësi, së bashku me ndryshimet e vitit 2009 dhe 2016 si dhe së bashku me vendimin e Gjykatës kushtetuese të vitit 2016. Ky vendim duhet të jetë i qartë dhe i pakontestueshëm në mënyrë që edhe gjykatat ndërkombëtare të mund ta kenë si bazë gjatë vendimeve eventuale lidhur me rastet e faljes që mund të ndodhen edhe në vendimmarjen e tyre.

Shpresoj që ky proces tërësisht i komplikuar një herë e mirë të zgjidhet dhe të kemi të paktën një vendim të mirëfilltë institucional që do t’i shpallë të kundërligjshme faljet skandaloze të dhëna në vitin 2016 e të cilat na ndjekin nga pas si hije duke kërcënuar vazhdimisht vendosjen e drejtësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button